
Ishte 8 maj 1965, më shumë se një vit pas vrasjes së John F. Kennedy-t, Dwight D. Eisenhower bëri diçka që sot duket thuajse e paimagjinueshme. Ai ishte 74 vjeç, i sëmurë dhe po merrte veten pas infarktit të tretë. Kishte këshilla të qarta mjekësore për të mos udhëtuar. Por, gjithsesi ai vendosi që të shkonte në Boston, në ceremoninë e hedhjes së themeleve të Bibliotekës Kennedy.
Në krah të Jacqueline Kennedy-t, ish-presidenti republikan iu drejtua publikut me disa fjalë që tronditën sallën. Ai foli për guximin e Kennedy-t dhe për përunjësinë e tij. Në një Amerikë ende të përçarë nga politika, Eisenhower foli për karakterin, jo për pushtetin.
“Presidenti Kennedy kishte armën më të fuqishme të çdo fushate politike, kishte Jacqueline Kennedy-n në krah. Por mbi të gjitha, ai kishte një cilësi që unë e admirova thellësisht në bisedat tona të shumta, guximin për të pranuar diçka që nuk e dinte dhe urtësinë për të kërkuar këshilla.”
Momentin e bëri edhe më prekës fakti që Eisenhower zbuloi se kishte ruajtur çdo letër që JFK i kishte shkruar, në një koleksion private që ai e quante “Letrat e një Luani të Ri”. Atë ditë, ai ia dhuroi ato Bibliotekës Kennedy. Ai tha se donte që historia ta dinte se miqësia e tyre kishte qenë e vërtetë dhe se politika nuk i kishte ndarë aty ku kishte më shumë rëndësi.
Jacqueline Kennedy ia shtrëngoi dorën Eisenhower-it dhe pëshpëriti disa fjalë që disa persona pranë saj i dëgjuan: “Ai ju quante Ylli i tij Polar, Gjeneral. Kurrë nuk pushoi së kërkuari udhëzimin tuaj.”
Zëri i Eisenhower-it u drodh kur u përgjigj: “Dhe unë kurrë nuk reshta së besuari tek ai.” Aty ishin dy njerëz nga botë të ndryshme, një Zonjë e Parë e ve dhe një gjeneral republikan në pension. Kjo ngjarje është pasqyrim domethënës i asaj se çfarë politika mund të jetë dhe asaj se çfarë politika nuk është më sot.
Dy njerëz nga kampe të ndryshme politike, por të bashkuar nën misionin sublim për t’i shërbyer vendit. Dy njerëz që besonin se respekti dhe ndjesia e shërbimit ndaj kombit është më e madh se egoja personale. Sot kur politika është një sport sharjesh, përjashtimesh dhe denigrimesh, ky moment na kujton se demokracia mbijeton vetëm kur kundërshtari respektohet. Sepse karakteri vlen më shumë se fitorja.
Pikërisht kjo mungon në politikën shqiptare. Në Shqipëri, politika është kthyer prej dekadash në një luftë për asgjësimin e kundërshtarit. Jo debat idesh, por delegjitimim personal. Jo përballje vizionesh, por etiketim. Kundërshtari nuk shihet më si alternativë, por si armik. Kjo ka prodhuar një klasë politike që ka humbur ndjeshmërinë ndaj shtetit, institucioneve dhe qytetarit.
Ne kemi ndërtuar një kulturë ku të pranosh se nuk di diçka shihet si dobësi. Të kërkosh këshillë, si paaftësi. Të respektosh kundërshtarin, si tradhti. Pikërisht e kundërta e asaj që prodhon shtet dhe stabilitet.
Shqipëria ka nevojë jo thjesht për njerëz me ambicie, por për njerëz me karakter. Pushteti nuk fitohet për të poshtëruar tjetrin, por për ti shërbyer kombit. Shteti ndërtohet jo mbi arrogancën, por mbi dijen. Kundërshtari politik është bashkëpërgjegjës për fatin e vendit, jo objektiv për t’u shkatërruar.
Historia e Eisenhower-it dhe Kennedy-t, na rikujton një të vërtetë të madhe. Politika ndahet nga karakteri vetëm përkohësisht. Historia i gjykon gjithmonë të dyja bashkë. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një politikë që fiton zgjedhje, por për një politikë që ndërton shtet. Dhe kjo është Shqipëria për të cilën ia vlen që të luftosh.
Dr. Evarist Beqiri