TIRANË, 20 Mars- Ish-kryeministri Sali Berisha tha sot në Kuvend se marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar është një lajm tragjik për shqiptarët, pasi zbatimi i saj do të pasohet me rritjen e një numri taksash në kurriz të tyre dhe ngrirje të pagave.
“Shqiptarëve, me marrëveshjen me FMN-në do t’iu rriten taksa të tjera. Nuk ka lajm më tragjik se ky për qytetarët që do të varfërohen në mënyrën më të pamëshirshme kur të mësojnë se do t’u rriten taksat, mes tyre çmimi i energjisë dhe ujit”, tha z. Berisha.
Ai kërkoi që marrëveshja me FMN të vijë sa më parë në parlament, pasi sipas tij Fondi ”ka përcaktuar një seri kushtesh për qeverinë për shkak të mosbesimit total që ky organizëm ka tek qeveria”.
Ai propozoi modifikimin e rendit të ditës të kalendarit trejavor të Kuvendit, ku së pari të përfshihet marrëveshja me FMN-në, që siç tha Berisha, ‘parashikon rritje të dhjetë taksave dhe ngrirje të rrogave’.
Ndërhyrja e sotme në parlament e z. Berisha u shoqërua me një fjalor tepër të rëndë dhe fyes në adresë të kryeministrit Edi Rama.
Kjo shkaktoi reagimin e fortë të drejtuesit të seancës, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta i cili e këshilloi deputetin Berisha të ruajë etikën në parlament.
‘Aq më tepër sot, tha Meta, kur është dhe Dita Ndërkombëtare e Lumturisë gjithë ato etiketime nuk shkojnë. Ne nga ju presim që të jeni dhe një model i etikës parlamentare për shkak të eksperiencës. Nëse ne bëjmë ndonjë gabim, ju nuk duhet të bëni gabimet tona. Kjo nuk është një shaka e denjë për staturën tuaj”, iu drejtua kryeparlamentari Meta, ish-kryeministrit Sali Berisha
Sadik Elshani says
Fjalori i ndyre dhe sjelljet e pahijshme, jodinjitoze nuk duhet te kene vend ne Kuvendin e Shqiperise dhe ne skenen politike shqiptare, madje as ne rruge. Ish Kryeministri Sali Berisha (e kam perkrahur kur ka bere pune te mira dhe do ta perkrah kur do te beje pune te mira) beri mire qe u largua nga pozita e kryetarit te PD-se, tani do te bente edhe me mire sikur te largohej edhe nga detyra e deputetit. Nese jo, atehere ai duhet te sillet me dinjitet ashtu sic i ka hije nje burreshteti, nje ish Kryeministri per dy mandate dhe nje ish Presidenti (Kryetari) per nje mandat. Kjo keshille vallazerore vlen edhe per Kryeministrin e tanishem dhe cdo figure tjeter publike. Ne Kuvendin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, shqiptaret u mblodhen per ta shpetuar Shqiperine dhe jo per ta fyer njeri-tjetrin. Merrni shembull nga keto ngjarje te rendesishme historike, nga ato figura te ndritura te Kombit tone. Duhet ta permbajme veten dhe te gjykojme e diskutojme me gjakftohesi e jo me zemerim e nevrikosje.Te merremi seriozisht me problemet madhore te Kombit tone.