• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKURTE FEJZA: Pavarësia e Kosovës,kulmi i një ngjarje që më ka sjellur jeta t’a përjetoj…

February 19, 2021 by dgreca

Intervistë me këngëtaren SHKURTE FEJZA: Pavarësia e Kosovës,  është kulmi i një ngjarje që më ka sjellur jeta t’a përjetojë–

Këngëtarja e cila ka bërë epokë në muzikën popullore shqiptare, pamëdyshje është Mbretëresha e muzikës popullore Shkurte Fejza.

E vlerësuar me çmimet më të larta nga institucionet e trojeve shqiptare, me shumë e qindra koncerte Shkurte Fejza. vazhdon të jetë shumë aktive në skenë me projekte muzikore  dhe tejet e pëlqyer nga publiku shqiptar brenda dhe jashtë vendit.

Në një intervistë ekskluzive, këngëtarja përgjigjet në shumë pyetje rreth jetës dhe karrierës së saj.

Cila është historia e hitit kombëtar “Xhamadani vija vija”, Për cilën ngjarje të fëmijërisë ka nostalgji, A ka këngë më të realizuar se “Mora Fjalë” e cila i dedikohet Komandantit legjendar Adem Jashari, për këto dhe shumë gjëra tjera, ju ftoj t’i lexoni gjatë intervistës në vijim me këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza.

Këtë vit keni publikuar disa këngë si: “Të dy kemi qenë me fat”, ”Telefoni”, por dueti i fundit me Gresa Behlulin “Nuse, mësuese”, bëri bujë në media, duke u kritikuar për përmbajtjen e tekstit, sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngëve, kush janë autorët dhe a po mundohen disa individë ta njollisin karrierën tuaj të krijuar me përkushtim?

Shkurte Fejza: Edhe pse ky vit ishte pa aktivitete publike, në krijimtari artisti  nuk ndalet  dhe si fryt i kësaj dolën disa këngë të realizuara si këto që i përmendet dhe disa që janë në fazën e përfundimit. Artisti përmes këngës pasqyron jetën e vetë si te kënga “Të dy kemi qenë me fat” tekstin e së cilës e kam shkruar vetë.

Kur kënga pasqyron  realitetin në rrethin e tij te kënga “Telefoni” që tekstin e ka shkruar gazetari dhe këngëtari i mirënjohur z.Refki Reshitaj, dhe e treta Pasqyrimi realitetit të shoqërisë ku jeton te kënga “Nuse mësuese” që tekstin dhe muzikën e ka shkruar z. Ilir Berani. Kënga është argëtim dhe mbanë në vete pos mesazhit edhe nganjëherë humor, ironi, sarkazmë, kritikë apo edhe një formë debati në mes të personazheve dhe kështu duhet kuptuar. Mua më vjen mirë dhe jam e lumtur që publiku i gjerë dhe adhuruesit e mi e kanë kuptuar drejtë sarkazmën, përmbajtjen dhe  mesazhin e kënges ashtu si e ka paraqitur autori në këngë. Të tjerat nuk kanë rëndësi për mua. Dua t’i falenderojë nga zemra të gjithë dashamirët e këngëve të mia kudo që janë për mbështetjen e pakursyer që kanë shprehur gjatë gjithë karrierës sime deri më tani.

Ndër vite popullit shqiptar i keni dhuruar këngë perla, duke i frymëzuar edhe në kohët më të vështira, dua të ndalem te historia e këngës “Xhamadani vija vija”, e cila tanimë është shndërruar në një himn kombëtar?

