
Në një atmosferë të mbushur me gëzim dhe shpirtin festiv, Teqeja e Shenjtë Baba Rexheb në Amerikë çeli dyert për tërë besimtarët bektashianë që erdhën për të festuar Kurban Bajramin. Kjo festë, e cila shënon përfundimin e Haxhit dhe nderon sakrificën e Profetit Ibrahim (a.s), është një moment reflektimi dhe bashkimi për të gjithë ata që ndajnë besimin dhe traditat e këtij komuniteti. Në këtë ditë të shenjtë, besimtarë nga Australia, Kanadaja, Shqipëria sigurisht dhe nga shtete te ndryshme te Amerikës, u mblodhën për të ndarë gëzimin e sakrificës dhe për të forcuar lidhjet e tyre shpirtërore dhe njerëzore.
E shtunë qershori. Në një pasdite të qetë dhe të ndritshme, Teqeja e Shenjtë Baba Rexheb në Amerikë u mbush me besimtarët e saj që u mblodhën për të festuar Kurban Bajramin, një nga momentet më të shenjta në kalendarin islam. Kjo festë, simbol i sakrificës, dashurisë dhe përkushtimin ndaj Zotin, u shndërrua në një ngjarje që preku thellësisht zemrat e të pranishmëve, duke i lidhur ata në një rrugëtim shpirtëror të përbashkët.
Ceremonia filloi në orën 5:00 PM, kur besimtarët, me fytyra të ndritura dhe zemra të hapura, filluan të mblidhen. Dëgjoheshin përshëndetje të ngrohta dhe urime për festën, teksa secili sillte me vete një ndjenjë gëzimi dhe mirënjohjeje. Në këtë atmosferë të ngrohtë, çdo përshëndetje ishte një shprehje e dashurisë dhe unitetit, një kujtesë se, përtej dallimeve, ne jemi të gjithë një familje e madhe.
Rëndësia e unitetit, një mesazh për bashkim
Ceremonia festive, e cila filloi me një atmosferë gëzimi dhe ngrohtësie, u shoqërua me fjalë që thelluan kuptimin e kësaj feste. Z. Mynyr Nazifi, kryetari i Komisionit të Teqesë, hapi ceremoninë me një përshëndetje emocionuese që preku zemrat e të pranishmëve dhe i dha një dimension të ri festës.
Fjalët e z. Mynyr Nazifi ishin një thirrje e fortë për reflektim mbi rëndësinë e sakrificës dhe bashkimit. Ai u drejtua të pranishmëve me një mesazh të qartë: “Të nderuar vëllezër dhe motra, ju falënderoj që keni ardhur në këtë gëzim të përbashkët.” Kjo thënie, e thjeshtë në formë, ishte e thellë në përmbajtje, duke nënkuptuar se çdo individ në atë ambient kishte një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve brenda komunitetit.
Një thirrje për bashkëpunim dhe përkushtim
Fjala Kryetarit të Komisionit të teqesë Baba Rexheb z. Mynyr Naizifi
Të nderuar vëllezër dhe motra, miq e dashamirës të teqesë së shenjtorit, Baba Rexhebi!
I nderuar myrshidi ynë, fort i respektuar baba Eliton Pashaj!
Sefte ju uroj dhe ju falënderoj që kini ardhur në këtë gëzim të përbashkët në ditën e Kurban Bajramit!
Në këtë ditë të shenjtë të Kurban Bajramit, ne mblidhemi për të festuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin tonë fetar, një ditë që simbolizon sakrificën, dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zotit.
I nderuar myrshidi ynë, baba Eliton Pashaj, është me ne sot në këtë gëzim të përbashkët. Prania e tij na jep forcë dhe frymëzim, duke na kujtuar se sakrifica e Profetit Ibrahim (a.s.) është një mësim i përjetshëm për ne të gjithë. Haxhi Bektash Veliu dhe baballarët tanë, të djeshmit dhe të sotmit, na qofshin ndihmë në çdo hap të rrugës sonë.
Dita e sotme, pavarësisht se vjen një herë në vit, ka një peshë të rëndësishëm shpirtëror që shfaqet në çdo veprim të përditshëm. Baba Rexhebi na kujtonte se çdo besimtar që e kupton sakrificën e Ibrahimit për Zotin, e ka të fituar davanë për të hyrë me kokën lart në mejdan të teqesë.
Në këtë kontekst, ne nuk mund të heshtim për sfidat që po përballemi. Në emër të Komisionit të Teqes, bëj thirrje për një sakrificë më të madhe për të mbrojtur atë që kemi ndërtuar.
Siç edhe na këshillonte baba Rexhebi, ne do të sillemi me njerëzillëk dhe do të lutemi për ata që ndjekin rrugë të errëta. Zoti dhe Amerika kanë lidhjet e tyre, dhe ne besojmë se e drejta do të triumfojë mbi të keqen.
Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj dhe për mbështetjen. E paçim jetë e mot me shëndet të plotë, baba Eliton Pashain!
Amin!
