Dr. Durim Çaça/
Lexim i “Lufta ime për Kosovën”, publicistikë nga Rexhep Shahu.
Askush nuk jeton me të tashmen e menjëhershme. Që të gjithë ne i lidhim gjërat, detajet e përditshmërisë, ngjarjet, me funksionin bashkues, përngjitës të kujtesës, asaj personale e kolektive, -mit i lashtë qoftë, apo histori e re. Ndaj, në prozën jofiksionale theksohet, së pari, emocioni dhe tingëllimi i ligjërimit dhe, më tej, intelekti dhe thirrja për meditim, reflektim e veprim shoqëror moraliteti.
Kështu, vepra që po kundrojmë, gjithë një gazetari impulsive dhe publicistikë luftarake, herë shkulmuese e vrundulluese, si një trumpetë beteje në heroiken e përgjakshme, herë idhnake, e sertë, e ashpër ndaj cinizmit të manipulatorëve pseudopatriotë, me një energjizëm dhe dinamizëm hovi, vrulli dhe ajthi shkulmërak.
Një dëshmi e gjallë e Rexhep Shahut, një vërtetësi e kthjellët, e drejtpërdrejtë për ngjarjen epokale të shqiptarëve të fundshekullit XX, -siç qe lufta dhe çlirimi i Kosovës prej okupimit shekullor shovinist serb.
***
Nëpër faqet e kësaj vepre të retorikës tronditëse të faktit, sillen në kujtesë përmasat e barbarisë shpellare të shkjeve në Europën e kohës moderne, (vrasja e 15 mijë njerëzve të pafajshëm civilë në Kosovë, mes të cilëve, 1700 fëmijë, përdhunimi i 20 mijë vajzave dhe grave shqiptare, zhdukja e 5 mijë shqiptarëve të tjerë të pafajshëm, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur edhe sot, pas një çerek shekulli, për të patur një varr të vet, shkatërrimi dhe rrënimi i 1100 qendra të banimit, me djegien e mbi 20 mijë shtëpive, shkollave, bizneseve, punishteve, qendrave kulturore dhe, mes kësaj statistike ngjethëse, shpërfaqet epopeja e UÇK-së, kësaj fuqie të re vitale të kombit shqiptar, së cilës, Rexhep Shahu i ngre një memorial lavdie, me këtë kumt të tij të kësaj poetike të publicistikës së heroikes.
Autori i shquar, në këtë kujtesë madhështore, projekton, në sfond të një reflektimi kritik tronditës të pseudopatriotizmit të kafeneve të Tiranës, me një nerv të sertë sarkastik, tek i shfaq këta satrapë “atdhetarë”, përmes vetë arrivizmit të paskrupullt të tyre: “Mbajeni vetë atë rreckë (për flamurin kombëtar), ne na duhen dojçmarka”, apo kur, të ulur në poltronet e hotel “Rogner”-it, gjejnë “gabimet” e UÇK-së dhe skicojnë “strategji lufte” e “taktika sulmesh” “fitimtare” mbi paketat e cigareve, me gotat e xhinit përpara), apo të Prishtinës, të matrapazëve dhe “heroizmit legjendar” të sharkive, – frymëzimin e zjarrtë idealist të mijëra të rinjve atdhetarë që lanë Gjermaninë, Zvicrën, Anglinë dhe erdhën të bëheshin luftëtarë të UÇK-së, me ëndrrën e madhe të shpirtit kombëtar, të lirisë së Kosovës sonë martire nga genocidi shekullor serb.