Shkurte Fejza: Në vitin 1992, unë realizoj ëndërren time jetësore dhe vizitojë për herë të parë Shqipërinë. Gjatë tërë rrugës bisedonim me Hajrushin për realizimin e ëndrrës tonë për kete vizitë. Morëm rrugën për Shqipëri na percjellë ky Drini i zi, sepse ne shkuam nga Struga dhe u nisëm për me ardhë por si vala e Drinit të bardhë, ashtu si ishte deshira e jonë e që e kishim të ndaluar. Kështu e krijuam nje tregim për këtë udhëtim. E takojmë regjisoren Vera Grabocka dhe kërkon që të shkoj mysafirë në një emision të saj dhe Hajrushi i premton po do të vjen Shkurta me një këngë të re.  Kështu vendosëm t’a bëjmë këngen nga ky tregim. Të nesërmen do të shkonim për Shkodër, se donim ta takonim kompozitorin Pjetër Gaci. Ja tregojmë idenë Pjetrit por nuk mund t’a realizimin sepse ai nga hallet e kishte shitur pianon për të realizuar vijen melodike qe do ta inçizonim si demo për ta realizuar pastaj ne ndonjë studio. Ai na drejtoj te një mik i tij kompozitor, te Zef Qoba, ai ka piano dhe punon nëeRadio Shkodra. Shkuam te Zefi dhe i tregojmë për këtë ide. Ishte pasdite vonë dhe nuk kishim shumë kohë. Për disa orë me Zefin e bëmë një melodi. Zefi na propozojë  mikun e tij poet që do ta rregullonte tekstin në poezi sepse duhej rimuar dhe strofuar dhe bërë tamam për këngë dhe ashtu ishte sepse duhej një dorë profesionisti. Natën shkuam te Alfred Çapaliku. Ai e kompletojë edhe me vargje të reja dhe aty brenda asaj nate, u rrumbullakua edhe teksti edhe muzika. Në mëngjes, u nisem për Tiranë dhe me propozimin e Zefit, shkuam në Radio Tirana e takuam Shpetim Saraqin, te  i cili e realizuam këngën “Xhamadani vija vija”. Është interesante se atë ditë ai ishte fejuar me këngëtaren Mira Konçi. Premiera e këngës u bë në emisionin e Vera Grabockes “12 javë në Holivood”. Pra kjo këngë ka një histori interesante dhe shumë domethënëse për mua. Është e shkruar si  një këngë-rrëfim (biografi), për udhetimin e parë drejtë Shqipërisë por tani është shëndërruar në vijë melodike të çdo eventi kombëtarë dhe këtë fakt e përjetojë jashtëzakonisht mirë

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?

Shkurte Fejza: Koha e fëmijërisë, është përplotë ngjarje dhe momente që shpesh i kujtojë. Zakonisht kur bëhesha me shoqe të lagjës, më kërkonin të këndoja dhe gjithmonë kisha siklet dhe i ikja rastit. Por kur shkoja te dajtë  edhe atje kisha të njejtat kërkesa. Dajtë e mi kanë qenë nga Karaçica një vend malor mbi malet e Berishës, por kishin zbritur në Magurë të Lipjanit. E kam pas gjyshen time një grua tipike shqiptare dhe këndonte shumë bukur, aq bukur sa nuk besojë se kam takuar një zë ashtu të paster dhe të kthjellët.Është mëkat që femrat shqiptare nuk kanë pasur mundësi të shfaqin talentin e tyre në ato kohëra dhe kjo ka ndikuar të shuhen talente për mungesë të kushteve për emancipimin e tyre. Kur më kërkonin të këndoja unë gjithmonë ju thoja pa këndue gjyshja as unë nuk këndojë. Kështu që ajo në fillim këndonte një këngë, pastaj unë një e kështu me radhë dëri natën vonë. Edhe tani më mungojnë ato mbrëmje magjike.

A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Shkurte Fejza: Unë gjatë tërë karrierës time, vetë jam kujdesur për përzgjedhjen e temave dhe gjithmonë kam kërkuar nga tekstshkruesit çka të shkruajnë. Kështu që gati gjithmonë jam bashkëpjesmarrëse e teksteve, pastaj i kompletojë derisa i plotëson kërkesat e mia. Ashtu ndodhë edhe te melodia dhe mund të them se krejtë në fund me orkestruesin në studio kënga e merr formën që e degjon publiku. Jam tip kërkuesi dhe kam shumë vetëkritikë si të them gati asnjëherë nuk kënaqem me ato që realizojë. Më kujtohet, përpara përgatitnim albume me nga dhjetë këngë dhe derisa e përfundoja me siguri merresha me nja 15 apo 20 këngë dhe nga ato i zgjedhja ato që më pelqenin. Ma tepër me dilte punë kur bëja bashkpunime, dmth duete apo në grup më ka ndodhur me refuzue për arësye se nuk më konvenonin këngët sidomos kur kisha kërkesa për këngë që i përshtateshin tregut por nuk më përshtateshin mua dhe kritereve të mia.

Si e gjithë bota edhe Kosova po përballet me luftën kundrejt koronavirusit (COVID-19), si i kalojë këta muaj zonja Shkurte, duke marrë për bazë se gjatë vitit 2020 mbrëmjet muzikore dhe dasmat u anuluan nga Qeveria?