Fjalët e z. Mynyr Nazifi ishin gjithashtu një thirrje për të forcuar lidhjet mes anëtarëve të komunitetit. Në një botë që shpesh duket e ndarë dhe e fragmentuar, Kryetari i Komisionit na kujtoi se ne jemi të gjithë pjesë e një familjeje më të madhe. Ai inkurajoi të pranishmit të qëndrojnë të bashkuar, të mbështesin njëri-tjetrin dhe të krijojnë një atmosferë dashurie dhe respekti. Kurban Bajrami është jo vetëm një festë, por një mundësi për të rinovuar angazhimin tonë ndaj vlerave që na bashkojnë si njerëz dhe për të forcuar lidhjet që na lidhin.

Myrshidi i teqesë, Baba Eliton Pashaj, në një atmosferë të mbushur me ndjenja të thella shpirtërore, ndau me të ftuarit një thirrje për reflektim dhe përkushtim në festën e shenjtë të Kurban Bajramit.
Fjalët e tij, të mbushura me urtësi dhe dashuri, na udhëhoqën në një udhëtim të brendshëm, ku çdo sakrificë merr një kuptim më të thellë se sa ajo që shfaqet në sipërfaqe. Fjalimi i tij ishte si një melodi që përshkonte zemrat tona, duke na inkurajuar të kultivojmë vlera të tilla si dashuria, mirësia dhe solidariteti. Babai na kujtoi se Kurban Bajrami nuk është thjesht një festë rituale, por një mundësi për të rinovuar lidhjet tona me njëri-tjetrin dhe me Zotin. Në këtë kontekst, sakrifica merr një dimension të ri, duke u bërë një shprehje e dashurisë së pakushtëzuar dhe e angazhimit për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
“Baba Eliton Pashaj: Një dritë refleksionesh mbi sakrificën dhe dashurinë në Festën e Kurban Bajramit”
Drejtuesi shpirtëror i Teqesë Baba Rexheb, Baba Elitoni, la me një mesazh të fuqishëm: “Çdo sakrificë, qoftë ajo materiale apo shpirtërore, është një hap drejt njohjes së thellë të vetvetes dhe të Zotit. Ai na inkurajoi të jemi të hapur për të pranuar dashurinë dhe mirësinë në jetën tonë, duke krijuar një atmosferë ku çdo njeri ndjehet i vlerësuar dhe i dashur. Kështu, festimi i Kurban Bajramit bëhet një mundësi për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar, më të dashur dhe më të ndihmuar, duke sjellë një dritë shprese në çdo zemër”.
Fjala përshëndetëse e Baba Eliton Pashaj
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Të nderuar miq e dashamirës të teqesë së shenjtorit tonë, Baba Rexheb!
I nderuar kryetari i Komisionit të Teqesë z.Mynyr Nazifi!
Në zemrën e traditës sufiste dhe bektashiane, Kurban Bajrami, është jo thjesht një festë rituale, por një thirrje e thellë shpirtërore për t’u kthyer në thelbin e vetes dhe për t’u bashkuar me Zotin në dashuri dhe përulësi. Sufizmi bektashian na mëson se çdo sakrificë e jashtme është vetëm shprehja e një sakrifice më të madhe që bëhet brenda nesh – ajo e egos që “vdes” për të lindur në dritën hyjnore.
Shembulli i myrshidit tonë Baba Rexheb është një udhërrëfyes i fuqishëm i cili në jetën që jetoi dhe mësimet e tije që na la, ish shembull tregues i rrugës së sakrificës, dashurisë dhe përkushtimit.
Në frymën sufiste bektashiane, Kurban Bajrami është jo vetëm sakrificë materiale, por udhëtim i brendshëm drejt dritës së Zotit – një rrugëtim që na mëson se vetëm duke u bërë “kurban” ndaj egos mund të gjejmë paqen e vërtetë.
Kjo festë në traditën bektashiane nuk është vetëm një festë rituale, por një thirrje e fuqishme shpirtërore që na fton të hyjmë në thellësitë e dashurisë hyjnore dhe vetëdijes për njësinë e gjithësisë.
Filozofia e sufijve bektashianë na mëson se Profeti Ibrahim (a.s) është simboli i atij njeriu që i ka çliruar duart nga çdo lidhje tokësore dhe i ka dorëzuar ato plotësisht në duart e Zotit. Sakrifica e tij nuk është vetëm akti kurbanor, por vepra më e madhe e shpirtit që jep dorë nga vetja, nga egocentrizmi dhe nga çdo pengesë që ndan njeriun nga dashuria hyjnore.
Për ne bektashinjtë, çdo gjest është një mundësi për t’u gjendur më pranë Zotit, për të pastruar zemrën nga e liga dhe për të ushqyer shpirtin me mëshirë dhe dashuri. I madhi Ghazali thotë: “Kurban i vërtetë është ai që sakrifikohet në heshtje brenda vetes, duke u bërë dritë për të tjerët, pasi njeriu i vërtetë është ai që vdes para se të vdesë”.
