-Veseli: Nuk ka forcë që na ndalë në rrugën tonë të forcimit të demokracisë e të shtetit ligjor/
PRISHTINË, 15 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, si tradicionalisht, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur dyert për të gjithë qytetarët, të cilët dëshirojnë të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe të njihen me punën përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, si dhe ka organizuar një varg aktivitetesh që e afirmojnë ndërtimin e demokracisë.Në ceremoninë qendrore të hapjes së kësaj dite, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë krenarë që sot shënojnë Ditën e Demokracisë.
Veseli tha se Kosova ka arritur suksese të mëdha, falë angazhimit të gjeneratave të tëra dhe mbështetjes së partnerëve të qëndrueshëm të saj, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Kryetari i Kuvendit shtoi se në këtë rrugë janë bërë edhe gabime, ndërsa shtroi nevojën e rritjes së përgjegjësisë kundruall qytetarëve.
“Nuk ka forcë që na ndalë në rrugën tonë të forcimit të demokracisë e të shtetit ligjor”, theksoi kryetari Veseli.
Ai falënderoi organizatat partnere të Kuvendit, me theks të veçantë USAID-in, NDI-në dhe KDI-në, të cilat, me mbështetjen e tyre po ndihmojnë në avancimin e demokracisë dhe rritjen e transparencës.
Drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope theksoi se hapja e dyerve të Kuvendit për qytetarët është pikërisht gjëja e duhur që duhet të bëhet në këtë ditë, duke mundësuar kështu forcimin e lidhjeve midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.
“Është ky vendi më i duhur ku duhet të shënohet kjo ditë, prandaj përgëzoj Kuvendin që ka ndërmarrë këtë iniciativë, për promovimin e pjesëmarrjes qytetare në zhvillime. Kemi një sallë bukur të madhe me shumë njerëz dhe zëra, dhe ky është një shembull tipik i asaj se si duhet të funksionojë demokracia”, theksoi Hope.
Edhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës-KDI, Ismet Kryeziu, vlerësoi bashkëpunimin midis Kuvendit të Kosovës dhe organizatës që ai drejton, duke konfirmuar thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të tij.
Në kuadër të këtij aktiviteti, u ndanë edhe çmimet për nxënësit fitues në garën për pikturën më të mirë, të organizuar nga Kuvendi.
Në axhendë janë edhe: Hapja e Panairit të organizatave të shoqërisë civile; aktivitetet e Grave Deputete; promovimi i platformës “Vota ime”; Promovimi i punëtorive të demokracisë; kuizi i demokracisë “Demokracia 2030”; ekspozita e pikturës me temë “Demokracia 2030” (u ndanë edhe çmimet për nxënësit fitues në garën për pikturën më të mirë, të organizuar nga Kuvendi); konferenca për lançimin dhe promovimin e Planit të veprimit për kuvend të hapur dhe transparent; shfaqja e filmit dokumentar “Çka do të thotë Demokraci për ju”, të përgatitur nga OSBE; shfaqje teatrale me temë “Demokracia dhe pjesëmarrja qytetare”.