Prizren, 17 Qershor 2006: Sali Berisha paralajmëronte Pavarësinë e Kosovës/
-“Kurorën” e Pavarësisë së Kosovës Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e paralajmëronte para 14 vitesh, në 17 Qershor 2006, duke u përgjigjur në pytjen që i bëra te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku mbante në kokë plisin që sapo i ishte dhuruar, të punuar nga zejtarët e qytetit të lashtë e historik/
-“Vizita e kurorës” – e para në Kosovën e pavarur në 6 dhe 7 Tetor të vitit 2009…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 17 Qershor 2020/ Pavarësinë e Kosovës dhe një vizitë në kohen “e kurorës” e paralajmëronte para 14 viteve, pikërisht në 17 Qershor 2006, atëherë Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha derisa fliste para Shtëpisë së Lidhjes Shqiptare në Prizren.
Në përfundim të vizitës treditore, e pyeta si e shihte Kosovën dhe si e paramendonte vizitën e ardhëshme.
“Largohem nga Kosova duke e lënë si nuse që pret kurorën. Dhe shumë shpejt presim të marrë kurorën e pavarësisë”, shprehej Kryeministri shqiptar Berisha.
Ai kështu është cituar edhe nga shtypi ditor që i bënte jehonë vizitës e deklaratës, e në një editorial balline me titull “Bashkimi kombëtar evropian”, mes tjerash, shkruante:
“Vizita e Sali Berishës, Kryeministrit të Shqipërisë, në Prishtinë dhe në Kosovë ndodhi vetëm pak ditë pasi që ai në Bruksel, në emër të Shqipërisë, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim/Asocimit me Bashkimin Evropia. Ardhja në Prishtinë pas kthimit nga Brukseli, edhe simbolikisht tregon se çfarë rruge e përbashkët i pret Kosovën (pasi që të bëhet shtet, së shpejti, shpresojmë të gjithë ne) dhe Shqipërinë”.
Deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë Berisha gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja e risjellte në numrin festiv në prag të vitit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë:
“Në pyetjen e gazetës ‘Rilindja’, se çfarë e mendonte Kosovën në një vizitë të tij të ardhshme, ai prerazi tha: “Absolutisht si një nuse që pret kurorën. Kjo është Kosova dhe kjo është merita e juaj historike. Çdo shqiptar ndjehet krenar me këtë që keni bërë ju dhe do të jetë përjetë mirënjohës”.
KOSOVA SHTET, ishte kryetitulli në ballinë i gazetës Rilindja në 30 Dhjetor 2007, e cila sillte Kalendarin e Pavarësisë me hartë – Flamur Kosove me një yll që do i bashkohet Flamurit të Bashkimit Evropian dhe me urimin: Gëzuar Viti i Pavarësisë 2008. Në ballinë edhe paralajnmërohej: Numri i ardhshëm i Rilindjes del në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ose më së largu më 12 Shkurt 2008. Mes tjerash në ballinë paralajmërohej edhe shkrimi “Sali Berisha: Vizita e ardhshme – e kurorës, në Kosovën e pavarur”, titull ky nga përgjigja e Kryministrit të Shqipërisë në Prizren në pyetjen e Rilindjes.
Këtë paralajmërim besimi e optimizimi Kryeministri
Berisha e bënte te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku mbante në kokë plisin që sapo i ishte dhuruar, të punuar nga zejtarët e qytetit të lashtë e historik.
Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, zhvillohej në ditët
e festimeve të 7 vjetorit të lirisë – hyrjes së trupave të
NATO-s së prirë nga Amerika në Kosovë, kur shumë qytete
kishin edhe festa të veçanta të çlirimit – Ditën e Lirisë, duke filluar nga
kryeqyteti, Prishtina.
Gjatë vizitës në Kosovë në atmosferë feste ish-Presidenti e atëherë Kryeministri Sali Berisha u shpall Qytetar Nderi i kryeqytetit – Prishtinës dhe i Gjakovës.
Qytetar Nderi Kryeministri Berisha u shpall edhe në Prizren në “vizitën e kurorës” – të parën në Kosovën e pavarur në 6 dhe 7 Tetor të vitit 2009.
“Kosova ka një periudhë të shkurtët si shtet i pavarur, por sukseset dhe arritjet i ka shumë më të mëdha. Në Kosovë po ndërtohen institucione dhe po vendosen standarde demokratike, në disa aspekte, unike në rajon dhe me gjerë”, deklaroi atëherë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, dr.Sali Berisha në një ceremoni ku u dekorua me Medaljen e Artë të Lirisë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu.
“Më lejoni që, në emër të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, t’i shpreh mirëseardhjen më të përzemërt Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, i cili, pa dyshim, pati rol historik në ndryshimet dhe të arriturat e mëdha të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit tonë gjatë dy dekadave të fundit…Inaugurimi i autostradës Durrës-Morinë, ide e hershme e Presidentit Rugova, është një nga arritjet më të mëdha të Qeverisë Berisha, e cila duke jetësuar ‘udhën e kombit’ krijoi mundësi të reja për bashkëpunimin dhe afrimin në mes dy vendeve tona”, u shpreh atëherë Presidenti i Kosovës, Sejdiu.