Shkurte Fejza: Ky vit si thotë populli shkoftë e mos u ktheftë. Vit me shumë pasoja në aspektin ekonomik për të gjithë popullin por edhe për ne në veçanti. Unë lirisht mund të them ishe viti zero sepse u anuluan të gjitha aktivitetet dhe na ka dëmtuar shumë materialisht por prap me rëndësi është shëndeti. Pandemia na ka penguar në punë me publikun, por jo edhe në krijimtari sepse kam realizuar disa këngë. Në fillim kam qendruar në Prishtinë dhe pas një muaji kam shkuar në fshat në Mushtisht dhe atje kam qëndruar gjatë gjithë Verës deri në Vjeshtë. Tani jam prapë në Prishtinë sepse duhej realizuar këngët por edhe punët tjera dhe bashkimi me femijet. Urojë që të kalojë më në fund dhe t’i kthehemi normalitetit.

Shumë këngëtarë i kanë kënduar Komandantit legjendar Adem Jashari, por kënga “Mora Fjalë mbetet interpretimi më i realizuar në të gjitha komponentë, si ndiheni kur vlerësoheni me premisa të larta për këtë këngë?

Shkurte Fejza: “Mora fjalë”, është një kushtim për legjendarin Adem Jashari që ngjanë në këngët antike që u këndoheshin heronjëve me përmasa hyjnore. Është një thirrje që qëllimshëm s’i përfillë kufizimet e realitetit e as dimensionet kohore. Kjo këngë duke i kënduar pavdekësisë historike ka përfituar pavdekësinë artistike.

Unë jam shumë e lumtur, që ia kam arritur t’a ngrisë në këtë nivel por gjithmonë duke iu falenderuar autorit të tekstit dhe kompozitorit të kësaj kënge z.Naim Gjoshit dhe aranzhuesin dhe realizuesin në studio z. Xhevdet Gashi.

Cila është dita më e lumtur e jetës tënde?

Shkurte Fejza: Është e vështirë të ndashë një ditë të vetme, sepse jeta të jepë shumë kënaqësi p.sh rasti i të bërit nënë, sukseset në jetë, realizimi i këngëve, koncerteve të mëdha, liria e Kosovës të gjitha këto të japin kënaqësinë e vetë. Do t’a veçoja  shpalljen  e Pavarësisë së Kosovës,  është kulmi i një ngjarje që më ka sjellur jeta t’a përjetojë, kur dihet se sa  gjenerata janë sakrifikuar për këtë ditë.

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Shkurte Fejza: E nevojshme kurrësesi, por ja që ndodhin këto gjëra që i bëjnë disa në mungesë të cilësisë dhe talentit që nuk e kanë. Kjo është edhe një krizë identiteti dhe mundohen të përfitojnë nga kriza morale që e ka pllakosur shoqerinë tonë.

Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t’i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?

Shkurte Fejza: Ky vit për shumëçka i mbrapshtë por edhe në këtë aspekt i rëndë, sepse na i mori edhe shumë personalitete të mëdha që i dhanë shumë kulturës sonë. Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Shahindere Bërlajolli, Isë Llapqeva por edhe Leze Qena e Adem Mikullovci. Poashtu edhe në Shqiperi janë shuar artistë të medhenjë që na krijuan një boshllëk në mozaikun e artit shqiptarë. Do t’i kujtojmë me shumë respekt dhe do të jetojnë veprat e tyre. Artisti krijuesi gjithmonë ka nevojë për mbështetje institucionale. Uroj që Kosova të stabilizohet dhe artistët ta ndjejnë dorën e shtetit.Shpresoj që të ndryshohet kjo gjendje e mjerë dhe të del dikush që mendon, vepron  dhe e ka preokupim kulturën dhe artin.

Si ishte viti 2020 për zonjen Shkurte?

Shkurte Fejza: Falë Zotit, që veprojnë ligjet e Universit dhe kalendari ecë dhe shkojë ky vit i mbrapshtë me frikë dhe zymtësi, pa aktivitete dhe pa punë por  në krijimtari kam punuar mjaftë dhe kam realizuar disa këngë që i kam publikuar dhe të tjerat që janë në proces.

A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2021 – të’s?

