Në 100 vjetorin e Pavarsisë…
Nga Fritz RADOVANI/
NE FOTO:KISHA E VAUT DEJES 1967 /
Gjuhej me top Shkodra, gjuhej me top Rozafa, gjuhej me top Katedralja…e gjylet binin ku u mbushej mendja, veç kur hapej gropa e copat e mishit të njeriut fluturonin me buca dheu…
Kam lexue tre libra per “Rrethimin e Shkodres” të viteve 1912 – 13 të shkruem nga Gjino Berri, Don Ndoc Nikaj dhe At Justin Rrota, ku tregohet me saktësi ajo që ngjau nga shteti fqinj i Malit të Zi kunder një grushti Shqiptarësh, të pushtuem 500 vjet nga turqit, po që ishin zgjue nga gjumi në Prillin e vitit 1911, atëherë kur Dedë Gjo’ Luli me Trimat e Tij, e jo me pak gjak, ngriti në maje të Deçiqit Flamurin e Gjergj Kastriotit me Shqipen dykrenare.
Me daten 11 Nandor 1912 filloi lufta nga malazezët. Shkodra fillon shek. XX me “racion buke”, ndoshta pa u kujtue se ashtu do t’a mbyllte atë të zi shekull. Gjithshka rrokolliset poshtë në mjerim, skamje, uri dhe frikë. Buka, drutë dhe qymyri kontrollohen nga shteti turk, i cili i jep ata tue perfitue ryshfete të panjohuna deri atëherë. Ftyrat e qeshuna të shkodranëve hyjnë nën hijen e zezë dhe të pashpresë të tymit të zi, që shperthen bashkë me flaken zharitëse të predhave.
Me 12 Mars 1913 gjuhet me 20 predha Kisha e Madhe ku ishin të strehuem mbi 1000 vetë e ku humbin jeten 9 shkodranë. Mbrendë bie edhe zjarri. Me daten 14 bienë poshtë edhe dy kumbonë nga kompanjeli i gjuejtun me top dhe i kapun flakë. Lypsit e bukës janë në çdo qoshe.
Me daten 23 Prill 1913 Shkodra, e shterngueme nga uria, dorezohet… Një shkodran po lypte bukë. Një roje malazeze e sheh dhe e pyetë: “Sa lypë, pse nuk vret veten?”…Qytetari e sheh dhe i pergjegjet: “Nuk kam armë!” Gjendari i tha: “Na armen time!”…Shkodrani merr armen dhe vret veten. Gjendari merr iken kur e sheh të shtrimë perdhe…Shkodrani thrret: “Jepni armen atij gjendarit dhe falnderonje prej meje!” Gjino Berri shenon: “Mbrojtja ma e madhe e nacionalizmit ishin gjokset e shkodranëve…Të ngjeshuna dhe të papushueme ndiheshin qitjet e mauzerreve ruse me të cilat ishin paisë ushtarët malazezë.” Njerzit marrin iken… Qyteti vazhdon i robnuem.
Krajl Nikolla nuk bani luftë pa një qellim të vetin! Deshira e tij ishte që Shkodra të ishte kryeqyteti i Malit të Zi dhe jo larg mbasi të kanalizohej Buna, me kenë edhe porti detar ma i madh dhe ma i randsishem në detin Adriatik. Ai vdiq pa e realizue andrren e vet. Pengesa e tij e pakapercyeshme kje Austro – Hungaria, e cila jo vetem ndihmoi në formimin e një inteligjencës së mirfilltë në qytetin e Shkodres, por edhe krijoi kushtet e Pavarsisë në vitin 1913.
Mbas tradhëtisë së Esad Pashë Toptanit dhe vazhdimësisë së rrugës së Tij nga Ahmet Zogu, Shkodra ra në doren e zaptuesëve ilegalë, por të njohun dhe të perkrahun nga sllavët.
Në kjoftë se Krajl Nikolla mendoi me varë bashkpuntorin e Dedë Gjo’Lulit, klerikun At Mati Prennushi dhe i fali jeten me nderhymjen e At Gjergj Fishtës, Ahmet Zogu vari Don Gjon Gazullin dhe ishte i pangopun me vuemjen në litar të vetem “një” kleriku katolik Shqiptar.
