Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin prej 41 faqesh në të cilin argumentohet rrëzimi i aktit normativ të qeverisë për ligjin e nëpunësit civil.Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se ky akt normative është i papajtueshëm dhe në shkelje të parimeve të Kushtetutës dhe se ekzekutivi në këtë rast ka marrë kompetenca që i takojnë legjislativit.
“Urgjenca ‘thjesht subjektive’ e Qeverisë nuk mund të justifikojë përdorimin e institutit të dekretligjeve: ndonëse Qeveria ka një hapësirë të gjerë diskrecionaliteti, nevoja dhe urgjenca janë koncepte që nuk janë imune nga kontrolli kushtetues në kontekstin e kufizimeve të vendosura nga Kushtetuta.
Nisur nga vlerësimet e mësipërme, Tribunali Kushtetues spanjoll ka shfuqizuar dekretligje për mungesë të urgjencës, duke evidentuar se akti mund të ndiqte rrugën normale të aprovimit të ligjit, mbi arsyetimin se arsyet “teorike dhe abstrakte” nuk justifikojnë një situatë të jashtëzakonshme dhe urgjente nevoje (shih vendimin nr. 68, datë 28.03.2007 të Tribunalit Kushtetues spanjoll). Në vështrim të sa më sipër, Gjykata vlerëson se aktet normative mund të përkufizohen si instrumente ligjore të miratuara nga qeveria, bazuar në parashikimet kushtetuese, të cilat i njohin pushtetit ekzekutiv kompetencën për të zgjidhur situata të veçanta, subjekt i mbikëqyrjes së rreptë parlamentare. E drejta e pushtetit ekzekutiv për të ushtruar autoritet me anë të akteve normative me fuqinë e ligjit duhet të justifikohet në çdo rast me praninë e rrethanave të veçanta që e bëjnë të nevojshëm miratimin e rregullimit urgjent. Situatat e jashtëzakonshme, të cilat përcaktojnë legjitimitetin kushtetues të këtyre akteve qeveritare, përkufizohen në raport me nevojën dhe urgjencën e zgjidhjes së një situate, natyra e veçantë e së cilës nënkupton se duhet të merren masa të menjëhershme nëse duhet parandaluar një rrezik serioz publik”, thuhet në vendimin e Gjykates.