
Nga Astrit Lulushi/
Demokraci pa demokratë mund të jetë një absurditet, gjendja më e jashtëzakonshme e një shoqërie; por historia e lashtë si dhe ajo moderne japin prova se ekzistenca e një demokracie të tillë është e pajtueshme me çdo mungesë në një formë të tillë qeverisjeje.
Tani është fakt, se njerëzit nuk kanë armiq më të mëdhenj për lirinë e tyre se vetveten; dhe kjo liri bëhet instrumenti më i sigurt për një despot për të realizuar objektivat e tij.
Varfëria e bën njeriun rob.
Në një liri pa të çliruar, barazia nënkupton një gjendje ku të gjithë shtypen njësoj; dhe një komb duket se nuk është kurrë më skllavërues sesa kur është i lirë të zgjedhë sundimtarin e vet.
Në Shqipëri, duke filluar nga 1944, komunistët erdhën në krye, me grykën e pushkës (si banditë); ata që kishin vrarë më shumë e vendosën veten me besnikëri rreth tiranit dhe të tjerëve të paskrupuj, të cilët kishin fituar popullaritet duke shfaqur cilësitë më të këqija, dikush me grabitje në çeta (banda), një tjetër me sukseset e tij si vrasës me shumicë (krimin lufte). Mos shikoni filmat e prodhuara në kohën e tyre, aty gënjehet.
Është për të ardhur keq për atë që u quajt “kauza e lirisë”, që u bë kauza e tyre, ku cilësitë vulgare tërheqin pjesën më të madhe të duartrokitjeve; dhe se atyre që u besohej më lehtë, ishin pothuajse gjithmonë më të paskrupullit në tradhtime.
Më 1990, Shqipëria ishte zhytur në gjendjen më të ulët; dhe shoqëria ishte bërë aq e përçarë, sa që shpërbërja e diktaturës mund të kërkohej si pasojë e natyrëshme. Ndër sundimtarët e asaj periudhe binin mbi supe të gjitha mizoritë, vjedhjet e pasurisë së popullit dhe korrupsioni; mos mendoni se atëherë nuk kishte të tilla dukuri, ato vetëm se nuk botoheshin në gazeta; kishte vetëm një ZP, të tjerat ishin shtojcat e saj. Dhe ata mburreshin se ishin bijtë e Enverit, edhe pse vetë, bustet e tij i hoqën.