Në vitin 1941 kur Enver Hoxha krijon PKSh, me porosi e nen drejtimin e Titos, premtimi i parë ishte shkatrrimi dhe mjerimi i pashembullt i Qytetit Shkodres, tue u konsiderue si qender e nacionalizmit dhe e katoliçizmit, po i cilsuem nga të dy palët “pengesa kryesore per triumfin e komunizmit në Shqipni…” sepse Atdhetarët dhe Kleri Katolik nuk pajtoheshin as me pretendimet e shovenistëve sllavë, as me pushtimin e Shkodres nga dora e tyne anadollake me masken komuniste të Titos dhe të Stalinit, i deklaruem “baba i pushtuesëve bolshevikë” të Popullit Shqiptar. Në vitin 1913, një nder lagjet ma të damtueme ishte ajo e Badrave, pra rruga ku kam lé, ku numroheshin afro 100 te vdekun nga malazezët. Në janarin e vitit 1945 vetem në Luften e Kelmendit kunder Atdhetarit Prekë Cali,
mbrenda muejt, komunistët Mehmet Shehu, Shefqet Peçi etj., kanë masakrue dhe vra 118 Malësorë që ua kanë tretë dhe trupat e Tyne nder prroska “me urdhen të shokut komandant”, siç ka deklarue tradhëtari vrasës komunist Koçi Xoxe.
Në 1913 gratë shkodrane që do të lindnin fëmijë u larguen nga Shkodra, per mos me pasë raste vdekjesh nga zhurmat e topave të malazezëve…dhe një nder Ata që ka lé në Vaun e Dejës në atë vit asht kenë Imzot Ernesto Çoba. Ndersa mbas vitit 1944, shefi i sigurimit të rrethit Shkodres, Zoji Themeli i thotë në hetuesi Prof. Sami Repishtit që “kur të permendet emri komunist do të bëjmë që të dridhet foshnja në barkun e nënës!”…Prandej edhe në Shkodren e dy vjetëve të pushtimit komunist, në vitin 1946, kishim 26 burgje të diktaturës komuniste, ku vritej e torturohej inteligjenca, tregtarët, studentët, djelmë e vajza të familjeve Atdhetare Shkodrane pa dallim feje, veç mjaftonte deklarata e “urrejtjes” antiatdhetare dhe plumbi të çonte në gropat e zeza të Zallit të Kirit… Nuk do të hy me shpjegue se çfarë bahej me qindra familjarë të Atyne Burrave që moren malet apo u arratisen me shpetue nga plumbi. Ata që u privilegjuen aso kohe ishin agjentët e sigurimit të shtetit, të kudondodhun dhe ndonjë komunist që kishte mbetë mbrendë në kurthën e tyne gjatë viteve të luftës e që pothuej të gjithë u zhduken deri 1954.
Në vitin 1967 nen masken e luftës kunder Fesë, Shkodra peson rrenimin ma të madh që ka pasë nder shekuj, tue u rikthye në një qytet ku mbizotnonte vorfnia, frika, padija dhe terrori. Drejtuesi fanatik anadollak Ramiz Alia drejton këte “Revolucion kultural” tue shkatrrue të gjitha objektet fetare dhe kulturore, ndersa ndaj Klerit Katolik, me porosi nga Enver Hoxha, ai ka krye Gjenocid ndaj një grupi fetar e shoqnor të caktuem tue pushkatue dhe mbytë nder burgje vetem mbas vitit 1967 edhe 12 Klerikë Katolikë dhe tue denue e ridenue me shumë vite burg dhe interrnim edhe 23 Klerikë të tjerë, prej të cilëve ka nga Ata si Don Nikollë Mazrreku apo Don Mikel Koliqi, që kanë ba ma shumë se 37 apo 38 vjetë burg e internim…
Mbas vitit 1967 në Shqipninë e Gjergj Kastriotit nuk kishte ma Asnjë Kishë Katolike…
Ndoshta, as turqit, as shovenistët sllavë, dhe as kinezët nuk e kanë mendue këte…
Atëherë..!?