

Rafaela Prifti/
Çfarë bie në sy në studimet për “europianizimin” në kontekstin e kujtesës dhe kujtimeve nga vendasit e luftës së Kosovës, dhe si kultivohet identiteti evropian përballë të kaluarës? Profesor Asistenti Abit Hoxha i Departamentit të Studimeve Nordike dhe Medias në Universitetin e Agderit në Norvegji është një zë i respektuar në studimet e ndërtimit të narrativës së luftës. Si studiues me karrierë të gjatë akademike dhe profesionale në temën e ballafaqimit me të kaluarën, ai sapo mbajti ligjëratën Dyjëzimi i Kujtesës së Luftës në Kosovë, në Seminarin e Antropologjisë, Universiteti i Prishtinës.
Para pesë viteve, punimi shkencor dyvjeçar RePast (policy brief)* i tij me bashkautor Kenneth Andresen nga Universiteti Agder, Kristiansand, Norvegji, jepte disa rekomandime për një qasje të koordinuar ndërsektoriale në përballjen me të kaluarën e trazuar.
“Dallimi i kujtesës si memorie dhe mbamendjes si proces qëndron tek fokusi. E para, përfshin literaturën zyrtare dhe jozyrtare, veprat artistike, historitë dhe tjera aspekte, ndërsa mbamendja, është si të thuash, e bazuar më shumë në historitë gojore, që tregojnë dëshmitarët apo ata që kanë një lloj përvoje në ngjarjet e kohës, përfshirë rrëfimet nëpër gjenerata përmes gojëdhënave. Si e tillë, mbamendja e bën kujtesën kolektive më të pasur,” vëren studiuesi.
Por mbamendja nuk është njësoj midis gjinive dhe midis brezave, për sa i takon përjetimeve të luftës. Hulumtuesi Abit Hoxha, që është i mbijetuar i luftës në Kosovë dhe ka punuar një kohë të gjatë me familjet e personave të zhdukur, e ka trajtuar këtë temë gjerësisht. “Rezultatet nga fokus grupet tregojnë një tejheroizëm të burrave, paçka që shumë ikën në strehim në male dhe gratë qëndruan në shtëpitë e tyre.”
Kontrasti midis dominimit të heroizmit në rastin e rrëfimit të luftës nga burrat dhe, përuljes dhe vuajtjes, krahazi me etiketimin si viktimë për gjininë femërore, është pjesë e asaj “sesi ju interpretohet të rinjve tregimi për luftën në Kosovë nga familja dhe rrethi. “Shumë respondentë thonë “babai ka kontribuar në luftë duke ikur në mal, ndërsa nëna është viktimë e dhunës serbe sepse qëndroj në shtëpi dhe u keqtrajtua nga forcat serbe.” Ky parafrazim reprezenton çka të rinjtë flasin për përjetimet e prindërve në luftë.”
Si kujtesa e luftës, edhe ballafaqimi me të kaluarën, janë të lidhura me kohën, por të dyja me diferencime gjinore. Ndërsa për burrat narrativi është i kryer, dhe rrëfimet janë “pa rrezik” të paraqitura si kontribute për luftën, për gratë, lufta është e vazhdueshme edhe sot “në rrezikshmërinë që përmbajnë në vetvete historitë e tyre të luftës.” Në rrëfimet e grave, lufta ende vazhdon.
Duke qenë kohorë, pyetemi nëse anëtarësimi i Kosovës në BE nënkupton “memorie historike evropiane që legjitimon dhe kultivon identitetin evropian (Prutsch 2017) dhe nëse kujtesa “me tipare evropiane” e luftës në Kosovë do ta përmbushte shqetësimin kryesor të evropianëve, që është pajtimi. “Siç ceket në studim, shumica e politikave evropiane në fushën e ballafaqimit me të kaluarën nuk i përmbushin pritjet e asnjërës palë, as nga shqiptarët, dhe as nga serbët, pikërisht, për shkak se janë gjithëpërfshirëse.
Kjo ndodh ngaqë politikat evropiane kanë pasë për qëllim më shumë “zgjidhjen e problemit” të konfliktit se sa pajtimin dhe zgjedhjen afatgjatë,” thotë kërkuesi shkencor Hoxha. Ballafaqimi me të kaluarën nuk qëndron kurrë statik, por, studiuesi vëren se sa më shumë kohë kalon, aq më i madh bëhet hendeku dhe pajtimi më i pamundshëm.
Për sa i takon ardhmërisë, pavarësisht një doze idealizmi, subjektet e sondazhit në Kosovë janë realistë dhe praktikë në: pritshmëritë ekonomike të anëtarësimit në BE për Kosovën dhe lehtësirat personale, si pajisja me viza për ata vetë. Megjithatë, pjesëmarrësit në grupet e fokusit janë të kthjelltë në pamundësinë e Evropës për të qenë e suksesshme në gjurmët, që ka lënë e kaluara në Kosovë, konkretisht, lufta. Studiuesi qartëson se “popullata në Ballkan, posaçërisht në Kosovë, nuhat shumë mirë mundësitë e BE për të ndihmuar apo imponuar diçka. Qëndrimi i paarsyeshëm i BE ndaj Kosovës për çështjen e vizave deri në vitin 2024, prodhoj një pakënaqësi, që reflekton edhe në aspektet e marrëdhënieve me BE, siç shihet nga respondentët tek perceptimi i dialogut të Qeverisë së Kosovës me Serbinë.”
Duke kthyer sytë nga mësimi i historisë, studiuesi Hoxha thotë se tipari më i dallueshëm është paqëndrueshmëria. “Për një kohë të gjatë, karakteristika dalluese është narracioni i paqëndrueshëm për luftën në Kosovë. Kjo ka ardhur si pasojë e mosinvestimit dhe apatisë së institucioneve të historisë dhe autorëve, siç ishte rasti i të ftuarve nga Prokuroria e Përgjithshme e Dhomave të Specializuara, që punuan pa kritere akademike apo shkencore. Pasoja më flagrante është demonizimi i lëvizjes çlirimtare. Sa i takon librave të historisë dhe shkollore në Kosovë, ato janë të cilësisë së dobët, siç është evidentuar në raportin tim me bashkautore Dr. Anna Di Lellio. Në përgjithësi, botimet keqprezantojnë periudha të historisë sidomos nga Lufta e Dytë Botërore e këtej. Disa nisma në Kosovë bëjnë një punë të madhe, por edhe ato kanë për qëllim agjendat politike dhe joshkencore,” vëren doktoranti për mediat në konflikt në LMU të Mynih-ut, Gjermani, Abit Hoxha.
Kujtesa, në ndërtimin e së kaluarës, ndonëse një fjalë e vetme, është një sistem i ndërvarur dhe i ndërlikuar, ku imponimet shihen “që në oborr” dhe, ku, qasjet e qarta shkencore janë vetëm fillimi.
*Punimi (2019-2021) i titulluar RePast është pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të platformës Horizon 2020. Pjesa e studimit në Kosovë u realizua me pjesëmarrjen e 6 grupeve të fokusit me 51 individë, burra dhe gra, të etniteteve kryesore në Kosovë, me 20 intervista cilësore të fokusuara, ndërsa një studim i gjerë u zhvillua në Greqi, Qipro, Bosnjë Hercegovinë, Spanjë, Gjermani, Poloni dhe Irlandë. Një listë më e plotë të raporteve të projektit gjendet në vegëzën https://cordis.europa.eu/project/id/769252/results