
Nga Cody Cassidy – Përshtatur në shqip për botim: Rafael Floqi/
Qerret – dhe rrotat e tyre – nuk mund të ishin ndërtuar me faza. Ose funksionojnë, ose jo. Dhe ky shpikim u dha njerëzve mundësinë të përhapeshin me shpejtësi në pjesë të mëdha të botës.
Qindra mijëra vjet përpara shpikjes së rrotës, një hominin me fat të keq shkel mbi një gur të lirë apo mbi një trung të paqëndrueshëm dhe – vetëm një çast para se të rrëzohej – zbuloi se një objekt i rrumbullakët e zvogëlon fërkimin me tokën. Kjo përvojë e pashmangshme shpjegon përhapjen universale të rrotulluesve në antikitet: thjesht trungje të vendosura poshtë objekteve të rënda për t’i lëvizur. Egjiptianët dhe mesopotamianët i përdorën për ndërtimin e piramidave dhe transportimin e pajisjeve të rënda; polinezianët për të lëvizur statujat moai në Ishullin e Pashkëve.
Por rrotulluesit ishin joefikasë – duheshin zëvendësuar vazhdimisht dhe fërkimi i bënte të vështira për t’u shtyrë. Zgjidhja gjeniale ishte boshti. Megjithëse rrotulluesit ishin të lashtë, nuk ka prova që dikush, kudo, kishte shpikur sistemin rrotë-bosht përpara një qeramist të zgjuar rreth 6,000 vjet më parë.
Boshti më i vjetër i zbuluar nuk gjendet në një qerre, por në një rrotë qeramike në Mesopotami. Ky është shembulli i parë i njohjes së faktit që qendra e një disku që rrotullohet është e palëvizshme – dhe se kjo mund të përdoret mekanikisht. Një vëzhgim gjenial, pa ndonjë analogji të qartë në natyrë – ndoshta i frymëzuar nga një rruazë që rrotullohej mbi një fill? Boshti u bë kështu një nga përparimet më të mëdha mekanike në historinë njerëzore.
Megjithatë, ndërmjet rrotës së qeramistit dhe një qerreje funksionale kishte një tjetër kapërcim intelektual: përdorimi i dy rrotave të montuara për të lëvizur një objekt. Dhe qerret e para, mesa duket, ishin lodra. Rrotat më të vjetra të njohura gjenden nën figurina të kafshëve prej balte, rreth 5 cm të gjata.
Në korrik 1880, arkeologu Désiré Charnay zbuloi një lodër me rrota në një varr aztek në jug të qytetit të Meksikos: një figurë kojoti me katër rrota, vendosur si kujtim në varrin e një fëmije. Ai shkruan se lodra ishte një kujtim i një “nëne të dashur … që, shekuj më parë, e varrosi me fëmijën e saj të dashur”.
Çuditërisht, shpikja e rrotës si lodër ndodhi në mënyrë të pavarur si në Botën e Vjetër, ashtu edhe në atë të Re. Disa arkeologë janë skeptikë që një shpikje kaq madhështore të ketë lindur nga dëshira për të luajtur, por inxhinierët nuk janë. Ata e konsiderojnë logjike që një shpikje e tillë të jetë testuar fillimisht si model i vogël – një praktikë e zakonshme inxhinierike edhe sot.
Qerret e mëdha u shfaqën rreth 5,400 vjet më parë dhe shumë shpejt u përhapën nga Iraku jugor deri në Gjermani – një fenomen “viral” në një botë ku kulturat ishin zakonisht të izoluara. Sipas antropologut David Anthony, madhësia dhe fuqia e këtyre makinave prej druri ishte mbresëlënëse: “Mund të kenë qenë makineritë më të mëdha që njerëzit kishin parë ndonjëherë.” Të tërhequra nga qe – kafshët më të mëdha të stepave – qerret bënë bujë.
Rrotat e para nuk ishin të njëjta: njëra kishte bosht të fiksuar si në trenat modernë, tjetra rrotullohej lirshëm si në automjetet moderne. Anthony sugjeron se disa ndërtues i kopjuan pa i parë nga afër.