Çdo veprimtar synon tërësinë dhe vlera e çdo arritjeje duhet kërkuar tek ajo, pra tek ajo që krejt qenia, tërësore dhe e pandashme e njeriut të gjejë shprehje. Dhe Rexhep Shahu me “Lufta ime për Kosovën”, më shumë se kronikën e një gazetari në vijën e parë të luftës, për ngjarjen e madhe shqiptare të kohës së re me jehonë botërore, jep një projeksion të thellë e të dhembshëm refleksioni ku, nga njëra anë është populli i thjeshtë, në të dyja anët e kufirit dhe më gjerë, që strehon, ushqen, ndihmon luftëtarët e lirisë, oficerët e Shqipërisë që përgatitin ushtarakisht, me sakrificat e tyre, grupet e djemve dhe vajzave për njësitë e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe, nga ana tjetër, merkantilizmi, (pazarllëku) dhe populizmi i politikës institucionale të Shqipërisë si dhe sharlatanizmi i paskrupullt i një pjese të mediave të saj, për përfitimet e veta, nga konflikti i përgjakshëm i kombit, me fuqinë armiqësore sllave si dhe dramën e luftës së fshehtë civile, me vrasjet e para politike, mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), të djathtë, të Rugovës dhe Lëvizjes për Pavarësi të Kosovës (LPK), të majtë, dhe ushtrive të tyre përkatëse FARK të qeverisë së B. Bukoshit në egzil dhe UÇK, – të krahut tjetër politik, për marrjen e pushtetit pas luftës, (njëlloj si lufta civile e komunistëve në Shqipëri, me vrasjet politike brenda Frontit çlirimtar, “pa dallim feje, krahine dhe ideje” të lëvizjes antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, për marrjen e pushtetit, pas luftës), rrjedhojë e së cilës është dhe gjykimi sot në Hagë, i drejtuesve të kësaj të fundit. Gjykim që nuk e zhvlerëson kurrë lavdinë dhe madhështinë e heroizmit popullor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për të cilën, autori i jep diskursit të vet tonalitetin e ligjërimit të lartë të një hymni e ode panegjirike:
“UÇK është krenaria e epërme e kombit shqiptar, është nderi e dinjiteti i tij, është fitorja më e ndritshme në historinë shqiptare moderne.. Ajo nuk është asnjë emër i përveçëm, asnjë dëshmor apo hero. UÇK që nxorri Adem Jasharin, kryeheroin e shqiptarëve të kohës së re…UÇK është armata e të gjithë të rënëve për liri. Është shpirti shqiptar.”
Një galeri e larmishme dhe e jashtëzakonshme personazhesh dhe individualitetesh (dhënë me veçantitë e tyre të dallueshme e të individualizuara njerëzore), institucionalë dhe njerëzish të thjeshtë popullorë, (që veprojnë në brezin kufitar Kukës- Has- Tropojë, me qendër qytetin e Kukësit), protagonistësh, veprimtarësh, luftëtarësh, refugjatësh të luftës, kontrabandistësh armësh, spiunësh, falsifikatorësh, mashtruesish, gazetarësh të agjencive më të mëdha të botës, oficerësh ushtarakë të Shqipërisë që stërvitin njësite luftarake të rinjsh atdhetarësh idealistësh shqiptarë që vijnë nga shumë shtete, sigurisht dhe nga Shqipëria dhe, në anën tjetër, përtej kufirit, masakrat e serbëve që vijojnë me egërsi mbi popullsinë e pafajshme, pas çdo humbjeje, në përballjet me UÇK-në. Dhe, të plagosur lufte, gra të përdhunuara, fëmijë jetimë, të moshuar që iu ka ngrirë loti në sy, prej plojës dhe shuajes së familjeve të tyre, që vijnë çdo ditë në Kukës dhe në rrethinat përreth, (gjysëm milioni shqiptarë refugjatë të dëbuar nga shtëpitë e tyre vetëm në këtë qytet), jehojnë nëpër faqet e kësaj dëshmie qindrafaqeshe, me një realizëm të dhembshëm, kritik e demaskues ndaj demagogëve e, njëherësh, dëshmi dinjitoze e heroike.
“Digjeshin, shpërnguleshin, burgoseshin, vriteshin shqiptarët në Kosovë vit për vit e dekadë për dekadë e “zotat” tanë këndej veç lehnin… Me ruajt gardhin e gjysmës së tyre. Këtu ishte Enveri dhe ushtria e hekurt shqiptare e derdhur cep më cep të kësaj çerek Shqipërie, që i vriste shqiptarët po të hynin në Shqipëri, ose i burgoste, ose i zhdukte, ose i nbante pengje…Dhe shqiptarët bënin burg dhe vdisnin pse donin Shqipërinë e cila nuk donte që ta donin shqiptarët”.
