Nga Nexhmedin Spahiu/
Gazeta më e madhe amerikane “New York Times” botoi artikullin e agjencisë më të madhe në botë “Reuters” me titull: “Kosova, imazh i Perëndimit të egër për investitorët” (http://www.nytimes.com/reuters/2012/12/31/world/europe/31reuters-kosovo-investment.html?smid=fb-share). Artikulli bën fjalë për atë që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka tërhequr në mënyrë të paligjshme 4 nga 5 licencat sa i kishte dhënë kompanisë britanike “Fox Marble” për industrinë e gurit në Kosovë.
Artikulli linte mëdyshjen nëse kjo ka të bëjë me korrupsionin në Kosovë, të cilin e trajton edhe me raste të tjera (tenderi me pasaportat biometrike) apo me prapavijë politike.
Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, citohet të ketë deklaruar se është shumë i shqetësuar për këtë dhe se shefi i tij, ministri i Jashtëm britanik, William Hague, e ka ngritur këtë çështje në nivelet më të larta të Kosovës.
Artikulli trajton joseriozitetin kulmor të kryetarit të Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale, Ahmet Tmava, i cili i përgjigjet “Reutersit”, se obligimin ligjor që ky komision e ka pasur që ta njoftojë me shkrim kompaninë e licencuar e ka kryer, duke e njoftuar atë gojarisht.Deri më tani çdo veprim korruptiv që ka larguar investitorë nga Kosova, është arsyetuar me kinse politikën që Kosova e ka për ta rezervuar tregun e saj për shtetet aleate që e çliruan Kosovën.
Skandali me rumunët
Kur, p.sh., një kompanie rumune i janë plaçkitur mjetet e punës nga partnerët kosovarë dhe kësisoj i është djegur investimi i saj milionësh, mosreagimi i institucioneve të Kosovës është arsyetuar me atë se Rumania nuk po e njeh Republikën e Kosovës, dhe punë e madhe që digjen investitorët rumunë!
Skandali me sllovakët
Edhe kur Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës i nxjerr telashe banale shefit të Zyrës Diplomatike Sllovake në Kosovë (de facto ambasadorit sllovak në Kosovë) edhe ky veprim skandaloz arsyetohet me atë se Sllovakia nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, dhe kush po ua var sllovakëve!Në vend që prezenca në Kosovë e misioneve diplomatike të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën të shfrytëzohet për afrim me këto vende dhe lobim për njohje edhe nga këto vende, veprohet në mënyrë të kundërt, veprohet në stilin e diplomacisë, Zullu, sipas tregimit të Faik Konicës.
Skandali me britanikët
Skandali i fundit i përket një fushe krejtësisht tjetër. Tani loja e fëlliqur korruptive apo politika abuzive bëhet ndaj një kompanie të një prej vendeve më meritore për çlirimin e Kosovës, Britanisë së Madhe, sa detyron edhe sekretarin (ministrin) e saj të Jashtëm William Hague të shprehë shqetësim. Shtrohet pyetja: Ku po e çon mushka lidershipin e Kosovës?. Kjo shprehje përdoret nga populli i Tiranës, për dikë që nuk e di se kah është duke shkuar, por i vihet pas tekeve të tij jo të arsyeshme.
Shqelmim aleatit të madh në momentin vendimtar
Skandali i fundit është gjëja që më së paku i duhet Kosovës në momentin kur Kosova është në fazën finale të bisedimeve me Serbinë. Në fakt, bisedimet për veriun e Kosovës nuk janë asgjë tjetër, pos pazar se deri në çmasë Kosova, formalisht e pavarur, do të jetë realisht e varur nga Serbia.
Atëherë kur Kosovës i duhet t’i koncentrojë të gjitha energjitë që këtë pazar të kalojë sa më mirë e sa më lehtë, kur i duhet që edhe dreqin edhe të birin ta bëjë aleat për të nxjerrë një pazar sa më të favorshëm, Kosova shqelmon vendin, kryeqyteti i së cilit, Londra, është epiqendra e të gjitha pazareve politike në botë.
Tri kryeqytetet e botës: Stambolli, Parisi dhe Londra
Jo më kot thuhet se bota ka 3 kryeqytete: Stambollin që është pazari më i madh në botë i gjësendeve (veshmbathjeve, ushqimeve etj), Parisin që është pazari më i madh në botë i vlerave artistike, dhe Londrën, ku bëhet pazari kryesor: ai politik, ku vendoset për fatet e kombeve. Dhe lidershipi i Kosovës shqelmon hiç më pak se në Londër, dhe e bën Kosovën objekt të trajtimit negativ të agjencisë më të madhe në botë dhe gazetës më të madhe në Amerikë dhe shumë gazetave tjera në botë.
Varri për investitorët, tragjedi për Kosovën
Shkrimi i lartcekur me të drejtë citon Christopher Gilbert-in, drejtuesin e kompanisë britanike “Fox Marble”, tek thotë se kjo punë është një varr për kompaninë e tij, por një tragjedi për Kosovën.
Fati i “Trepçës”
Duhet pasur parasysh që Kombinati “Trepça” nuk është privatizuar deri më tani pikërisht ngaqë ende nuk ka përfunduar çështja e veriut. Britanikët janë ata që e kanë nisur “Trepçën” në kohën mes dy luftërave botërore dhe interesimi i tyre për të vazhdon të jetë i lartë edhe sot. Tani kur po vendoset fati i “Trepçës”, veriut të Kosovës dhe më ketë i gjithë Kosovës, të shqelmosh britanikët për çfarëdo arsye: korruptive, budallallëku apo çfarëdo tjetër është një vetëvrasje ekonomike e politike.
Epilogu i korrupsionit apo budallallëkut
Epilogu i këtij veprimi mund të jetë që kompania britanike ta padisë Komisionin e Pavarur për Miniera e Minerale, dhe t’ia marre nja 20-30 milionë euro. Apo mos ndokush shpreson se ky Komision ka juristë të aftë që ta fitojnë gjyqin kundër kompanisë britanike?! Por, për këtë si duket nuk mërzitet Ahmet Tmava, ngaqë ky ndëshkim paguhet jo nga xhepi i tij, por nga xhepi i taksapaguesve të Kosovës.
20-30 milionë euro ndëshkim mund të jetë fatura më e vogël për Kosovën, për faktin që Ahmet Tmava e mentorët e tij “i kanë hipur mushkës”. Dëmi për imazhin e Kosovës si Perëndim i egër për investitorët është katastrofik, ndërsa imazhi për Kosovën që shqelmon aleatët më të mëdhenj të saj është vetëvrasës.