
Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi lindi më 31 mars 1892 në Ziçisht, në Korçë. Pasi mbaroi shkollën 5-vjeçare në fshatin e tij të lindjes, ai vijoi studimet në shkollën e mesme greke në qytetin e Korçës më 12 qershor 1910. Dokumentet e shkollës tregojnë se ai u vlerësua si “nxënës i shkëlqyeshëm në të gjitha lëndët” dhe fitoi një bursë nga qeveria osmane për të ndjekur shkollën juridike në Selanik, të cilën e ndërpreu më 1912-n, për shkak të fillimit të Luftës I Botërore.
Pasi Shqipëria u shpall e pavarur, më 1912-n deri në vitin 1914 Çekrezi punoi në Vlorë si sekretar Gjykate, pastaj si përkthyes i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit pranë qeverisë së Ismail Qemalit dhe në administratën e Princ Vidit.
Çekrezi emigroi në SHBA kur ishte 23 vjeç. Ai u bë redaktor i gazetës “Dielli” në Boston dhe kryeredaktor i saj nga vitet 1915 – 1919. Gjatë kësaj kohe studioi për histori, ekonomi, administratë publike dhe gjuhë angleze në Universitetin e Harvardit, Boston. Dha leksione për histori në Universitetin Kolumbia, Nju Jork. Sipas Robert Elsie në vitin 1920 Çekrezi erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.
Në vitet 1920-1922 u caktua përfaqësues i Shqipërisë në Uashington. U kthye sërish në Shqipëri, ku punoi si këshilltar në qeveri, ndërsa mori pjesë aktive dhe si organizator në kryengritjen anti-zogiste të Fierit, 1935, e cila u shtyp dhe Kosta u dënua me vdekje në mungesë. Ai shkoi në Francë, “ku u mbajt për ca kohë në kampin e përqendrimit “Vernet de l’Aiege”. Këtu, u njoh me vullnetarët shqiptarë të Luftës së Spanjës, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Hulusi Spahiun, me të cilët nuk pati marrëdhënie të mira, për shkak të ideologjizmit ekstrem marksist të tyre.”
Në gjysmën e dytë të viteve 1940, Çekrezi si shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë jashtë, të djathë a të majtë, u dënua me mërgim të përjetshëm. Ai u la në hije dhe nuk u përfill nga qeveria e Shqipërisë së pas luftës.
Pjesa më e madhe e veprave të tij janë botuar në SHBA (Boston, New York), ku ai jetoi dhe veproi gjatë emigracionit si: “Albania Past and Present” (1919) – një nga librat e parë për Shqipërinë i shkruar nga një shqiptar në anglisht; “Albania and the Balkans (1917)”; “Histori e Shqipërisë” (1921); “Histori e vjetër që nga kohërat e pellazgëve deri në rënien e Perandorisë Romake” (1921) “Histori e re e Europës” (1921); “Historia mesjetare e Europës” (478–1453) (1921). Ai shkroi veprën politike “The Third Plan for Partitioning Albania” (1951). Çekrezi ka shkruar edhe libra shkollorë si; “Letra, shkresa, fjalëtorë” (1917). Ai është autor i njërit prej fjalorëve të parë të hershëm anglisht–shqip “English-Albanian Dictionary” (1923).
Kostandin Anastas “Kosta” Çekrezi u nda nga jeta në Arlington, Virginia, pranë Washingtonit, më 10 janar 1959, në moshën 67-vjeçare.