
Arben Iliazi/
Luftrat janë një magji e zezë, që shkaktojnë karma të këqia ngaqë përplasen në ujërat e qeta të jetës, duke prodhuar rrathë me valë, që zgjerohen gjithnjë e më shumë dhe e shndërrojnë njeriun në një fantazmë zoologjike, ku çdo gjë ndodh pa dijeninë e tij. Ky është pak a shumë lajtmotivi i romanit të ri të Luan Ramës “Murgu i Malit të Shenjtë”, botim i Shtëpisë Botuese “Albas”, ku shpaloset me realizëm historia e një ushtari të luftës italo-greke të internuar në Ustikë. Odisea Mihalis është një kretan që beson se ka ardhur në këtë botë për të qenë i lumtur me familjen. Por fati ia përzien letrat. Odiseada e tij fillon në malin e Gramozit ku, i plagosur rëndë, shpëton nga vdekja e sigurt, falë përkujdesjes së një fshatari shqiptar të Këlcyrës, por kapet nga italianët dhe internohet në Ustikë.
Fuqitë e tij shpirtërore e mbajnë gjallë për disa vjet, derisa arrin të rikthehet në “Itakën” e tij, te gruaja e tij e dashur. Por Lea, pas një pritjeje të gjatë dëshpëruese dhe të pashpresë, duke menduar se i shoqi ka vdekur, ka vënë kurorë me një burrë tjetër, duke vepruar në një dimension astral. Romani merret me njeriun brendësor, me goditjet që shkaktojnë demonët e luftës. Në konfliktin bazë të romanit triumfojnë këta demonë dhe bëhen përherë e më të fuqishëm.
Odisea, megjithëse i magjepsur pas gruas së tij me një dashuri gati hyjnore, që e mban gjallë pas gjithë kalvarit të vuajtjeve, nuk i përdredh ligjet e jetës sipas qëllimeve të tij, kur përballet me njeriun që është bërë bashkëshort i saj, dhe gëzon dhe pronën e tij.
Këtu nuk bëhet fjalë për një vepër absurde, por për një vepër që shtron problemin absurd. Kur e sheh që ushqimi shpirtëror mbaron dhe shpirti shkretohet, duke u kthyer në një gërmadhë lufte, kur sheh që nuk ka më jetë brenda tij, Odisea i përkushtohet zotit, duke u dorëzuar murg në Malin e Shenjtë.
Sfondi historiko shoqëror, ngjarjet e kohës ku e ka marrë temën romani, janë të pasura dhe të ngjeshura, me një densitet të jashtëzakonshëm. Autori më shumë se me heroikën e luftës, merret me pasojat e luftës.
Romani shquhet për vërtetësinë e detajeve dhe efektet dramatike, duke përdorur në mënyrë shumë funksionale retrospektivën e largët përmes vargjeve epike të poemës homerike “Odisea “, një nga kryeveprat e para të letërsisë botërore. Odisea në këtë roman është një figurë mjaft reale dhe tokësore. Pyetja që lind është: A mund të ishte Lea një Penelopë?
Parimet nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Rasti është një forcë e egër, të cilit duhet t’i besojmë sa më pak që është e mundur.
Kush është i thirrur të kryejë vepra të caktuara dhe të rëndësishme, i ndjek idealet e tij së brendëshmi dhe dhe në mënyrë instiktive, i gatshëm të presë, siç presin bletët ndërtimin e zgjoit. Ky roman mendoj se është jo vetëm një nga realizimet më të mira të shkrimtarit Luan Rama, por edhe një nga arritjet më të mira të prozës sonë të gjatë, me ngjarje dinamike dhe me situata të mprehta dramatike, një letërsi që mund të përkthehet lehtë në film. Nuk është çudi që vetë shkrimtari t’i hyjë aventurës së përshtatjes, meqë i njeh mirë rregullat e skenarit. Edhe gjuha e përdorur është mjaft e pasur, e bukur, individualizuese. Autori ka përdorur një stil të pangarkuar, të thjeshtë, të vetvetishëm.