Kështu, përmes një vargu intervistash të drejtpërdrejta të autorit, gazetar i luftës, në Radion e Kukësit, shndërruar tashmë në Radion e Kosovës, (që drejtohej në atë kohë nga poeti dhe publicisti, Izet Duraku), me përfaqësues, funksionarë, veprimtarë të çështjes kombëtare, ushtarë entuziastë të UÇK-së edhe pse me plagë të shumta në trup, në spitalet e Shqipërisë, refugjatë të dëshpëruar lufte dhe me shpresë, shpërfaqet, kjo dhembje krenare, kjo atmosferë dramatike dhe e jashtëzakonshme (dhe në arenën botërore), Lufta e Kosovës, 1998-1999.
Dhe kalon para nesh kjo epikë, që nga fjala e mençur e Zekerja Canës; te faktet e gazetarit amerikan të “Uashington Post”, Filip Smukin, për mizoritë e masakrat serbe edhe ndaj grave e fëmijëve në Likoshanë, Çirez, Prekaz dhe në zona të tjera të Drenicës; te duart e këputura të Korab Mulës nga minat serbe, në brendësi të territorit të Shqipërisë, në një hapësirë prej 1400 hektarë, prej të cilëve vdiqën rreth 60 njerëz dhe mbetën invalidë të përjetshëm, pa sy, krahë, apo këmbë afro 280 persona të tjerë; te heroi Sali Çekaj, për vlerën e qëndresës, si ajo e popullit të Tropojës, që priti 15 mijë njerëz lufte, duke strehuar dhe ushqyer çdo familje, nga 20 deri 50 vetë, pa bërtitje e mburrje “patriotike” dhe në intervistën e tij në këtë trevë, më 1998, para rënies heroike, më 1999, (zërin e regjistruar të të cilit e ndërprenë pas 4 minutash të kësaqj interviste, në një tubim përkujtimor, për heroin në fjalë, më 2001, se të gjallët, -vijon më tej, Shahu, – do të tregojnë për bëmat e tyre heroike, duke stërpikur me do fjalë dhe të rënët, që duhet të heshtin e të dëgjojnë të gjallët për trimëritë e veta; gazetari i Rojter-it, Kurt Shork, që shkon me guxim në Koshare tek UÇK;
Amik Kasaruho, autoriteti i gjallë moral i shqiptarëve; ambasadori i OSBE-së, në Bajram Curri, Dan Everts, që i kërkon shtypit, këndej e andej kufirit, të luftojë panikun dhe lajmet e pavërteta se, me përhapjen e tyre, bota nuk do të jetë më e mirë; tragjedia e Pashtrikut, me 41 të vrarë, ushtarë të UÇK-së, më 14 dhjetor, 1998; zëvendësambasadori i Gjermanisë, Peter Blumayer, që shprehet se Shqipëria do të bashkohet, edhe po të ketë një kufi në mes; mjeku amerikan Uillard Noes dhe kolegu i tij, mjeku kanadez Roxher Like, në Kukës, në vitin 1999, gjatë krizës së Kosovës; historia e të fejuarve, Sofisë, nga Kukësi dhe Nuredinit, nga Prizreni, të cilët, pas mbylljes së kufijve, më 1948, mes Shqipërisë e Jugosllavisë, pritën 7 vjet që të bënin martesën, por kufijtë nuk u hapën dhe ata krijuan familjet e veta në qytetet e tyre dhe, vetëm pas më shumë se 50 vjetësh, me eksodin e refugjatëve të luftës, Nuredini vjen në Kukës, i moshuar, mbi të ’70-at dhe takon Sofinë, dhe ajo tashmë në pleqërinë e vet dhe qanë gjatë në heshtje me njëri-tjetrin; (siç duket, romani i famshëm i Markes-it, “Dashuri në kohën e kolerës”, nuk ngjan krejt trillim dhe fikshën), ku, në këtë rast, prej “kolerës” komuniste që izoloi e ndau njerëzit (dhe të vdekurit), të gjallët dhe varret, për dhjetëra vjet.
