Bajram Mjeku
Nga të gjitha kafshët, janë kuajt që i dua më së shumti. Ata nuk shquhen vetëm për fuqinë, por edhe për instiktin e zgjuar dhe bukurinë që kanë.Kjo kafshë fisnike që shquhet edhe për elegancë, vazhdon të lë gjurmë të fuqishme në të gjitha fushat e artit; në letërsi, pikturë, skulpturë, filma artistikë…Jam me fat që fëmijërinë e kam kaluar midis tyre. Familja ime, të vetmen pasuri që mbërrijti të shpëtonte nga konfiskimi i madh i regjimit komunist në vitin 1947 ishin kuajt, por asnjëherë nuk ka mundur të shpjegonte, si vërtet ndodhi kjo?Tufa e kuajve të racës gjakthjeshtë anglez, mbijetoi deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë dhe rrëfimin për përgjakjen tyre, e kam dëgjuar disa herë nga nëna ime e ndjerë. Përsëriste sa e sa herë për plagosjen e kuajve nga lukunia e ujqëve një ditë vjeshte, kur lugina e vendlindjes time jo rrallë mbulohet me mjegull… Janë ujqërit që duan mjegull dhe ditën fatkeqe, lukunia e tyre kishte bërë kërdinë. Rrëfimi i nënës për kuajt e përgjakur ishte dramatik. Fliste me ndjeshmëri për plagosjen e tyre nga ujqërit dhe për hingëllimat trishtuese, kur ata kishin mbërrijtur të plagosur para portës së madhe të oborrit të shtëpisë…Në Kosovë, kuajt pothuajse janë specie në zhdukje. Ndodh kështu, mbasi kjo kafshë fisnike si edhe shumë tjera, nuk janë nën përkujdesje të shtetit. Në shtetet normale, ushtritë dhe policitë kanë kavaleritë dhe parakalimet e tyre mbresëlënëse, ndodhin edhe sot në sheshet kryesore të kryeqyteteve të Evropës. Ende i dua kuajt dhe për aq sa zvogëlohen në numër, dashuria ndaj tyre më shtohet më shumë!