Shkurte Fejza: Po i kam dy këngë thuaja të përfunduara dhe pres t’i xhiroj edhe si videoklipe vitin që po vjen. Besoj se do të pëlqehen se janë edhe tema interesante dhe me peshë, poashtu edhe disa të tjera që i kam filluar dhe shpresoj t’i realizojë. Çështja e albumeve është punë që nuk ka kuptim të bëhen sepse nuk ke kujt dhe si të ia ofrosh sepse ka ndryshuar forma e komunikimit me publikun.

Cilat janë tri gjërat që ëndërron t’i ralizosh deri në fund të jetës?

Shkurte Fejza: Hahaha (Qeshet), është  një kufizim i vrazhdë për mua në tri gjëra sepse kam plane e plane për të realizuar dhe secila për natyrën e vetë është mjaftë e rëndësishme. Asnjëherë nuk e harrojë një mendim se “Njerëzit bëjnë plane e Zoti qesh se nuk varen krejt nga njeriu”. Por gjithmonë duke shpresuar se do të kemi kohë për të realizuar ëndrrat tona.

Natyra e punës sonë është punë në kontinuitet në hulumtimin e temave, gjetjet më të mira, bashkpunimi me profesionist të mirë dhe realizimi i këngëve dhe kjo punë zakonisht zgjatë shumë. Për shumë njerëz kjo duket e lehtë por për mua jo sepse nuk guxoj të eksperimentoj për shkak të karrierës sime dhe kritereve që i vë vetës.

Për fund, cila është motoja e Shkurte Fejzes, për vitin 2021?

Shkurte Fejza: Punë, punë natë e ditë që të shofim pakëz dritë. Shumë mirë e ka thënë Naimi i madh dhe mendoj se ende vlenë. Mendoj se secili në profesionin e vetë dhe duke shfrytëzuar talentin e vetë të jepë kontribut për të mirën e vendit dhe njerëzve të vetë. Uroj që në Vitin e ri  2021, të marrim mësim nga kjo moto dhe të mbizotërojë një unitet i domosdoshëm në mes të shqiptarëve që të mos vendnumrojmë edhe më tutje dhe të mos na përsëritet historia e gjërtanishme.

Intervistoi: Armend Preteni

Filed Under: Featured Tagged With: pavaresia e Kosoves, PAVARESIA E KOSOVES DHE

KUR PROF. DR. SALI BERISHA PARALAJMEROI PAVARESINE E KOSOVES NGA PRIZRENI

June 17, 2020 by dgreca

Prizren, 17 Qershor 2006: Sali Berisha paralajmëronte Pavarësinë e Kosovës/

-“Kurorën” e Pavarësisë së Kosovës Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e paralajmëronte para 14 vitesh, në 17 Qershor 2006, duke u përgjigjur në pytjen që i bëra te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku mbante në kokë plisin që sapo i ishte dhuruar, të punuar nga zejtarët e qytetit të lashtë e historik/

-“Vizita e kurorës” – e para në Kosovën e pavarur në 6 dhe 7 Tetor të vitit 2009…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 17 Qershor 2020/ Pavarësinë e Kosovës dhe një vizitë  në kohen “e kurorës” e paralajmëronte para 14 viteve, pikërisht në 17 Qershor 2006, atëherë Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha derisa fliste  para Shtëpisë së Lidhjes Shqiptare në Prizren.

Në përfundim të vizitës treditore, e pyeta si e shihte Kosovën dhe si e paramendonte vizitën e ardhëshme.

 “Largohem nga Kosova duke e lënë si nuse që pret kurorën. Dhe shumë shpejt presim të marrë kurorën e pavarësisë”, shprehej Kryeministri shqiptar Berisha.

Ai kështu është cituar edhe nga shtypi ditor që i bënte jehonë vizitës e deklaratës, e në një editorial balline me titull “Bashkimi kombëtar evropian”, mes tjerash, shkruante:

“Vizita e Sali Berishës, Kryeministrit të Shqipërisë, në Prishtinë dhe në Kosovë ndodhi vetëm pak ditë pasi që ai në Bruksel, në emër të Shqipërisë, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim/Asocimit me Bashkimin Evropia. Ardhja në Prishtinë pas kthimit nga Brukseli, edhe simbolikisht tregon se çfarë rruge e përbashkët i pret Kosovën (pasi që të bëhet shtet, së shpejti, shpresojmë të gjithë ne) dhe Shqipërinë”.

Deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë Berisha gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja e risjellte në numrin festiv në prag të vitit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë:

“Në pyetjen e gazetës ‘Rilindja’, se çfarë e mendonte Kosovën në një vizitë të tij të ardhshme, ai prerazi tha: “Absolutisht si një nuse që pret kurorën. Kjo është Kosova dhe kjo është merita e juaj historike. Çdo shqiptar ndjehet krenar me këtë që keni bërë ju dhe do të jetë përjetë mirënjohës”.

KOSOVA SHTET, ishte kryetitulli në ballinë i gazetës Rilindja në 30 Dhjetor 2007,  e cila sillte Kalendarin e Pavarësisë  me hartë – Flamur Kosove me një yll që do i bashkohet Flamurit të Bashkimit Evropian dhe me urimin: Gëzuar Viti i Pavarësisë 2008. Në ballinë edhe paralajnmërohej: Numri i ardhshëm i Rilindjes del në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ose më së largu më 12 Shkurt 2008. Mes tjerash në ballinë paralajmërohej edhe shkrimi “Sali Berisha: Vizita e ardhshme – e kurorës, në Kosovën e pavarur”, titull ky nga përgjigja e Kryministrit të Shqipërisë në Prizren në pyetjen e Rilindjes.

Këtë paralajmërim besimi e optimizimi Kryeministri 

Berisha e bënte te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku mbante në kokë plisin që sapo i ishte dhuruar, të punuar nga zejtarët e qytetit të lashtë e historik.

Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, zhvillohej në ditët

e festimeve të  7 vjetorit të lirisë – hyrjes së trupave të

NATO-s së prirë nga Amerika  në Kosovë, kur shumë qytete

kishin edhe festa të veçanta të çlirimit – Ditën e Lirisë, duke filluar nga

kryeqyteti, Prishtina.

Gjatë vizitës në Kosovë në atmosferë feste ish-Presidenti e atëherë Kryeministri Sali Berisha u shpall Qytetar Nderi i kryeqytetit – Prishtinës dhe i Gjakovës.

Qytetar Nderi Kryeministri Berisha u shpall edhe në Prizren në “vizitën e kurorës” – të parën në Kosovën e pavarur në 6 dhe 7 Tetor të vitit 2009.

“Kosova ka një periudhë të shkurtët si shtet i pavarur, por sukseset dhe arritjet i ka shumë më të mëdha. Në Kosovë po ndërtohen institucione dhe po vendosen standarde demokratike, në disa aspekte, unike në rajon dhe me gjerë”, deklaroi atëherë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, dr.Sali Berisha në një ceremoni ku u dekorua me Medaljen e Artë të Lirisë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu.

 “Më lejoni që, në emër të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, t’i shpreh mirëseardhjen më të përzemërt Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, i cili, pa dyshim, pati rol historik në ndryshimet dhe të arriturat e mëdha të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit tonë gjatë dy dekadave të fundit…Inaugurimi i autostradës Durrës-Morinë, ide e hershme e Presidentit Rugova, është një nga  arritjet më të mëdha të Qeverisë Berisha, e cila duke jetësuar ‘udhën e kombit’ krijoi mundësi të reja për bashkëpunimin dhe afrimin në mes dy vendeve tona”, u shpreh atëherë Presidenti i Kosovës, Sejdiu. 

Filed Under: Featured Tagged With: pavaresia e Kosoves, Prizren 2006

FESTA SHQIPTARO-AMERIKANE E PAVARËSISË SË KOSOVËS KULMON NË RADISSON HOTEL NË MANHATTAN

February 21, 2020 by dgreca

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës, Mark Gjonaj dhe komuniteti Shqiptaro-Amerikan organizuan në Manhattan një ceremoni festive me rastin e 12-të vjetorit tëPavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë Trupa Diplomatike dhe Komuniteti Shqiptar. E pranishme edhe ambasadorja e Amerikës në Tiranë zonja Yuri Kim./