Eruan Deuer, përfaqësues i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kryeministri i kohës, Majko, që deklaron se refugjatët janë vëllezërit tanë; ushtria shqiptare, Divizioni i Kukësit, pa topa, pa tanke, pa ushtarë, vetëm me një tank që mezi ndizet dhe topat luftarakë të shkatërruar më 1997, përballë Serbisë të armatosur gjer në dhëmbë; vrasja në kufi e Din Kolecit, nga fshati Kishaj dhe serbët që nuk japin kufomën, duke lënë mortin çelë në familjen e tij; poeti Din Mehmeti, refugjat lufte në Kukës, që ndihet as në qiell, as në tokë; profesori i folkloristikës në Prizren, ushtar i UÇK-së, Sabaudin Ceno, që thotë se rreziku i përhershëm i intelektualëve, është heshtja e tyre; Musë Rexha, përfaqësuesi i Republikës së Kosovës në Tropojë; Andrey Harver, shefi i Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, në qershor, 1998, që shprehet se në Tropojë po ndodh një mrekulli shqiptare;
veprimtari Skënder Zogaj që flet me optimizëm për stërvitjen luftarake të 260 luftëtarëve të rinj nga Kosova, në vitet 1993-1994, në Labinot të Elbasanit; Naser Kuka, veprimtari i shquar i Kosovës; Rugert Neudeck, presidenti i organizatës gjermane “Kap Anamur” që thotë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë; Bill Foxton, nga Anglia, shefi i zyrës së OCSE-së në Tropojë; Daniel Enders, shefi i UNCHR-së që vë në dukje faktin se Kukësi është një përjashtim në historinë e krizave humanitare të botës;
Aleksandra Moreli, shefe e UNCHR-së në Kukës, dhjetor, 1998, me shqetësimin e saj për grabitës dhe plaçkitës të autokolonave të ndihmave humanitare në Tropojë; Elez Biberaj, përgjegjës i seksionit shqiptar në radion “Zëri i Amerikës” që thekson se shqiptarët gjenden para sfidave të mëdha të së ardhmes së tyre; ardhja fshehtas e ambasadorit bullgar në Shkup, Risto Nikovski, në Kukës dhe në fshatra të Gorës, për të zbuluar “talebanët” e Shqipërisë; falsifikimet dhe lufta e frikës me veteranë të rremë dhe me brigata false të UÇK-së, që paskan qenë në Cahan të Hasit, manipulatorët që blinin uniforma UÇK-je në Kukës dhe bënin foto në verandat e vilave të tyre, si “luftëtarë” të ushtrisë heroike çlirimtare ( por “askush nuk e bën dot strehë e çerdhe të tij UÇK-në”) e që shkruajnë “kujtime” false të “trimërive” të tyre, pa qenë asnjë ditë në luftë, prej manipulatorësh e “herojsh” të rremë, etj., etj.
“Ku ishe ti, “shqiptar”? Pyet kështu krahu i një fëmije trevjeçar që kova e pusit e nxjerr nga thellësia e tij. (Trupi i foshnjes është shpërbërë). Pyet kështu varri i këtij krahu e i copave të tjera të këtij trupi njomëzak…Ku ishe ti,“hero”? – pyet gruaja burrin që e la atë me tufën e fëmijëve në shtëpi dhe vetë sikur doli “në mal”…Erdhën serbët, therën fëmijët dhe atë e përdhunuan…Burri nuk u gjend pranë për ta shpëtuar apo për të marrë të paktën hak…Se një pjesë e burrave u ndodhën në Perëndim për punë, një pjesë doli në mal, në radhët e UÇK-së…Ku ishe, bir?,- pyet plaku, që s’deshi e as mundi të vraponte për të ikur, po u vra në derën e kullës së tij, duke bërë qëndresë, për të paguar veten…A mos ike, bir, për të shpëtuar lëkurën tënde? Ku ishe, vëlla?,- pyet motra e përdhunuar nga ushtarët e çetnikët, motra e vrarë, trupi i bukur i së cilës është kalbur në breg të Drinit të Bardhë? Ku ishit ju, prizrenalinj, kur u dogj Tususi? Ku ishit ju, prishtanalij, kur digjej Qyqavica? Apo kur kalleshin në flakë fshatrat e Drenicës? Ku ishe ti. “fatosh?”. Ku ishe ti, Adam?, Ku ishe ti,“kreshnik”? Ku ishit ju, të gjallët?- , thërrasin të vdekurit, të rënët…”
Kështu, Shahu kap ritmin e historisë, përmes ngjarjes së madhe dhe fazës së veprimit, duke e interpretuar atë, duke artikuluar emocionet që janë të lidhura me të dhe duke përdorur një lloj strukture verbale për ta veçuar dhe drejtuar në kahun e vet, rrjedhën e pasqyrimit të historisë relevante (thelbësore e të rëndësishme).