E pra sot, kur sejcili nga ne tek bën ritualin e sakrificës, nuk duhet të harrojë se kurbani më i madh është ai që bëhet në zemrën e tij: heqja dorë nga egocentrizmi e urrejtja, dhe hapja për të përqafuar gjithçka me dashuri dhe mëshirë. “Kurban” në këtë kuptim bëhet vetë jeta jonë, çdo gjest i mirë, çdo fjalë e butë dhe çdo ndihmë ndaj të tjerëve, duke qenë frymëzim për komunitetin dhe shoqërinë Amerikane me të cilët bashkëveprojmë në përditshmërinë tonë.
Përpara se ta mbyll këtë fjalë, një urim i veçantë i takon veçanërisht Konsullit të Nderit të Shqipërisë, z.Ekrem Bardha, dhe familjes së tij, për kontributin e pandashëm ndaj institucionit tonë.
E pra, le të bëjmë që ky Kurban Bajram të shënojë një fillim të ri shpirtëror, ku secili prej nesh të bëhet një bektashian i vërtetë, duke jetuar me zemër të hapur dhe frymë faljeje. Le të ecim përpara në rrugën e Bektashizmit, rrugën e dashurisë dhe sakrificës. O Zot, na udhëzo dhe na ndihmo të forcojmë lidhjet me Ty, njëri-tjetrin dhe me gjithçka që na rrethon; në këtë mënyrë ne bëhemi pjesëtarë të vërtetë të rrugës së Bektashizmit – rrugës së dashurisë, sakrificës dhe bashkimit me Hyjin.
Me dashuri dhe përulësi, Baba Eliton Pashaj!
Sakrifica është një akt që na lidh me historinë e thellë të besimit
Përshëndetja e Zj.Myftari aktiviste e gruas në komunitetin bektashian për diasporën
Zj. Migena Myftari: “Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim dhe përkushtim ndaj vlerave të larta njerëzore. Sakrifica është një akt që na lidh me historinë e thellë të besimit dhe na tregon se dashuria dhe përkushtimi për Zotin shprehen përmes veprave të mira.”
Të nderuar pjesëmarrës!
I nderuar kryetar i Komisionit të Teqesë, Baba Rexheb, z. Mynyr Nazifi
I nderuar myrshidi ynë, Baba Eliton Pashaj!
I nderuar z. Ekrem Bardha!
Të nderuar motra dhe vëllezër të komunitetit tonë bektashi këtu në Teqenë e Shenjtë Baba Rexheb në Amerikë.
Përshëndetje të nderuara motra, vajza dhe nëna të ardhura sot në këtë sallë të bekuar!
Kjo ditë e shenjtë, e cila shënon përfundimin e Haxhit dhe nderon sakrificën e Profetit Ibrahim (a.s), është një thirrje për reflektim dhe përkushtim ndaj vlerave të larta njerëzore. Ajo tejkalon ritualet dhe traditat, duke bërë që besimtarët të mblidhen për të reflektuar mbi vlerat e besnikërisë dhe dashurisë. Sakrifica, në zemër të Kurban Bajramit, është një akt që na lidh me historinë e thellë të besimit, duke na dhënë një mësim të rëndësishëm: besimi kërkon sakrificë. Ky rit flijimi është një përkujtim i fuqishëm se si dashuria dhe përkushtimi për Zotin shprehen përmes veprave të mira.
Këto vepra i kanë karakterizuar kaherë nënat, vajzat dhe motrat shqiptare bektashiane, që pikërisht në këtë ditë na bëjnë më të ndjeshme të kuptojmë se si dashuria për Zotin dhe për njerëzit rritet përmes punëve konkrete. Ne jemi krahu mbështetës për çdo grua bektashiane, duke hapur portat për çdo nëne apo motër shqiptare, kushdo qoftë besimi. Në një botë ku shpesh harrohet rëndësia e solidaritetit, kjo festë na kujton se çdo veprim i vogël i mirësisë ka ndikim të madh në jetën e të tjerëve. Si festë e përmotshme, Kurban Bajrami e tejçon kufijtë e një feste; është një thirrje për të jetuar me dashuri, të jemi më të mirë, të jemi më të hapur ndaj të tjerëve dhe të ndihmojmë pa hezituar ata që janë në nevojë.
Teqeja jonë Baba Rexheb këtu në Amerikë këtë mesazh shpirtëror e ka tejçuar për vite me radhë, duke hapur dyert e dashurisë së Haxhi Bektash Veliut dhe duke mbajtur çiragun e pashuar të familjes profetike së Ehli Bejtit për çdo bektashian. Ky është një veprim i vogël i mirësie me një ndikim të madh shpirtëror.
E pra, kjo është esenca e Kurban Bajramit, një festë që na bashkon në një rrugëtim të përbashkët drejt një bote më të mirë, duke na frymëzuar të jetojmë me dashuri dhe përkushtim.
Le të festojmë këtë ditë me zemra të hapura dhe të angazhohemi për të përhapur mirësinë dhe dashurinë në çdo hap të jetës sonë.
Korrespondent “Zëri Bektashian”
Detroit 7 Qershor 2025
