
Akademia e Shkencave e Shqipërisë kujton me nderim akademikun, gjuhëtarin dhe anëtarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Shaban Demiraj, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta më 30 gusht 2014.
I lindur në Vlorë më 1 janar 1920, ai kreu shkollën e mesme (Medresenë) në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar (1946–1948) e më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954–1955).
Në vitet 1948–1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik e më pas në Universitetin e Tiranës, ku shërbeu deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe, në vitet 1962–1989 ka qenë përgjegjës i Katedrës së Gjuhës Shqipe dhe në vitet 1962–1966 zv.dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të UT-së.
Më vonë, në vitet 1993–1997, drejtoi si kryetar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ai ishte gjithashtu anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972).
Përvoja e tij akademike u shtri në zhvillimin e lëndëve kryesore: morfologji e gjuhës së sotme shqipe, gramatikë historike e shqipes, histori e gjuhës së shkruar shqipe (shek. XVIII–XIX) – për të cilat hartoi edhe tekstet përkatëse – si dhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike.
Veprimtaria e tij botuese përfshin vepra themelore, si monografitë Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe (1972), Gramatikë historike e gjuhës shqipe (1986, botuar edhe gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Austrisë, 1993), Gjuha shqipe dhe historia e saj (1988, botuar edhe italisht nga Universiteti i Kalabrisë, 1997), Gjuhësi ballkanike (Shkup, 1994, ribotuar në Tiranë, 2004), Fonologjia historike e gjuhës shqipe (1996), Prejardhja e Shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe (1999, dhe versioni në anglisht 2006), Eqrem Çabej (1990) dhe Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët (2008).
Akad. Shaban Demiraj ishte redaktor dhe bashkautor në veprën Gramatikë e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia (1976, ribotuar 1995, 2002) etj. Ka botuar një varg artikujsh shkencorë brenda dhe jashtë vendit për çështje të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës, fonetikës historike dhe ballkanologjisë.
Gjithashtu, ka transkriptuar e përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës Kënga e sprasme e Balës (1994) dhe ka përkthyer romanin Martin Iden të Xhek Londonit (1959).
Për kontributin e tij të çmuar shkencor, është vlerësuar me Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe të dytë (dy herë) dhe është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.
See less