Qemal Agaj – Fragment nga libri në proces për Gjon Milin.
‘’Gjon Mili nuk kënaqet thjeshtë të fotografoj njerës të shquar, ai e bën çdo imazh një provë, një eksperiment… Nëqoftëse Mili të bën pjesë të koleksionit të tij ai ju ka vëzhguar, do t’ju njoh plotësisht.’’
Jean – Paul Sartre ( Nga prezantimi i ekspozitës së Mili, Paris, 1946.)
Në introduksionin e librit, ‘’GREAT ARTISTS’’ me autor Robert Kuming botuar në Londër, 1998, shkruhet:
‘’Lloji i personalitetit që lulëzon te një artist në çdo kohë, është produkt i shumë faktorëve të ndryshëm. Duhet të ketë aftësi, vendosmëri dhe frymëzim; Por këto aftësi esenciale nuk janë mjaftueshëm në vetëvete. Është një e vërtetë e thjeshtë që shumë artistë reflektojnë kohën e tyre dhe jo më shumë, ndërsa një artist i shquar ka aftësinë të kap imagjinatën e gjeneratës së ardhme dhe të thotë diçka që u intereson atyre.
…Përjetshmëria dhe universaliteti i punës së një artisti të shquar egziston sepse, ai ose ajo, ka diçka të veçantë për të thënë dhe sepse për këta artistë, krijimtaria nuk është një fund në vetëvete, por një qëllim të arrij një të vërtetë fondamentale njerëzore.’’
Gjatë karierës së tij si fotograf, Mili provoi, se ishin aftësitë e tij të rralla teknike, kombinimi i vëzhgimit me fantazinë, bindja e thellë personale dhe një vizion i qartë, që e shtyn atë të thotë diçka më tepër, të impresionoj dhe kënaq jo vetëm një audiencë specifike, por edhe më gjerë. I magjepsur nga drita dhe lëvizja, Mili zhvilloi teknika fotografimi të ndryshme – Stop motion photography, stroboscopic phottography dhe light painting photography , realizuar kjo e fundit në mënyrën më të përsosur në vizatimet me dritë të Picasso-s.
Do të ishte e limitizuar të thuhej vetëm se Gjon Mili ishte fotografi më me influencë në fotografimin me këto teknika. Janë këto, gama e gjerë e subjekteve, që e radhiti atë në fotografët më të shquar të shekullit të kaluar.
Nga sportet, te baleti, nga muzikantët e Xhazit si duke Ellington , Billie Holiday,…te artistët më të shquar të muzikës klasike, Pablo Casals, Igor Stravinsky,…Nga vizatimet me dritë të Picasso-s, te skulpturat e Picasso-s, nga kërcimi popullor Lindy Hop, te baleti klasik, nga këngëtarët e muzikës së lehtë, Edith Piaf, Frank Sinatra, Tina Turner,…te këngëtarët e operas, Lizia Albanese, Maria Calas, nga dramaturgët e shquar, Sean O’Casey, Eugene Ionesco, Artur Miller, te aktorët e shquar të teatrit, Paul Robenson, Helene Weigel,…dhe aktorët më të shquar të kinematografisë, Sophia Loren, Juliet Greco, Silvana Mangano,…Nga fotografimet e filmave të Hollywwod-it, si – Exodus, në Israel, 1958, me aktor Paul Newman, – Lady L., 1965 në Nice me Sophia Loren, Paul Newman, – Night of the Iguana, në 1964 Meksikë, me aktor, Elisabeth Taylor dhe Richard Barton, te koncerti i Casals në Athinë,1966.
Nga politikanët e pasluftës, Presidentin Truman, Kryeministrin David Ben Gurion – arkitektin e krijimit të shtetit të Israelit,…në 1961, i autorizuar nga qeveria Isralite, ishte i vetmi fotograf që fotografoi në burg kriminelin e luftës, Adolf Eichman.
Në 1974 fotografon skandalin Watergate.
Dhe nga më tërheqëset, pasioni i tij për artin e Rilindjes dhe arkitekturën, që e çuan atë të fotografoj skulpturat e Michelangelo-s në Firence, në 1959 dhe një nga katedralet më të shquara në historinë e arkitekturës mesjetare, Chartres Cathedral, në Francë, 1961. Fotografitë e sjella nga Firence, bën që gjatë viteve 1963-1966, të angazhohet nga LIFE të fotografoj civilizimet Greko – Romake, ku ishte dhe bashkëautor në hartimin e teksteve që shoqëruan imazhet.
1923 – E m i g r i m i n ë A m e r i k ë.
Mbasi mbaroi shkollën e mesme në kolegjin më me emër në Bukuresht – Gheorghe Lazar National College, sponsorizuar nga dajua i tij Koço Çekani, në 1923, në moshën 19 vjeçare emigroi në Amerikë dhe filloi studimet në M.I.T. ( Massachusetts Institute of Technilogy), Boston, në degën e inxhinierisë elektrike.
‘’Jo shumë kohë pas arritjes në Amerikë,në kërkim të karierës në inxhinieri,’’ kujton Mili, ‘’u prita ngrohtë nga Faik Konica, një bashkëatdhetar i moshuar. Një shkrimtar i shquar, humanist i suksesshëm dhe intelektual i mprehtë. Konica u përpoq të zgjeroj interesimin tim në artet, sidomos në kinematografi, të cilën ai e pëlqenta dhe e konsideronte të ishte një formë arti të veçantë. Ai tërhoqi vëmendjen time me një artikull nga G.K.Chesterton në gazetën , London Illustrated News, duke lavdëruar vlerat e filmit… Idetë e Chesterton hapën sytë e mi. Tashmë kisha filluar të merresha me fotografi. Unë shtova optikën dhe ndriçimin në Inxhinierinë Elektrike.’’