Kalojnë para nesh (përmes kwsaj publicistike reportazhesh të një emotiviteti të thekshëm të detajeve prekëse), portrete njerëzish fisnikë si, Valdet Ziba, nga Suhareka, që vjen çdo vit në Tiranë për homazhe në varrin e e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, vrarë në Shqipëri, Ahmet Krasniqi; Arafat Abazaj, biznesmen në Prizren që i bën dhuratë vendit, ku qe refugjat lufte, ndërtimin e shkollës së re fillore, të kopshtit dhe ambulancës së re, në Bardhoc të Kukësit; Avdulla Tafili që nuk jargavitet pas lavdisë së UÇK-së, si luftëtar i shquar i saj që di e mundet t’i përgjigjet pyetjes: Ku ishe ti, kur i duheshe Atdheut? – Në luftë, për lirinë e Kosovës! Ahmet Asllanaj nga Gjinoci i Suharekës që blinte armë në Morinë dhe Bicaj dhe nuk ua jepte pagesën në marka tregtarëve të armëve, pa iu marrë firmat atyre. Dhe episodi i trishtë që rrëfen se si në shkollën “Migjeni” në Gjinovc, që serbët e shkatërruan, duke harruar foton e Rugovës në mur, ndërkohë që shqiptarët pas luftimit, vodhën çka kishin lënë pa shkatërruar serbët dhe hodhën foton e Rugovës në plehëra. Bedri Koleci, nga Kishaj, që varrosi në arën e vet ushtaren e panjohur të UÇK-së.
Bujar Muçmata, oficeri i Shqipërisë që stërviti ushtarë të UÇK-së në Kalimash të Kukësit; 20 të vrarët e familjes Jashari dhe daja Osman Geci që luftoi e u vra për mbesat e nipat e vet. Ilir Konushevski, luftëtari që pyeti se si është e mundur që armët, (pushkët, granatat) blihen me nga 3 dollarë në Shqipëri dhe shiten me nga 6 dollarë për copë në Kosovë. Dhe që trafikantët e armëve e vranë në maj të vitit 1998. Shkëlzen Kurpali i Hasit që çminoi vetë në oborrin dhe kopshtet e tij, 220 mina serbe, etj. Dhe, së fundi, intervista e fuqishme e autorit dhënë në ATV të Kosovës: “Shqiptarët e Kosovës janë lokomotiva e Shqipërisë!” dhe emocioni i tij i madh kur lexoi për herë të parë tekstin e betimit të UÇK-së në mikrofonin e Radio Kukësit dhe të Radio Tiranës.
E gjithë kjo vepër e shquar e publicistikës sonë të sotme, në një pamje tjetër, lartëson me një entusiazëm ngazëllor, herojtë e thjeshtë popullorë të qëndresës, rezistencës e të vrullit në flakët e betejave, (“Në Prekaz u thye ushtria serbe me armatim të rëndë, mars, 1998, dhe neve filloi të na drejtohej kurrizi nga pesha e harrimit, e tjetërsimit, e kotësisë, nga pesha e fitoreve hiperbolike në telat e çiftelisë e sharkisë”), në sfond të demaskimit e diskreditimit, (me një guxim të epërm, edhe pse kërcënohej me jetë), të demagogëve, falsifikatorëve, spiunëve e renegatëve edhe në Shqipëri, të paguar prej Serbisë.
