Flamuri amerikan u valvit sot në ambasadën e SHBA në Havanë për herë të parë që nga viti 1961, pas një ndërprerjeje në marrëdhëniet diplomatike që zgjati më shumë se pesë dekada. Sekretari amerikan i Shtetit ishte sot i pranishëm në ceremoninë e ngritjes së flamurit, që shënoi rihapjen ceremoniale të ambasadës, si pjesë e një riangazhimi më të gjerë mes dy vendeve. Flamuri amerikan u ngrit nga marinsat nën tingujt e himnit kombëtar të SHBA. Para kësaj, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry mbajti fjalën e përshëndetjes, ku bëri thirrje për hapjen politike të Kubës që qeveriset nga komunistët. “Ne jemi të bindur se do të ishte në interes të popullit të Kubës një demokraci e vërtetë, ku njerëzit të jenë të lirë të zgjedhin udhëheqësit e tyre, të shprehin idetë e tyre dhe të praktikojnë besimin e tyre,” tha zoti Kerry. Por ai tha se politikat amerikane në të kaluarën nuk çuan në demokraci dhe shtoi se e ardhmja e Kubës u takon kubanëve ta ndërtojnë. Zoti Kerry foli edhe në spanjisht, duke thënë se hapja diplomatike do të jetë diçka e mirë si për popullin kuban ashtu edhe për atë amerikan. Ai tha se nuk ka arsye për të patur frikë nga kjo. Ngjarja e sotme në Havanë shënoi rihapjen ceremoniale të ambasadës, si pjesë e një riangazhimi më të gjerë mes dy vendeve. Ambasada e SHBA dhe ajo e Kubës u rihapën më 20 korrik të këtij viti. Muajin e kaluar, qeveria kubane organizoi një ceremoni të madhe për rihapjen e ambasadës së saj në Uashington, ndërsa SHBA vendosën ta shtyjnë ceremoninë e tyre në pritje të vizitës së zotit Kerry në Havanë. Sekretari Kerry u bë sekretari i parë amerikan i shtetit që viziton Kubën në 70 vjet. Ai shoqërohej nga disa anëtarë të Kongresit dhe tre ish marinsa amerikanë të moshuar, të cilët në janar të vitit 1961 ulën flamurin për herë të fundit në Havanë. Megjithatë disa çështje nga gjysmë shekulli armiqësie midis SHBA dhe Kubës ende kanë mbetur pa u zgjidhur. “Ne besojnë se gjërat nuk po shkojnë si duhet në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që është vendimtare për nxitjen e demokracisë gjatë këtij procesi politik,” thotë disidenti kuban Antonio Rodiles. Para nisjes për në Kubë, zoti Kerry komentoi në rrjetin Telemundo lidhur me pritshmëritë për të ardhmen. “Shpresojmë se vetë qeveria e Kubës do të marrë vendime që do të fillojnë të ndryshojnë gjërat, pra nuk mund të bëhet krahasimi i një muaji e gjysmë që kur kemi përfunduar marrëveshjen me 54 vite.” Në muajin prill, Presidenti Barak Obama tha se bisedimet historike me homologun e tij kuban Raul Kastro mund të shërbenin si pikë kthese që të dy vendet të punonin në drejtim të rivendosjes së lidhjeve diplomatike. Takimi shënoi herën e parë pas shumë dekadash që udhëheqësit e dy vendeve zhvillonin bisedime të drejtpërdrejta. Atëherë, ka patur negociata për të lehtësuar kufizimet e biznesit, të tregtisë dhe të udhëtimit. Megjithatë, kubanët mund të mos shohin ndryshime të menjëhershme në jetën e tyre të përditshme deri në heqjen e embargos shumëvjeçare. Presidenti Obama ka shprehur mbështetje për heqjen e embargos, që iu vu për herë të parë Kubës në vitet 1960, por për këtë duhet miratimi i Kongresit.
Liliana Pere says
Moment historik. Eshte per t’u pershendetur mbare nga e gjithe bota. SHBA eshte dhe mbetet Tempulli i Demokracise, i vendosjes dhe ruajtjes se paqes Globale