
Eneida Jaçaj/
Çdo përvojë, ndjenjë, dhimbje, guxim, sakrificë, ndryshon dhe ndërton karakterin e njeriut në kohë. Realiteti i gjithësecilit nga ne, është i ndryshëm, me një perceptim individual i të menduarit, ndjesisë, i ndikuar nga këndvështrimi konceptual, si pasojë e ngjarjeve të ndryshme jetësore, që formojnë përjetime të vogla përballë një botëkuptimi më të gjerë. Çfarë përfitonte njeriu nëse pranon realitetin e tij në rradhë të parë brenda vetes, dhe më pas ta bërtasë me zë të lartë atë që e shqetëson dhe i mban peng ekzistencën e tij? A do të ishte më i çliruar nga “demonët” brenda vetes, që e mbajnë si të lidhur me zinxhir? A do të ndihej më i lirë nëse do ta pranonte veten ashtu siç është, me ato ngjarje e ndodhi që i kanë ndryshuar rrjedhën e të menduarit dhe të përjetuarit? A do të përfitojë apo do të humbë nëse e pranon veten mes asaj që është dhe asaj që do të ëndërronte të ishte? A do të çlirohej nga ankthi duke dialoguar dhe komunikuar me veten e të tjerët, për atë që e shqetëson, duke pranuar se jeta është një shfaqje kalimtare dhe asgjë nuk është e përjetshme? Njeriu shpesh herë gjendet para një dileme; të bëhet ai që është, të jetë ai që ka dhe ajo që njeriu përfaqëson në sytë e të tjerëve. Cila nga këto do ta bënte të ndihej më i lumtur dhe i çliruar?
Janë pikëpyetje që dalin nga dy veprat e mëdha të shkrimtarit psikanalist, me origjinë amerikano-hebre, Irvin D. Yalom, Profesor i Psikiatrisë në Universitetin e Standfordit në SHBA, përkatësisht kryevepra “Kur qau Niçja” dhe vepra “Kura e Shopenhaurit”. Këto dy vepra kanë në qendër të tyre të përbashktën; psikoterapinë moderne që kanë në thelb dialogun-komunikimin, seancat dëgjimore në grup, ku autori i vendos personazhet e tij në situata të ndryshme bashkëbisedimi, të cilat të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe filozofinë e jetës, por është edhe një çlirim i shpirtit nga brengat, etj. Këtë psiko-filozofi e kanë trashëguar më pas psikiatër të rinj, por të modifikuar, siç është Arthur Janov, i cili njihet për Primal Scream Therapy, në vitet 60’-‘70, një lloj psikoterapie që i ndihmon njerëzit të largojnë të gjitha traumat, dhimbjet, mllefet, duke bërtitur; është një formë çlirimi e shpirtit nga të gjitha vuajtjet e jetës, që të çon drejt lirindjes. Kjo metodë terapie mund ta ketë zanafillën shumë më herët, ku sipas një legjende, gratë mblidheshin pranë një pusi dhe bërtisnin me të madhe, zëri i tyre gjemonte si shkrepëtima në qiell të hapur, pasi “pusi” ishte i vetmi vend ku zëri i tyre dëgjohej; në familje dhe në shoqëri, gratë ishin kokëulura dhe skllave të një shoqërie maskiliste, të cilat nuk kishin asnjë lloj të drejte, por vetëm detyra.
Autori, në të dyja veprat në fjalë, në mënyrë të qëllimtë, sjell emra të mëdhenj të mendimit filozofik dhe psikologjik, në të dyja veprat; Arthur Shopenhahuer, filozof gjerman i njohur për filozofinë e tij pesimiste, por që brenda ka doza realizmi; Fridrih Niçe, një nga filozofët më të shquar gjermanë të shekullit të 19-të. Niçe ka përvetësuar vepra të Shopenhauerit, kanë të dy pothuajse një mendim filozofik pesimist, ndoshta edhe si pasojë e doktrinës se si janë rritur apo edhe sëmundjes që Niçe kishte, ku shpesh herë nën ndikimin e saj, qasja e tij për jetën ka arritur majat e absurditetit; ata njihen si filozofët më të vështirë për t’u kuptuar; si dhe psikanalisti i famshëm, Sigmund Frojd, i cili i ka ardhur shpeshherë në ndihmë shoqërisë.
Kryevepra “Kur qau Niçja” është një dramë dashurie, ku filozofi i madh europian, në kulmin e dëshpërimit të tij, kërkon të bëjë vetëvrasje, pasi ishte i paaftë të gjente një kurë të posaçme, që do ta shpëtonte nga dhimbja e refuzimit të dashurisë. Lu Salome, e cila e ndiente veten fajtore, kërkon Zhozef Brojerin, një nga themeluesit e psikoanalizës, që ta shpëtojë nga vetëvrasja. Brojer përdor kurën eksperimentale të dialogut, bashkëbisedimit, e vetmja mënyrë që e bëri të çlirohet nga ajo e keqe e madhe, që e mundonte prej kohësh. Nga ana tjetër, edhe Brojeri kishte të njëjtin shqetësim, nga i cili ishte mbyllur në vetvete dhe nuk pranonte ta fliste me askënd. Kështu, ata përfundojnë pacientë të njëri-tjetrit, dhe shpëtojnë veten e tyre nga e keqja e madhe. Në dialogjet e zhvilluara mes tyre, Niçja ofronte aspektin filozofik, ndërsa Brojeri atë psikanalitik. Pra, sipas kësaj filozofie, njeriu duhet të pranojë realitetin e tij, duhet të pranojë veten ashtu siç është, dhe të flasë me një mik apo mikeshë për atë që e shqetëson, duke e bërë të ndihet i çliruar, i lirë, në botën e tij.
Personazhi tjetër është Filip Sleiti, ish-pacient i Xhuliusit. Ky i fundit nuk arriti dot ta shëronte Filipin, i cili gjeti shpëtim te kura e Shopenhauerit. Të dy kanë nevojë për njëri-tjetrin. Filipit i duhet Xhuliusi për miratimin e hapave të tij si këshillues filozofik, ndërsa Xhuliusit mësimet e Shopenhauerit. Filipi i bashkohet terapisë në grup, por ai e di shumë mirë se anëtarët e grupit kanë nevojë për filozofinë e Shopenhauerit. Në një bashkëbisedim mes Filpit dhe Xhuliusit, Filipi përdor thëninen e Spinozës, “aspekti i përjetësisë”; ai sugjeronte që ngjarje të përditshme shqetësuese, bëhen më pak të tilla nëse shikohen nga aspekti i përjetësisë. Filipi, gjatë jetës së tij, ishte një “Kazanova”, i obsesionuar pas epshit, ndaj femrave të bukura, të cilat i nënshtronte për aq sa i duheshin dhe më pas i flakte tutje. Ai ishte shumë i varur ndaj këtij obsesioni, saqë kishte prishur miqësira.
Por cila ishte kura e Shopenhauer që e shëroi Filipin? Dëshirat kanë një vullnet të jashtëzakonshëm, kur ato bëhen të zjarrta dhe fiksuese, për ta çuar njeriun drejt veseve të këqija. Janë pikërisht këto dëshira me përmasa katastrofike, që e mbajnë të mbërthyer gjithë jetën e njeriut, mendjen, trupin, në humnerën e të pavetëdijshmes dhe alogjikës. Shopenhauer propozon se njeriu që të shpëtojë nga veset e këqija, duhet të heqë komplet dorë nga dëshirat. Pra, sipas filozofit gjerman, është vullneti që shkakton të gjitha vuajtjet në botë kur ne kërkojmë të kënaqim dëshirat tona. Ai u shty nga vullneti për të kërkuar fundin e vetmisë dhe dëshpërimit të tij përmes marrëdhënieve trupore. Kështu, ky formulim i Shopenhauerit pati efekt te Filipi, i cili u shërua plotësisht duke pranuar të izolohet nga shoqëria dhe pikërisht nga obsesioni seksual. Ndoshta nuk do të ishte rruga më e drejtë që njeriu të izolohej nga shoqëria siç bëri Filipi, pasi ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, për të folur e komunikuar, por njeriu mund të përdorë një taktikë tjetër, duke e bindur arsyen se kjo dëshirë nuk do ta çojë në rrugën e duhur, por, përkundrazi, do hapë probleme duke bërë që jeta e njeriut të vërtitet rreth atij vesi të sëmurë, duke humbur kuptimin e saj.
Për mendimin tim, njeriu nuk duhet të heqë dorë nga dëshirat, por duhet t’i kontrollojë ato, nëse bëhen shkak për lindjen e veseve të këqija, që të mbajnë mbërthyer dhe të nxjerrin komplet nga rrjedha e duhur e jetës. Do të mbështesja më së shumti thënien e Sokratit, “Njih veten”, ku njeriu duhet të punojë fort për t’ia njohur vetes ato vese, ato dëshira që e ndrydhin, duke i kaluar në ekspertizën e gjykimit kritik dhe reflektiv, dhe duke i mbajtur nën kontroll. Secili nga ne ka pika të dobëta që bëhen shkak i sjelljes jo të mirë, duke na kufizuar objektivin personal dhe profesional. Pra, filozofia dhe psikologjia, kur ndërveprojnë së bashku, i sjellin shoqërisë zgjidhje afatgjata, të duhura, duke rregulluar sjelljen e njeriut. Edhe dy ekstremet, asnjëherë nuk janë të mira, pasi kthehen në vese. Duhet të gjendet mesi i artë, siç thotë Aristoteli. Një shembull i thjeshtë, nëse ushqehesh pa kufizime dhe pa orare, do të kthehet në një ves që dëmton shëndetin, si rrjedhojë, nuk do të jemi në formën e duhur për t’i shërbyer familjes dhe profesionit. Këto dy vepra gjithsesi janë një thesar për fushën e psikologjisë dhe filozofisë. Secili nga ne mund të nxjerrë mësime të vlefshme dhe të përjetojë dialogun brilant mes bashkëbiseduesve, që të mbërthen aq fort dhe të duket sikur edhe ti bëhesh njësh me ta në biseda.