Pasioni i Milit për artet vizuale nuk ishte e vështirë të zbulohej nga Konica, ai vetë një njohës dhe admirues arti. Por brenda tij nuk fshihej vetëm pasioni për Artet Vizuale. Ishte akoma student kur për herë të parë dëgjoi të inçizuar një koncert të violinçelistit të shquar spanjoll, Pablo Kazals (Casals). Aq shumë u mahnit nga interpretimi i tij, sa Mili kujton, ‘’Unë u mbërtheva në inçizimet e tij dhe i dëgjoja ato për orë të tëra. Preva fotografinë nga gazeta dhe e mbërtheva në mur – unë e kam atë akoma. Për mua ai është një mrekullli.’’ (Life, 11 Nëntor, 1966.) Në këtë botim editori i Life, Xhorxh Hant (George Hunt), shkruan: ‘’ Shumë njerëz, në shumë vende janë paraqitur përpara kameras së Gjon Milit, por asnjë nuk ka lën përshtypje kaq të thellë në jetën e tij sa violinçelisti i shquarsa Pablo Casals.’’
Kjo u bë nxitje për Milin,, të abandonoj oboe-n dhe të ushtrohet në piano.
Pas mbarimit të studimeve në 1928, filloi punë në ‘’Westinghouse Electric and Manufacturing Co.’’ Gjatë asaj kohe shkroi shumë artikuj teknik mbi kërkimet e tij në projeksionin e dritës, optikës dhe fotografinë. Zhvilloi llampën me dopio filament, më e ndritshmia llampë atëherë në përdorim. Në vazhdim të kërkimeve zhvilloi teknikën e ndriçimit përdorur gjerësisht në fotografinë me ngjyra me intensitet të lartë ndriçimidhe me fotoflash lamp.
Takimi me bashkëkohësin e tij student në M.I.T.. Profesor Harold Exherton ( Edgerton),- shpikësin e dritës stroboskopike, në një simpozium për ndriçimin në fotografi në vitin 1937, ndërroi kursin e jetës së tij, bëri më të qarta ëndrrat e Milit. Ky takim është përshkruar nga Mili në librin e tij Photographs & Recollections, si më poshtë:
‘’Gjatë Marsit të vitit 1937, Prof. Exherton dhe unë ishim folës në një simpozium për ndriçimin në fotografi në M.I.T. Unë fola për burimet e dritës artificiale atëherë në përdorim dhe prof. Exherton diskutoi zhvillimin e tij të ri të ’electronic flash’ me një kohëzgjatje shumë të shkurtër, 1/100.000 të sekondës. Fotot më tronditën . Për herë të parë kuptova që koha mund të bëhej të ndalonte, tekstura mund të ruhej me gjithë lëvizjet e furishme të papritura…
Kur mbaroi takimi u kthyem në zyrën e Prof. Exherton për një bisedë. Ai më pyeti: ‘’Çfarë mund të bëjmë sipas mendimit tënd me këtë burim drite?
Unë shpërtheva :’’Më jepni dhjetë herë më shumë dritë dhe unë do të largohem nga Westinghouse!’’
‘’Është kurioze të mendosh,’’ vazhdon Mili, ‘’si kjo bisedë e paplanifikuar në zyrën e Exherton ndërroi drejtimin tim.’’
Pasi siguroi dritat elektronike brenda disa javësh nga Prof. Exherton, me gjithë vështirësitë e para, filloi eksperimentet në një kishë të abandonuar në New Jersey. Për një gjë ishte i sigurt kur thotë: ‘’Unë vazhdova të bind veten, se për një kohë do të isha në gjendje të përdorja këtë dritë mjaftë të sofistikuar, një burim drite magjike.’’
Pas gjashtë muajsh eksperimentesh me paisjet e reja , me një numër fotografish u paraqit në LIFE, në atë kohë revista më e lexuar ndonjëherë.
Fotografitë e kampionit të tenisit, Bobi Rigs botuar në LIFE, 5 Shtator, 1938, shënojnë angazhimin e parë të Milit si fotograf. Kështu filloi kariera e tij e shkëlqyer 40 vjeçare si fotograf pa kontratë (freelance) në LIFE, që vazhdoi deri në fund të jetës së tij, 14 Shkurt, 1984.
Në periudhën e parë të kriimtarisë së tij ishte më shumë i vizituar se vizitor. Studioja e tij, ‘’Kjo guvë e ditëve të mira të artit të tij ‘’, si e quante Mili dhe ‘’Athina e NewYork-ut’’, si e quante fotografi dhe shoku i tij, Henri Kartier- Bresson, u bë qendër fotografimi për sportistë, kërcimtarë, dhe mbrëmje gazmore me muzikantë . Më vonë, pas fotografimit të Konferencës së Paqes në Paris, 1946 – ku hapi dhe një ekspozitë fotografike – angazhimet për LIFE, por shpesh herë për kënaqësinë e vetë atij, e çuan atë në shumë vende të botës. Tashmë Mili u kthye më shumë vizitor se i vizituar. Me një nxitim sikur koha po ndryshonte ritmin, po ikte më shpejt – në Paris, Rivierën Franceze, Londër, Romë, Firence, Venecia, Napoli, Vojvodinë, Athinë, Spanjë, Berlinin Lindor, Izrael, Meksikë, Puerto Riko – dhe si për të mbyllur ciklin e udhëtimeve të tij, në 1971 në Bukuresht pas 48 vjetësh, për të sjell në jetë kujtimet e nënës së tij, të cilën e adhuronte pafundësisht, ku hapi dhe një ekspozitë fotografike.