
Majlinda Lipi/
Si mësuesja e parë dhe e vetme e kursit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në qytetin e Katerinit, kur zgjodha profesionin e mësueses nuk e kisha menduar kurrë se do kisha punën më të bukur për një mësues,t`u mësojë fëmijëve në mërgim gjuhën e nënës. Jam lindur dhe rritur në qytetin ku u lindën serenatat, në Korçë. Në një qytet në formë zemre, ku kitarat netëve marrohen (ashtu siç e përshkruan edhe poeti i madh korçar S.Rusi.
Lojrat e fëmijërisë në rrugicat me kalldrëm, vitet e bukura të adoleshencës , edhe studimet e mia janë të lidhura ngushtë me qytetin e kulturës dhe të dijes.
Kam mbaruar studimet e larta për Gjuhë – Letërsi në Fakultetin e Mësuesisë në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë. Jam diplomuar në Master në Mësimdhënie po në Universitetin e Korçës. Gjithashtu, pa u shkëputur nga mësimdhënia të cilën e adhuroj, kam mbaruar studimet në Institutin e Formimit Profesional, dega Parashkollor në qytetin e Katerinit, ku jetoj prej shumë vitesh.
Kam mbrojtur gjuhën greke në universitetin “Aristoteli” në Selanik dhe jam anëtare e Klubit të Shkrimtareve (femra) në qytetin e Katerinit që nga dita e krijimit të tij.
Pjesë e trajnimeve të ndryshme në shtetin grek, që përqëndrohen në studimin e aspekteve psikologjike të procesit edukativ e arsimor në institucionet shkollore, në vlerësimin dhe trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin parauniversitar dhe veçanërisht në integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla .
Kam marrë pjesë në seminare të shumta të organizuara për dygjuhësinë, metodologjinë dhe teknikat bashkëkohore të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.
Anëtare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi që nga viti 2017, prej vitesh anëtare e Këshillit Drejtues dhe që prej vitit 2022 vazhdoj të jem anëtare e kryesisë dhe zëdhënëse shtypi e LMSHG-së.
Mësuese e certifikuar në regjistrin shtetëror të mësuesve të Diasporës,miratuar nga Ministria e Diasporës së Shqipërisë dhe pjesë e projektit “Mësues për Greqinë”.
Gjuha shqipe si formë e identitetit kombëtar
“Shqiptarët duhet të kenë si qëllim ruajtjen e gjuhës shqipe, që është edhe themel i godinës sonë shtetërore. Sa më i fortë që të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina. Humbja e gjuhës vë në pikëpyetje edhe identitetin kombëtar”. Janë këto disa nga fjalët e profesorit tim të dikurshëm që nuk i kam harruar kurrë dhe sot që jam në mërgim mendoj se janë më të vlefshme se kurrë.
Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe është jo vetëm e madhe, por e domosdoshme për të gjithë shqiptarët kudo që jemi, sepse jo vetëm pasurohemi me dijet dhe shprehjet e bukurise së gjuhës shqipe, por edhe e lartësojmë nivelin kulturor e njëkohësisht i mbrojmë dhe i forcojmë rrënjët e krenarinë e qenësisë shqiptare.
Për të inkurajuar mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e diasporës, të gjithë bashkë ne mësues, prindër e të afërm duhet të përpiqemi të zgjojmë interesin për gjuhën shqipe. Të synojmë ruajtjen e identitetin kombëtar, përçimin e vlerave tona kombëtare tek fëmijët.
Historiku i kursit shqip
Kursi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kultures shqiptare “Sevasti Qiriazi”, në qytetin e Katerinit (Greqi) funksionon prej 7 vjetësh dhe për herë të parë në këtë qytet. Është një nga kurset e shumta që mësuesit anëtarë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi kanë hapur për t`u krijuar mundësinë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë mësimin falas të gjuhës shqipe.
Mësimi zhvillohet online në fundjavë me fëmijë të moshës nga 6 deri në 12 vjet. Janë kryesisht fëmijë që i përkasin brezit të tretë të emigrantëve. Duke qenë se fëmijët i përkasin moshave të ndryshme edhe zhvillimi i mësimit ka vështirësitë e veta.
Ajo që doja unë të theksoja është fakti që, pavarësisht moshës të gjithë fëmijët e njohin pak ose aspak gjuhën shqipe.
1-Pra, për të gjithë fëmijët ne synojmë njohjen sa më të mirë të tingujve, të shkronjave dhe një artikulim sa më të pastër të tyre.
2-Synojmë që fëmijët të kenë aftësinë që të shkruajnë dhe të flasin bukur gjuhën shqipe.
3-Synojmë që të zhvillojmë tek fëmija kompetencën e të shprehurit dhe të komunikimit në gjuhën shqipe.
4-Synojmë gjithashtu që të ruajmë dhe të zhvillojmë identitetin kombëtar, përçimin e vlerave tona kombëtare tek fëmijët.
Por si realizohet kjo?
Është vetë mësuesi ai që duke u bazuar tek nxënësi, mundohet të bëjë një gërshetim, një ndërthurje të lojës me detyrën. Është mësuesi arkitekti i orës së mësimit, është ai piktori që i jep ngjyra tablosë së tij për ta bërë sa më të bukur, sa më tërheqëse për nxënësin.
Mësuesi mundohet ta bëjë orën e mësimit sa më produktive, sa më argëtuese, që të mbledhë tek zgjoi bletët e vogla.
