QSPA/
Gjergj Basta, është një nga figurat më të njohura të praktikës ushtarake evropiane të fillimit të Rilindjes, nga ku kishte mbetur një emër i panjohur për shkencën dhe lexuesin shqiptar deri kur historiani Dhimitër Pilika, e nxori atë nga arkivat e Pragës dhe e publikoi në Revistën “Ylli” më 1966 në numrin e 7 të saj. I lindur në 1544 në Rocca (provincë e Tarantos), në moshë fare të re ai u bë pjesë e reparteve ushtarake që u ngritën nën pushtimin Osman me emrin ‘’stratiotë’’ që shërbyen në zotërimet venedikase, në shtetet italiane nën ushtritë e perandorisë gjermane në Francë, Flandër, etj.
Në një letër të vitit 1759 himariotët, pas emrit të Pirros e të Skënderbeut, shënonin emrin e Gjergj Bastës. Në vitin 1907 shqiptarët e SHBA në një letër që i drejtonin Konferencës së Hagës, përmendnin krahas figurave të shquara të popullit tonë edhe gjeneralin Gjergj Basta. Më vonë në kohë në 1985 emri i Gjergj Bastës gjendet në zërin e stratiotëve në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, në 1990 në Revistën “Për mbrojtjen e Atdheut’’ dhe në vitin 1996 nga shtëpia botuese e Ushtrisë do të botoheshin dy veprat e Gjergj Bastës “Mjeshtri i përgjithshëm i kampit” dhe “Drejtimi i kalorësisë së lehtë.” Në vitet 2000 ka pasur në shqip edhe botime të tjera rreth emrit dhe veprës së Gjergj Bastës. Ai vdiq në 20 nëntor 1607 (ose 1612 në Belgjikë) dhe u varros në Vjenë.