
Në Selinë Qendrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në New York, pritëm me respekt Kushtrim Shytin, djalin e mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, i cili po qëndron në një vizitë private në New York. I shoqëruar nga aktivisti i shquar i komunitetit shqiptar z.Shpend Gjocaj, editori i Diellit e njohu z. Shyti me historikun dhe veprimtarinë e Federatës “Vatra”, e cila që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme ka qenë zëri i fortë dhe autoriteti moral e shpirtëror në shërbim të kombit dhe çështjes shqiptare në mërgatën e Amerikës. Editori e njohu z.Shyti gjithashtu me rolin e jashtëzakonshëm të gazetës Dielli si tribunë e mendimit intelektual, atdhetar, patriotik e kombëtar. Biseda vazhdoi gjatë rreth figurave të shquara kombëtare që kanë drejtuar Vatrën, Diellin e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z. Kushtrim Shyti është magjistër i shkencave juridike dhe kandidat për doktoratë në Fakultetin Juridik, si dhe aktualisht ushtron detyrën e gjyqtarit në Republikën e Kosovës.