
Jonila Godole/
Më 20 shkurt 1991 u rrëzua statuja e Enver Hoxhës në Tiranë. 34 vjet më vonë, Johannes Kessler, një gazetar gjerman, kthehet për të zbuluar “të vërtetën” – dhe për të kërkuar Martën. Ajo që gjen nuk është një përgjigje e vetme, por versione të ndryshme të së njëjtës ngjarje: kujtime që nuk përputhen, dosje të paplota, heshtje që peshojnë po aq sa dokumentet. A ishte një akt spontan, apo një skenar i planifikuar? Çdo personazh – përfshirë edhe vetë statujën – e tregon ndryshe atë ditë. Në fund, pyetja nuk shtrohet më se “çfarë ndodhi”, por “si kujtohet ajo që ndodhi”.
Kjo është, pak a shumë, linja e romanit tim më të ri, “Manual rrëzimi” që rrëfehet si një kaleidoskop historish njerëzore: mes fajit, heshtjes, dashurisë dhe kujtesës, në Shqipërinë e djeshme dhe të sotme.
Kur pesë vjet më parë nisa të mblidhja çdo informacion që më binte në dorë për këtë ngjarje, nuk e dija se do të përfundonte në një vepër letrare. Librin e kam shkruar pothuajse me një frymë, për javë të tëra. Në një moment, personazhet më morën prej dore dhe më drejtuan në shtigje të tjera, të parrahura edhe për mua, që mendoja se e zotëroja temën. U jam mirënjohëse atyre, si dhe miqve e kolegëve që ndihmuan me sugjerime të vyera, ndër ta Kastriot Dervishi Dhurata Shehri Ervisa Paloka Armando Babani Çelo Hoxha Florin Zyberaj, etj.
Falë shtëpisë botuese ALBAS #ManualRrëzimi vjen së shpejti në Panairin e Librit dhe në librari.