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në Manhattan në mjediset e hotelit “Radison” u organizua një ceremoni festive me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës Aktiviteti u organizua nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës nën drejtimin e AmbasadoresTeuta Sahatqija në bashkëpunim me Këshilltarin në Bashkinë e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj dhe organizatat në Diasporë.Në këtë ceremoni nderoi me pjesëmarrjen e saj Ambasadorja e Amerikës në Shqipëri znj.Yuri Kim.Ishte vërtetë një surprizë ardhja e saj, kur unë e pyeta gjatë intervistës se pak orë kam që ju kam lexuar në faqen tuaj të Ambasadës në Internet që ju ishit në Tiranë, ajo m’u pergjigj se po vi direkt nga aeroporti dhe nuk mund të mungoja për këtë festë të rëndësishme për Pavarësinë e Kosovës… Aktiviteti u transmetua direkt nga TV “Alba Life”, një transmetim që realizohet për herë të parë drejpërsëdrejti nga salla ku u mbajt ceremonia. Për këtë më duhet të falënderoj bashkëpunëtorët e TV “Alba Life” si Valon Gërbeshi dhe Bujar Sadikaj të cilët profesionalisht dhe me përkushtim punuan fort për ta realizuar transmetimin në kanalin televiziv.Pranë kamerave ne sollëm, komandantë, gjeneralë, ambasadorë, aktivistë, bizenesmenë, gazetarë, editorë, fotograf të mirënjohur, mësues nga Shkolla Shqipe “Alba Life” dhe mbi të gjitha Ushtarë trima të UÇK-së, bijtë e Lirisë që populli do t’ju jetë përjetësisht mirënjohes si komandantin e batalionit “Atlantiku” z.Gani Shehu, Blerim Gjocaj etj. Ndërsa për Qerim Gjocaj, kur e solla para mikrofonit dhe kamerave dhe thashë se ky Bir i UCK-së luftoi me armë për Kosovën dhe i ngrita njerën dorë se tjetrën e la aty në Kosove nuk mund të vazhdoja me nga mbytja e lotëve. E njoh mirë historinë e kësaj familje të nderuar të Kosovës dhe të Kombit tim…

Dashuri dhe respekt për UÇK-në, përjetësisht mirënjohje! Pjesëmarresit u argëtuan nën tingujt e DJ Sammy dhe me interpretimin e artistëve të mirënjohur si Ergin Oda, Mira Konçi dhe Elona Muça.Pjesa e parë e këtij aktiviteti ishte nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të RKS në New York ku ishin të ftuar Ambasadorë të Misioneve pranë Kombeve të Bashkuara, Konsujt ePërgjithshëm, diplomat dhe përfaqësues të komunitetit.

Nderoi Shoqata e policisë së Nju Jorkut NYPD “Illyrian” të cilët parakaluan me flamujtë e Kosovës dhe SHBA-s. Pjesa e dytë ishte nën organizimin dhe kujdesin e Këshilltarit të Bashkisë së Nju Jorkut, z.Mark Gjonaj dhe shoqatat shqiptare në New York. Sipas Ambasadores Sahatqija ishte hera e parë një bashkëorganizim dy pjesësh të Konsullatës dhe Komunitetit.

Gezuar Kosovë!

Gëzuar vëllezër dhe motra shqiptarë!

Nga fjala e Konsulles së Përgjithshme të Kosovës në Manhattan Ambasadore Sahatqija…

I dashur Këshilltar ne Bashkine e Nju Jorkut z. Mark Gjonaj,Të nderuar ambasadorë, diplomatë, artistë,E nderuar ambasadore amerikane në Shqipëri znj. Yuri Kim

Zonja dhe zoterinj,

Të dashur vëllezër dhe motra,Kjo festë është behet dhe më e bukur sot me njohjen nga shteti I Xhamajkes per Kosoven.Kjo festë është në koordinim dhe mbështetje të plotë të diasporës sonë të çmuar dhe shumë sponsorëve.Më lejoni t’ju shpreh respektin dhe vlerësimin e thellë për mikun tim të dashur Këshilltar MarkGjonaj, udhëheqjen e tij brenda komunitetit shqiptar dhe përkushtimin për të bashkuar shoqatat, bizneset, miqtë, komunitetin për ta bërë këtë festë më domethënëse. Diaspora na mbajti shpresat për liri kur Kosova po përjetonte aparteidën e fundit në mes të Evropës. Diaspora ishte me ne kur regjimi kriminal serb i Miloshevic drejtoi spastrimin etnik dhe genocidin kundër popullatës shqiptare të Kosovës. Në 90 ‘ata treguan historinë e shtypjes, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të vrasjeve në Kosovë,para KB, Kongresit amerikan dhe gjetkë. Komuniteti shqiptar ishte zëri ynë kur ne nuk e kishim zërin.Të dashur vëllezër dhe motra,12 vjet më parë, më 17 shkurt 2008, Parlamenti shpalli Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ishte një nga ditët më të ftohta që mbaj mend, njerëzit ishin nëpër rrugë duke mos vërejtur të ftohtin jashtëzakonisht të madh, duke dëshmuar lindjen e shtetit tonë, duke jetuar ëndrrën, duke qenë të vetëdijshëm për shumë gjenerata që nuk bënë të shohin lirinë dhe shtetësinë e Kosova, duke qenë mirënjohës për kontributin e tyre.

