
Dr.Ilire Zajmi /
Miqësia është mbase një nga temat më universale në letërsi. Autorë të shumtë kanë shkruar për miqësinë, besnikërinë, sakrificën, tradhëtinë. Erich Maria Remarque te “Tre shokët” na tregon se si miqësia shërben si e vetmja strehë dhe kuptim në një botë të shkatërruar nga lufta. Te “Tre musketierët”, Alëksandër Duma me moton e famshme “Të gjithë për një dhe një për të gjithë”, krijoi një standard për miqësinë që bazohet te aventura dhe besnikëria deri në vdekje.
Khaled Hosseini te “Gjuetari i balonave” na rrëfen një histori prekëse për fajin dhe shlyerjen, ku miqësia mes dy djemve në Afganistan thyhet nga një akt frike, por mbetet forca lëvizëse e gjithë jetës së protagonistit.
Një histori miqësie në kohën e diktaturës dhe plagëve të saj e trajton libri më i ri i profesorit dhe ekspertit të shëndetit publik në SHBA, Pashko R. Camaj, i titulluar “Brenga” (botuar nga shtëpia botuese Onufri), duke sjell një këndvështrim sa njerëzor, aq edhe filozofik mbi koston e lirisë.
I botuar paralelisht në dy gjuhë (anglisht: “When Eagles Cry”), ky libër nuk është thjesht një kronikë arratisjeje, por një odise e shpirtit njerëzor midis dy poleve: lirisë në mërgim dhe prangave në atdhe.
Në qendër të romanit është historia e dy miqve të fëmijërisë: Tonin Mirakajt, një personazh real që arratiset nga Shqipëria komuniste në moshën 21-vjeçare, dhe Mark Ukës, një personazh imagjinar që paguan faturën e kësaj arratisjeje me 28 vite burg dhe internim.
Romani shpalos një urë dhimbjeje midis dy paradokseve: paradoksin e lirisë dhe të burgut, e dilema që ngre autori është rrëqethëse: A mund të bëhet liria e atij që ikën, burgu i atij që mbetet?
Kjo dilemë ekzistenciale e ndjek tërë linjën rrëfimore, ku përshkruhen vuajtjet, krajatat,e mizoritë e protagonistëve që jetojnë në dy realitete paralele.
Arratisja e Toninit ndodh në fshehtësi, pa i treguar as mikut të tij të shpirtit. Pasi në Shqipërinë e Enver Hoxhës “e vërteta ishte gjëja më e rrezikshme”. Këshilla e babait të Toninit, Zefit, para ikjes: “Askujt, as mureve të zhveshura mos u beso”, shërben si një uverturë për një jetë ku mbijetesa ishte çështje dite dhe heshtja ishte e vetmja mburojë.
Pasojat e kësaj ikje, bien mbi fatin e zi të mikut të tij, Markut.
Fatet e dy miqve këtu vulosen. Ndërsa Tonini me familjen arratiset me një mijë mynxyra në Kosovë, prej aty në kamp refugjatësh në Kroaci dhe më pas në Itali, për të shijuar më në fund aromën e shumëkërkuar të lirisë në Amerikë, Marku, miku i tij i fëmijërisë ballafaqohet me tortura çnjerëzore brenda mureve të burgut të Burrelit e në ferrin e Spaçit.
Marku nuk numëron vitet, por hapat deri te muri, fytyrat që zhduken dhe lutjet që veniten.
Camaj shkëlqen në përshkrimin e psikologjisë së personazheve.
Tonini, një i arratisur në kërkim të lirisë, që e bart frikën me vete kudo që shkon, e mësohet të flas vetëm atëherë kur ndihet i lirë:
“ Në Shqipëri, heshtja dhe frika ishin si zinxhirë, – tha ai njëherë, – por këtu mësova të flas” – thotë Tonini.
Marku, një i syrgjynosur në burgjet mizore të diktaturës që është i gatshëm edhe të vdesë, i bindur se kujtimet nuk mund t’ia marrin kurrë, e s ‘do ta bëjnë asnjëherë gënjeshtar. Sepse asnjë regjim në botë, sado i egër që jetë nuk mund të komandojë besnikërinë dhe miqësinë.
Latimi psikologjik me kaq mjeshtri i këtyre dy personazheve, e fut lexuesin në botën ku qenia njerëzore herë na shfaqet e pafuqishme t’i kundërvihet një makinerie vrastare që zhvesh individin nga gjithçka humane, herë e bën atë aq të fuqishëm sa ti dal përballë kësaj lubie, në kërkim të lirisë e të ruajtjes së dinjitetit, moralit e shenjtërisë së miqësisë.
Një nga pikat më të forta të romanit është përdorimi i simboleve. Malet, që për djemtë e rinj dikur ishin simbol i mbrojtjes dhe traditës, ndërsa më vonë kthehen në dëshmitarë të pafuqishëm. Kurse muret bëhen skllavëruesit e rinj, duke i bërë të përjetojnë vuajtje, tortura e ferrin në tokë.
Dialogu i takimit pas 37 viteve midis dy miqve është kulmi emocional i veprës. Mark Uka, “fantazma” e asaj që mund të kishte qenë, nuk kërkon hakmarrje. Ai kërkon të drejtën për të mos u fshirë nga kujtesa.
“U përpoqën të më fshijnë… më morën vitet, ndryshimet e stinëve, ngjyrën e qiellit.”- thotë Marku.
Forca e kujtesës ishte mjeti i fundit i rezistencës kundër një regjimi që kërkonte të zhbënte identitetin dhe ajo që kishte përjetuar ai prapa gjembave, duhej të dëgjohej. E heshtja të shpërthente qiellin, të mësohej e vërteta. Të mësohej nga miku i tij Tonini, pas gati katër dekadash, por edhe nga bota që se njihte fytyrën e përgjakur e të shëmtuar të diktaturës enveriste.
Te rrëfimi i Toninit, sinonimi i kujtesës është atdheu, një atdhe që ngjason në diçka të humbur përgjithmonë:
“Tani kujtimi ishte bërë atdheu i tyre i vetëm dhe digjej brenda tyre me dhembjen e diçkaje të humbur përgjithmonë” .
Si përfundim, romani “Brenga” është një thirrje për katarsis. Ai na mëson se falja nuk është harresë, por një proces çlirimi.
Pashko Camaj ka arritur të ndërtojë një monument letrar për ata që vuajtën në heshtje, duke na kujtuar se e vërteta, sado e dhimbshme, është e vetmja rrugë që një komb dhe një njeri të marrë frymë lirshëm përsëri.
Prandaj, ky roman është një lexim i domosdoshëm për këdo që kërkon të kuptojë jo vetëm historinë e Shqipërisë, por edhe kufijtë e besnikërisë dhe forcën e pamposhtur të dinjitetit njerëzor.