Pasojat shoqërore dhe ekonomike ishin të menjëhershme: bujqit mund të punonin më shumë me më pak njerëz; komunitetet u përhapën përtej lumenjve në stepat e paeksploruara. Qerret ndryshuan ekonominë, stilin e jetesës, luftërat dhe gjuhët. “Vështirë të mbivlerësohet rëndësia e parë e qerres në transportin tokësor,” shkruan Anthony.
Por kush e shpiku këtë mjet? Studiuesit kanë emërtuar shpikësin me emrin Kweklos, apo Kay, një fjalë e rindërtuar nga gjuhëtarët historikë si termi i mundshëm për “rrotë” në Proto-Indo-Europianishten (PIE), që rrjedh nga folja “të rrotullohet”.
Kay mendohet të ketë jetuar rreth 5,400 vjet më parë, ndoshta në rajonin e stepave të larta në jug të Rusisë së sotme. Në një varr të kulturës Yamnaya, është gjetur një njeri i varrosur mbi qerren e tij – ndoshta vetë Kay.
Gjuha e folur nga Yamnaya ishte Proto-Indo-Europianishtja, dhe shumë fjalë për rrotat dhe boshtet janë fjalë autoktone, jo të huazuara. Kjo sugjeron se shpikja ndodhi në një komunitet PIE-folës. Kay ishte fermer, rritës kafshësh, pinte mjaltë të fermentuar, dhe ndoshta mbante rroba prej leshi. Ai adhuroi një perëndi mashkull qiellore, sakrifikonte kuaj e lopë, dhe jetonte në fshatra të vogla pranë lumenjve.
Sipas ADN-së së Yamnaya-ve, Kay kishte sy kafe, flokë të errët (ndoshta të kuq) dhe lëkurë me nuancë ulliri. Ai ishte trupmadh e i muskujve – një burrë fshati që e kishte skalitur trupin me punë të rëndë.
Por as geni, as forca nuk mjaftonin: Kay ishte mjeshtër. Rrota dhe boshti kërkonin precizion. Nëse rrota ishte prerë në formë “sallami” nga një trung, ajo dështonte – fibra e drurit nuk e përballon peshën nga anash. Zgjidhja e Kay-t ishte një rrotë e ndërtuar nga disa dërrasa të prera vertikalisht dhe të bashkuara me kujdes.
Dhe gjithçka duhej të funksiononte menjëherë. Nuk kishte faza eksperimentimi – ose funksiononte, ose jo. Por edhe rrotat e tij nuk do të kishin vlejtur pa qetë. Në mijëvjeçarin IV p.e.s., kultura Maykop në Ukrainë filloi t’i përdorë meshkujt e kastruar të gjedhëve si kafshë pune. Zbutja e tyre ishte e dhunshme, dhe jetët e drejtuesve të qerreve ishin po aq të rënda – shumë prej tyre kanë mbetje kockore me fraktura të shumta.
Kur Kay vendosi qetë përpara qerres së tij druri, 1 metër e gjerë me 2 metra e gjatë, me rrota që rënkonin, ai nuk ndërtoi vetëm një mjet – ai ndryshoi botën. Nga fshatrat e ngjeshur, Yamnayanët nisën të shpërndaheshin në stepat e gjera euroaziatike.
Sot, ndikimi i tyre ndjehet ende. Rreth 45% e popullsisë botërore flet gjuhë që rrjedhin nga PIE – përfshirë anglishten, gjuhët sllave, latine, sanskritishten, dhe gjuhën shqipe.
Dhe ndoshta, ndërsa udhëtonte me qerren e tij, Kay kishte me vete edhe një “pasagjer” të padukshëm: bakterin Yersinia pestis, paraardhësin e murtajës së zezë. ADN e gjetur në dhëmbë 5,000 vjeçarë tregon se Yamnaya mund ta kenë përhapur pa dashje këtë armë biologjike teksa lëviznin drejt Europës.
Qoftë nga sëmundja, qoftë nga ndonjë aksident, Kay vdiq. Por ndryshe nga shumë shpikës të antikitetit, ai mund të jetë kujtuar edhe gjatë jetës së tij. Dhe ndoshta, ai ishte njeriu i parë që u varros mbi shpikjen e vet.