Nga Rafael Floqi

“Mbylle RTSH-në!”…
Le atëherë të kuptojmë se Edi Rama nuk e sheh Shqipërinë si Republikë parlamentare, por si Republikën e Vet Personale, ku televizioni publik është thjesht një studio që nuk po i bindet më regjisë së tij.
Sepse problemi nuk është RTSH është ERT. Problemi është Rama.
Dhe mania e tij që çdo ekran shqiptar të jetë ose i kontrolluar, ose i zhbërë.
Kur një kryeministër ngrihet një mëngjes dhe i shkon në mendje të mbyllë Radio Televizionin Shqiptar—institucionin që ka mbajtur historinë vizuale, zanoren dhe kujtesën e këtij vendi për më shumë se gjysmë shekulli—atëherë problemi nuk është RTSH-ja. Problemi është që pushteti ka filluar të besojë se Shqipëria është një studio private e tij .
RTSH-në nuk e ka rrënuar koha; e ka rrënuar politika. Jo politika e ideve, por politika e privilegjeve, tenderëve dhe mitmarrjeve. E kanë mbajtur me dhè dhe tani thonë: “Pse nuk shkëlqen?” Kanë prerë financimet dhe sot çuditen pse nuk prodhon magji. Kanë hequr aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare nga ekrani i saj, ia kanë dhënë klientëve privatë, e pastaj thonë: “Nuk na pëlqen më RTSH-ja, nuk ka cilësi.”
A thua vallë se cilësia lulëzon në tokën e shkretuar?
Ky institucion ka mbartur festivalet, kampionatin, kombëtaren, Champions League, Formula 1, simfoninë e vet 60-vjeçare, korin e instrumentistëve elitarë, dhe mbi të gjitha: kujtesën kolektive, atë që s’mund ta blejë asnjë oligark e s’mund ta mbyllë asnjë kryeministër me humor të keq.
Por sot po shohim një skenar të lodhur: dobëso institucionin, shpif ndaj tij, lëre pa mjete, zhvati kompetencat, pastaj thuaj “u desh të mbyllej”. Kjo metodë nuk është reformë—është grusht shteti kundër institucioneve publike.
Dhe në këtë pikë duhet folur hapur: Mbyllja e RTSH-së nuk do të ishte reformë, por marrëzi kombëtare.
Një komb që mbyll televizionin e vet publik nuk modernizohet—nënshkruan kapitullimin ndaj mediave të klientelizmit.
RTSH-ja është “nëna e medias shqiptare” dhe nënat nuk mbyllen. Të tjerët ndërtojnë muze, arkiva, fonoteka për t’i ruajtur. Ne paskemi kryeministra që duan t’i kthejnë në themele për kulla.
Po pse ky nerv? Pse ky nxitim për ta mbytur? Sepse institucionet publike kanë një ves të keq: nuk shiten dot lehtë. Nuk kontrollohen dot me një telefonatë. Nuk shndërrohen dot në megafon partie. Dhe kur s’të binden, më e thjeshta është t’i shpallësh të “padobishme”.
Është një absurditet që askush në vendet evropiane ku ne tentojmë të hyjmë në BE nuk do ta artikulonte kurrë. Sepse televizioni publik është jo thjesht media e shtetit, por zemra kulturore, arkiva kombëtare, pasqyra e identitetit kolektiv. Ta mendosh mbylljen e tyre do të thoshte të ngresh dorën mbi vetë kujtesën kombëtare. BBC, DW, RAI dhe France Télévisions janë aq të lidhura me shtetin dhe kombin, sa mungesa e tyre do të përkufizohej si katastrofë institucionale.
E tani imagjinoni Shqipërinë pa RTSH-në. Nuk do të ketë më vend për Shqipërinë në Eurovision, sepse vetëm televizioni publik është anëtar zyrtar i EBU-së. Nuk do të ketë më Festival të Këngës, ngjarjen më të vjetër kulturore shqiptare, që ka rritur breza artistësh. Nuk do të ketë më trashëgimi kulturore të transmetuar, nuk do të ketë më simfoni, arkiv, as zë shtetëror. Me mbylljen e RTSH-së, Shqipëria largohet vetë nga skena evropiane dhe ndërpret çdo lidhje institucionale me eventet ndërkombëtare ku një vend serioz duhet të jetë prezent. Do të mbeteshim një republikë pa zë, pa platformë publike dhe pa institucionin që përfaqëson vendin brenda dhe jashtë kufijve.
Dhe mbi të gjitha, çfarë ironie: Eni Vasilin e çojnë për ta hapur apo për ta mbyllur?
E filluan me Urën? Po urën ç’ patën thotë ajo batuta. Apo se lidhej me diasporën ?
A është ajo dërguar si fytyra e fundit e një vendimi të marrë në prapaskenë? Si e dërguara e një projekti që nuk ka të bëjë me reformë, por me shuarje? Sepse kështu duket: jo një përpjekje për ta ri ngritur RTSH-në, por një administrim i ditëve të fundit të tij.
Në vend të ekspertëve që sjellin vizion, çojnë figura televizive për t’i vënë vulën një skenari që po përgatitet prej vitesh: dobësoje institucionin, hiqi kompetencat, tjetërsoi burimet, pastaj thirr dikë për të shpallur “fundin e epokës”.
Por pyetja e drejtë mbetet: E dërguan për të rihapur institucionin Enin , apo për t’i fikur dritat?
Por kujdes: Radiotelevizioni Shtetëror është aq i rëndësishëm sa përmbys qeveri, jo anasjelltas. Nuk është as si Teatri Kombëtar që e shembën dhe s’e bëjnë dot.
Historia e ka treguar. Frika e pushtetit ndaj RTSH-së është frika ndaj së vërtetës së tij.
A po mbyllet RTSH-ja për t’i liruar kryeministrit fushën për një super-TV privat, ku ai dhe oborri i tij do jenë të vetmit narratorë të kombit?
Nëse po, ky është skandali më i madh kulturor i 30 viteve.
Nëse jo, atëherë çfarë është? Kapriço? Hakmarrje? Apo nevojë për të shpallur veten si njeriu që mbyll çdo gjë që nuk i puth dorën?
Këtu duhet të ngrihet kushdo që ka zë, dinjitet dhe memorie. Jo për nostalgji, por për identitet. Jo për politikë, por për shtet.
Mjaft!
Duart larg RTSH-së!
Kombet ruajnë institucionet, vetëm pushtetet e pasigurt përpiqen t’i shuajnë.
Nëse dikush kërkon ta mbyllë RTSH-në, le ta dijë:
do ta ketë përballë publikisht, ligjërisht, qytetarisht dhe shpirtërisht çdo shqiptar që nuk pranon t’i shlyhet historia me gomën e një kryeministrie.
Ky është zëri i një populli që nuk pranon të mbetet pa zë