Kryevepër unike
Kanavacës i derdh nuanca, tone…
po ti prapë, as e qeshur, as e trishtuar,
je kaq etruske, kaq mistike,
ma shton etjen për të të deshifruar!
Buzëqeshjen davinçiane si ta pikturoj
kur s’gjendet as në simbolet antike?!
Mona Lisa në ç’mënyrë mund të tregojë
për buzëqeshjen e saj enigmatike!
Derdh gjithë të verdhën e Van Gogh-ut
të zezën pështjelluese të Kafkës mbi flokë,
por nga ajo që duhet, janë larg vite drite,
vallë hyjnoren lart në qiell e kërkoj në tokë?!
E hutuar tentoj sërish një retushim,
punoj plazmimin, linjave formë u jap
dhe pse më tundon je kaq e pamundur
ndaj natyrisht, e prish prapëseprapë!
Në studio ecejaket e mia çmenden,
të pikturoj mrekullinë s’mundem dot,
unë veç ëndërroj buzëqeshen tënde,
ti mbete kryevepër unike në botë!
Përfundimisht e ëndërrt mbete…
Më pëlqen mënyra si i lidh flokët
edhe pse tashmë i ke krejt të bardhë,
më pëlqen mënyra si më vështron,
edhe pse mungon i dikurshmi zjarr!
Prej shekujsh dashuruar, s’jemi më të rinj
dhe ecjet i bejmë me çapa të vegjël,
pse krahët kur ti më përqafon
më shëmbëllejnë ende me engjëj?!
Vazhdoj të të vështroj me dashuri,
dhe pse rrudhat janë shtuar mbi ballë…
Luledeles ti s’ia heq më petalet: më do,
s’më do. As yjet s’m’i qep më në shall.
Borë-mëndafshtën, që derdhet gjithkund,
unë romantiku, s’ta pres dot fustan,
sumbullat e vesës s’ti bëj dot parfum,
s’ta shkruaj më as emrin mbi xham!
Megjithatë më rrëmben si muzë poeti,
e ndjej, tani të dua më shumë,
më pëlqen kur të shoh buzëqeshur
fëmijënore mes ëndrrave flë gjumë!
Përfundimisht, e ëndërrt mbete tek unë!
Në shtëpinë e prindërve
Koha këtu e ka ndalur udhëtimin,
akrepat e orës së murit kanë vdekur!
Dy sy më flasin nga portreti i nënës,
lodrat e dikurshme rrinë mbështetur!
Dhomat përmbytur nga heshtja që flet,
ngado shoh gjurmë, asgjë nuk vdes;
në tavolinën e bukës trokitje gotash
dhe heshtin bisedat e lëna në mes!
Në aneks më fanitet imazhi i nënës
tek qep fustanet tona me dorë,
poltroni, ku lexonte gazetën babai,
çadra e tij si gjithmonë në korridor.
Hapat tona ndihen në krejt shtëpinë
dhe të qeshurat e vëllezërve në oborr,
në degën e kumbullës fëmijëria ime,
kolovitet në shilarës, ma bën me dorë!
U çmalla e fola me prindërit e vdekur,
ecëm tok si dikur në udhët e diejve,
në muzg ata zgjasin kokat në dritare
dhe ikin si dritë fushës së përtejme.
E kam shumë të çmuar këtë shtëpi,
e bëjnë kaq të dashur kujtimet,
aty fle dhe zgjohet e imja fëmijëri,
veshur me diell nga ëndërrimet!
See insights and ads
All reactions:
11