Mirënjohës për Presidentin Historik Ibrahim Rugova dhe rezistencën paqësore, për Adem Jasharin dhe Ushtrinë Clirimtare, për SHBA dhe të gjitha vendet përparimtare që ndaluangenocidin dhe ndihmuan për të sjellë paqen në Kosovë. Sot ne festojmë 12 vitet e Pavarësisë së Kosovës të rrethuar me shumë miq, duke festuar shumë suksese, duke qenë të vetëdijshëm për shumë sfida dhe një punë për të bërë para nesh.Kosova sot është një anëtar i respektuar i bashkësisë ndërkombëtare që i jep vlerë të shtuar sigurisë, sigurisë, sportit, muzikës, artit në botë. Biznesi modern dhe i gjallë po gjen rrugën e tij drejt tregjeve të reja për produktet e tyre, qoftë IT, shërbime, mobilje me cilësi të lartë, turizëm, miniera apo produkte bujqësore. Judokët tanë e vendosën Kosovën në samitet më të larta të xhudos në botë.Lojtarët e futbollit kosovar, shumica prej tyre fëmijë refugjatë në 1999, po bëjnë krenarë ekipet më të mira të futbollit në botë.

Këngëtarët më të mirë të muzikes poop në botë janë vajza krenare kosovare, Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi etj. Malet më të larta botërore janë pajtuar nga vajzat e Kosovës duke i treguar botës se qielli është kufiri kur ju merrni mundësinë. Më në fund Kosova mori mundësinë, shansin për të qenë gjallë, shansin për të garuar, shansin për të shtuar vlerë, shansin për të qenë pjesë e botës.

Zonja dhe zoterinj,

Ju lutem bashkohuni me mua në festimin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Le të ngremë gotën e verës së Kosovës, të provojmë disa ushqime të shijshme shqiptare të Kosovës dhe të dëgjojmë këngët dhe muzikën tonë kombëtare.

Gezuar!

Manhattan, 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Kozeta Zylo, pavaresia e Kosoves

FTESE PER TE FESTUAR PAVARESINE E KOSOVES

February 3, 2019 by dgreca

1Festa1FTOJME VATRANET TE BEHEN PJESE E FESTIMVE TE PAVARESISE SE KOSOVES DHE KONTRIBUTORE PER ÇESHTJEN”VELLEZERIT BYTYÇI”!/

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: pavaresia e Kosoves, Vatra

PRESIDENTI IBRAHIM RUGOVA NUK E HUMBI ASNJËHERË RRUGËN DREJT PAVARËSISË*

January 29, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në Janar të vitit 2009, komuniteti shqiptaro-amerikan organizoi një akademi përkujtimore me rastin e 3-vjetorit të vdekjes së Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës.  Këtë muaj u bënë 13 vjetë nga ndarja prej kësaj jetë e Presidentit Rugova.  Me këtë rast e kujtojmë këtë burrështeti me fjalën e mbajtur në akademinë pëkujtimore mbajtur me 17 Janar, 2009, në universitetin e njohur amerikan, Fordham të Nju Jork-ut:

“Presidentin Ibrahim Rugova e kujtojmë si diellin që gjatë viteve të kalvarit të Kosovës nuk e humbi kurrë rrugën drejt objektivit të tij, për një Kosovë të lirë e të pavarur, as nepër vranësitë më të errëta të jetës kombëtare, politike dhe shoqërore të vendit të tij.

Presidenti Rugova na la në kohën kur Kosova dhe Kombi ynë kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai, për një hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri dhe të vlerave tona kombëtare.