Edhe pse mësimi zhvillohet online, nxënësit e kursit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe “Sevasti Qiriazi”, Katerini, janë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet festive që janë zhvilluar online nga LMSHG-ja. Kanë qenë përkrah moshatarëve të tyre nga të gjitha qytetet e Greqisë duke recituar e kënduar në gjuhën shqipe. Festa e 7-Marsit Ditës së Mësuesit, festat e 28-29 Nëntorit, festa e Ditës së Gjuhës Amtare ka bërë bashkë dhe në një zë të gjithë bijtë e vegjël të shqipes.
Gjithashtu në orën e mësimit ne jemi përpjekur të zhvillojmë aktivitete dhe projekte të ndryshme . Këtë e kemi realizuar në dy mënyra: duke përfshirë nxënësit e të gjitha grupeve, ose duke realizuar projekte vetëm me nxënësit më të rritur të cilët kanë një nivel më të lartë të kuptuari dhe të shprehuri të gjuhës shqipe.
Përgjatë viteve aktivitetet kanë qenë të shumta, por po përmend vetëm aktivitetet dhe projektet e këtij viti shkollor, të cilat kanë qenë të veçanta për nxënësit .
Javën e fundit të muajit tetor ndjemë aromën e letërsisë shqipe në një udhëtim përmes punimeve të nxënësve, të cilat sollën në jetë bukurinë e fjalës dhe artit.
“Tetori – Muaji i Letërsisë” ishte tema e projektit që nxënësit e rritur të kursit kishin përgatitur me kujdes të veçantë. Zgjodhëm të punonim së bashku antologjinë me pjesë të zgjedhura “Shko dallëndyshe”, pjesë e paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare ”, niveli 1 .
Fëmijët me shumë dëshirë përzgjodhën secili nga një poezi prej librit duke krijuar një punim të veçantë , të bukur e plot me ngjyra. Kënaqësia më e madhe për mua si mësuese, ishte dëshira dhe përgatitja e një punimi të thjeshtë nga duart e fëmijëve më të vegjël , të cilët bashkë me motrat dhe vëllezërit e tyre më të rritur sollën mesazhe të bukura nga kjo antologji si: “Leximi na ndihmon të rritemi, të mësojmë dhe të ëndërrojmë më shumë”!
Në javën e Kongresit të Manastirit me nxënësit e rritur folëm për Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë. U njohëm me pamje nga mjediset e brendshme të këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore. Gjithashtu folëm për mësuesit që çelën Mësonjëtoren e Parë Shqipe më 7 Mars të vitit 1887.
Duke i kushtuar rëndësi të veçantë figurës së mësuesit, si përhapës i dritës dhe diturisë, nxënësit u njohën me mësuesen që çeli Shkollën e Vashave në vitin 1990. Emri i saj është mjaft i njohur dhe i rëndësishëm për nxënësit tanë.
Kursi ynë mban emrin e një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare, të Sevasti Qiriazit, mësueses së parë shqiptare. Nxënësit u njohën me jetën dhe veprimtarinë e saj. Mësimi u shoqërua me materiale të ndryshme të përgatitura për Muzeun Kombëtar të Arsimit, për mësuesen e parë të vashave Sevasti Qiriazin dhe me ese të nxënësve të titulluara “Mësuesja ime”.
Në fund të orës së mësimit nxënës që e kishin vizituar Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë treguan përshtypjet e tyre dhe të gjithë së bashku ndoqëm filmin artistik shqiptar”Mësonjëtorja”.
Nxënësit e rritur, u njohën me figura të rëndësishme pjesëmarrëse në Kongres, me idetë dhe përfundimet që nxori Kongresi i Manastirit:
Përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
“Të drejtat tona”, ishte tema e projektit që zhvilluam ditën e shtunë me të gjithë nxënësit e kursit .
Mësimi pati në qendër 20 Nëntorin – Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, ku ndër të tjera nxënësit u njohën edhe me Konventën e Fëmijëve. Zhvilluam lojëra të ndryshme si loja: ” E drejtë apo shkelje” dhe ndoqëm video të cilat i njohën nxënësit me të drejtat dhe detyrat e tyre. Gjithashtu fëmijët prezantuan punimet dhe vizatimet që kishin përgatitur dhe në të njëjtën kohë lexuan disa nga të drejtat e fëmijëve që kishin shkruar.
Gëzuar festat Shqipëri! Kështu titulluam aktivitetin e organizuar në kuadër të festave tona kombëtare.
Festuam të gjithë së bashku veshur me ngjyrat e flamurit shqiptar, vizatuam, recituam dhe kënduam për Shqipërinë tonë të dashur.
Ne jemi të gjithë të barabartë!
Kjo ishte tema e projektit që zhvilluam me nxënësit e rritur të kursit të gjuhës shqipe “Sevasti Qiriazi”, Katerini, zhvilluar në kuader të 3 Dhjetorit – Ditës Botërore të Njerëzve me Aftësi Ndryshe.
Përgjegjësia jonë si njerëz është të japim dashuri, mirësi dhe mbështetje aty ku duhet.
Humaniteti është një vlerë që lind në zemër dhe rritet sa herë që ne bëjmë mirë.
Humaniteti na pasuron shpirtin dhe na bën më të ndjeshëm, më solidarë dhe më njerëzorë.
Prandaj, ne si mësimdhënës nuk duhet të japim vetëm dije, por duhet t’i edukojmë nxënësit të jenë edhe humanë.
Humanizmi na bashkon, na mëson të vlerësojmë tjetrin dhe krijon një shoqëri më të ndjeshme e më të drejtë.
Secili prej nxënësve krijoi një poster plot mesazhe, ku shprehu mendimet e tij dhe mbështetjen ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Kjo ditë u shndërrua në një mësim të fortë njerëzor:
Të jemi më pranë njëri-tjetrit, të shohim përtej vështirësive dhe të besojmë se çdo hap i vogël sjell shpresë.
T’i mësojmë fëmijët të jenë njerëzorë!