Lufta e UÇK-së për Kosovën dhe “lufta” e Rexhep Shahut për Kosovën, (këtij “ushtari” dhe “luftëtari” të UÇK-së në “llogoren” e tij të mikrofonit radiofonik), bashkohen në një pikë: në vërtetësinë heroike të kësaj lufte dhe në pasqyrimin e kësaj të vërtete. Autori lufton për Kosovën me të vërtetën e tij të pastër, të kthjellët, pa bizhdilet e spekulimeve, mashtrimeve, përgojimeve rreth saj, që janë po aq të turpshme sa dhe cilësimet e armikut për të si “ organizatë terroriste”, kur UÇK-ja ishte fuqia e humanizmit, (kurrë nuk bëri masakër mbi popullsinë civile serbe), ndërsa terroristët ishin paramilitarët dhe ushtria serbe, me tanket e topat e tyre obuzë që bombardonin mbi gratë dhe fëmijët në shtëpinë e vet. “UÇK nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt, – shprehet autori,- nuk guxon askush t’i dalë kundër, përballë, ta sulmojë, ta fyejë, ta poshtërojë…”
Sepse Shahu e pa UÇK-në drejtpërdrejt me sytë e vet, me dashurinë, dhembjen e besimin e vet, në fuqinë e saj, në plagët e saj, në madhështinë e saj humane, në lavdinë e saj popullore e kombëtare, si shpresë, si guxim, si përballje me mizorinë e çnjerëzoren…
UÇK-në që faktorizoi çështjen dhe luftën e Kosovës, (ku morën pjesë 30 shtete, nga njëra anë NATO, Shqipëria dhe në anën tjetër, Serbia, me tensionin mes superfuqive, Amerikës dhe Kinës e Rusisë), në arenën ndërkombëtare, që e ktheu atë në ngjarjen më dramatike të planetit të fundshekullit XX, (“luftë që ndriçoi mbi ndryshimet e botës, tek futi për herë të parë, në shkakun e një lufte, humanizmin”, siç shkruante gazetari amerikan, Tomas Friedman, më 10 korrik, 1999, në “Nju Jork Tajms”, në artikullin e tij, “A ishte Kosova, Lufta e Tretë Botërore?”), duke detyruar fuqitë e mëdha të politikës së sotme, të kthejnë sytë nga fati i saj dhe të kujtohen për padrejtësitë e tyre shekullore ndaj një kombi…
***
“Lufta ime për Kosovën”, (një vepër referenciale, për cilindo që do t’i drejtohet kësaj ngjarjeje epokale të historisë së re kombëtare e që mund të çmohet dhe si një vepër jetësore e autorit, e reflektimeve për argumentin, për rreth 20 vjet, si “një kujtesë e dinjitet, për të mos na shëmtuar harrimi” -siç shprehet ai në qëllimin e saj dhe që sjell në vëmendje dhe devizën e çmuar të Klinton-it, presidentit të SHBA të kohës e çlirimtarit të madh të shqiptarëve: “Ne bëmë luftën, -me të keqen, ju bëni paqen, -me njëri-tjetrin”), projektohet si poetikë e fuqi e faktit, si një epikë e re historike dokumentare veprimtarësh, protagonistësh, luftëtarësh të një kohe dramatike dhe ekzistenciale për fatet shqiptare dhe përpjekjesh vetmohuese “deri kur të lidhen damarët e Atdheut”.
Ku kuptimi i lartë është rrjedha që bashkon lumin e gjuhës me lumin e kuptimit të shfaqur. Si e tillë, dëshmuese e dorës së parë, narrativë fakt-ionale, e shkruar prej një reporteri lufte të vijës së parë, ku bëhet në një, poeti i një ajthi të epërm, me luftëtarin fisnik të së vërtetës, ajo krijon një emocion të thellë dhe madhështim shpirtërimi, si të një letërsie epopeje…