Unë kam pasur privilegjin ta njihja Presidentin Rugova, si njeriu i cili megjithë qenjen e tij qëndronte kundër atyre që mohonin traditat tona më të shëndosha dhe kundër sistemit komunist, që për pothuaj 50-vjetë u përpoq të shlyente të gjitha  virtytet tona stërgjyshore, në favor të një ideologjie sllavo-aziatike.Disa thonë fati, por unë them ishte Perëndia që përcaktoi Ibrahim Rugovën të jetonte në një periudhë historike për Kombin tonë, kur kënaqjet ishin të paka dhe mjerimet të shumta.  Kjo periudhë historike kërkonte guxim e vendosmëri – bërtiste për një udhëheqës ndryshe për shqiptarët.  Presidenti Rugova shpesh thonte se gjatë historisë, Kombi ynë ka patur shumë dështime megjithë përpjekjet e mëdha dhe flijimet e patriotëve shqiptarë që nga periudha e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut e deri tek rilindasit në fillim të shekullit të kaluar.  Megjithë këtë histori dhe vuajtjet personale dhe familjare, Dr. Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u dmeoralizua as nuk ndërpreu përpjekjet e tija, por përdori çdo rast, sidomos me të huajt, të lartësonte emrin e Kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur, duke ndërkombëtarizuar njëkohësisht edhe çështjen e Kosovës dhe vuajtjet e shqiptarëve nga një shtet terrorist.

Ai ishte i bindur në drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve të Kosovës dhe nuk kurseu asgjë për të siguruar sigurinë, paqën dhe një jetë më të mirë dhe në liri për popullin e vet.Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – në fund të viteve 80-ta të shekullit të kaluar, ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga ideali, përpjekjet e tija dhe as nga bindja e tij se me ndihmën e miqëve tanë perëndimorë, Kosova, më në fund, do të çlirohej nga zgjedha serbe dhe se më në fund do të fitonte lirinë dhe do të siguronte pavarësinë.  E kishte shumë të qartë objektivin përfundimtar, si dhe mënyrën për realizimin e këtij objektivi.

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova me diplomacinë e tij personale – që në të vërtetë filloi me vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1989, e që mund të konsiderohet gjithashtu edhe si zanafilla e diplomacisë moderne të shtetit të Kosovës – ishte një testament para botës, sidomos asaj perëndimore,  e cila nuk na njihte vetëm ndoshta si “rebela” – se Ibrahim Rugova në të vërtetë rrjedhte nga një familje dhe nga popull që mendjen, zemren dhe karakterin e tij ia brumosën në frymën e idealeve  të burrënisë e të nderit dhe të traditave shekullore të shqiptarit.

Presidenti Rugova vinte nga bjeshkët shqiptare, nga atje ku zanat e malit ruajnë sekretet e thelbit etnik të racës sonë, të një race që si e tillë ka siguruar të drejtën që madhështia e veprës së tij të këndohet me lahutë, si kalorës kreshnik i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës — si shtet i ri dhe i pavarur.

Megjith pështjellimet politike, pasionet e përkundërta dhe grindjet politike të botës së vogël shqiptare madje edhe në periudhën post-komuniste, gjatë gjithë kohës që e njoha, Presidenti Rugova i mbante sytë drejt vlerave kombëtare si baza për realizimin e objektivave afat-gjata.   Ai i kishte sytë ngulur në epopenë e Lahutës së At Gjergj Fishtës, në thjeshtësinë burrënore të Bajram Currit dhe në politikën largpamëse të Luigj Gurakuqit, për arritjen e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Fatkeqësisht, ai vdiq pa qenë dëshmitar i shpalljes dhe i njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën e përfundote me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”.  Por epopeja e tij nuk vdiq me të.   Ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar.

Ndoshta duket si e rastësishme që disa organizata në Shqipëri – në bashkpunim me ambasadën gjermane në Tiranë kanë shpallur ditën e sotëme, 17 Janarin, si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar, me qëllim për të nxitur mirëbesimin dhe bashkpunimin midis qytetarëve dhe politikanëve. Pas realizimit të madh dhe historik kombëtar — dmth pavarësisë së Kosovës — i ndjeri President Ibrahim Rugova – në këtë ditë përkujtimore — do na këshillonte se nëqoftse dëshironi të kujtoni mua dhe veprën time, atëherë ju lutem promovoni bashkpunimin midis shqiptarëve për të mirën e përbashkët, duke venë mbi të gjitha interesin kombëtar mbi atë partiak dhe interesin publik mbi atë personal.

I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

*Fjala e mbajtur nga ish-Shefi i Drejtorisë për Evropën në Zërin e Amerikës, Frank Shkreli me 17 Janar, 2009 në akademinë përkujtimore, në 3-vjetorin e vdekjes të Dr. Ibrahim Rugovës, në Universitetin e njohur amerikan, Fordham të Nju Jork-ut.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, pavaresia e Kosoves, Presidenti i Ibrahim Rugova

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT