Ndriçim Kulla/
Rryma humaniste e shekullit XV nuk mund të mungonte së krijuari një të tillë edhe në kulturën shqipe nëse do të kishte vazhduar ndikimin. Ishte sall invazioni turk ai qe veproi si breshëri për vreshtat, i cili duke goditur një nga një të gjitha rrënjët e tyre, jo vetëm i than e i zhvesh, duke i privuar nga prodhimi i atij viti, por edhe i bën të papërdorshme më, derisa të mos mbillen më vreshta të reja.
Gjithë çka ishte kulturë, u zhduk. Heshti organoja e katedrales së Shkodrës nga momenti që gjithë popullësia e saj, deri asokohe latine, emigroi duke u sistemuar e tëra në Venedik; mbetjet e mrekullueshme të monumenteve romane të Durrësit filluan t’u shërbenin si gurrore turkëve dhe ciganëve që nisën të vërshonin aty; lumenjtë, të lënë pas dore në rrjedhën e tyre, nisën të mbulonin me baltë e kallama Apolloninë e ndërtuar sipas stilit grek dhe Butrintin sipas atij roman. Kapitolet e katedraleve, kolegjet, manastiret e famshëm benedetë, bazilianë apo domenikanë u rrënuan gjithandej. Vetëm aty-këtu ndonjë prift i trembur mbeti bashkë me popullësinë, e ndonjë qelëz fretërish françeskanë vulosi në ndërgjegjje trashëgimninë e rrënimit të madh të institucioneve.
Po me të kaluar vrulli i stuhisë turke, u pa të rikthehej tek-tuk ndonjë famulltar e të rigjallërohej ndonjë kishë. Veçse, s’duhet të harrojmë se jemi, në shekullin XVI, kur kishin vdekur dhe të fundit priftërinj të mbetur gjallë, e ata që i kishin zëvendësuar, qenë njerëz të varfër e të paditur, që punonin gjithë ditën për të siguruar jetesën e që mezi arrinin t’i lexonin librat liturgjikë, pa i kuptuar fare.
Ja, në një ambjent të tillë e për t’i ardhur në ndihmë rimëkëmbjes, na shfaqet libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe, me autor një famulltar, Gjon Buzukun, i cili duket ta ketë përgatitur materialin, gati rrëmbimthi, currenti calamo, e ta ketë dhënë për shtyp brenda pak muajve. Po gjithësesi, nëse shohim përmbajtjen e librit, sigurisht të bazuar te liturgjia romane e në këtë pikëpamje një vademecum për një prift që nuk kuptonte latinisht, mund të pohojmë se bëhet fjalë për një vepër të konsiderueshme, për të qenë e para që njihet në lindjen e një literature.
Më tej, mbetet për t’u shpjeguar rallësia e mbijetesës së një vepre të tillë (një kopje e vetme), ku mundet të supozohet se rreptësia e njohur e Romës përballë zëvendësimit në gjuhën kombëtare të liturgjive latine, të ketë arritur deri aty sa ta ndalojë e t’i zhdukë nga qarkullimi kopjet e këtij libri.
Mirëpo nga ana tjetër, mbetet e pashpjegueshme me fakte, ende dhe sot, se si vallë një prift i varfër si Buzuku, apo një komunitet katolik njerëzish të varfër të detyruar të shpërngulen nëpër male, arritën të mendonin realizimin e një ndërmarrje të tillë kaq të kushtueshme, siç ishte asokohe botimi, e t’ia dilnin mbanë pa ndihmën e Selisë së Shenjë. Mund të aludohet edhe se ajo vetë mund ta ketë marrë përsipër iniciativën, ashtu siç do ta shohim shpesh më vonë për vepra të tilla.
Po gjithësesi, edhe nëse citojmë tezën tjerër, sipas së cilës libri u ndalua dhe kopjet e botimit u shkatëruan, përderisa sot në Bibliotekën e Vatikanit ruhet vetëm një kopje, përsëri mbetet i pakontensueshëm jo vetëm fakti se ishte liturgjia romane ajo që i shënoi zanafillën – qoftë edhe në mënyrë jo zyrtare – orvajtjes së parë të përpunimit të gjuhës shqipe, porse ishte ajo që arriti të ushtrojë një ndikim të madh edhe në vazhdim, për lartësimin dhe pasurimin e kësaj gjuhe nga pikëpamja letrare.
“Edhe gjetja e kopjes së vetme të librit, në një gjendje gati të shqyer, në Bibliotekën e Kolegjit të Propagandës, që në vitin 1740”, siç na rrëfen zbuluesi i saj i parë, monsinjor Kazazi, tregon se nxënësit shqiptarë të kolegjeve duhet ta kenë përdorur shpesh e të jenë formuar gjatë me të, përderisa gërmat dhe karakteret e veçanta të botimeve shqiptaro-katolike deri në fundin e shekullit XIX, madje deri më 1909, rrjedhin padyshim nga ato gërma e karaktere që pat sajuar Buzuku.