Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ Grupet parlamentare të partive të koalicionit qeverisës, përfshirë minoritetet, zhvilluan pas mesnate seancën në një “sallë” të improvizuar-byfe brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, derisa në sallën e seancave po qëndronin deputetë të opozitës. Seanca e Kuvendit u mbajt në katin e pestë të Kuvendit të Kosovës, ku Policia-sigurimi ka pamundësuar shkuarjen e deputetëve opozitarë, po edhe mediave.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sonte, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, vendosi që seancë e ndërprerë të premtën në orën 16:00, të vazhdonte sonte.
Ndërsa, pas diskutimeve të nënkryetarëve dhe kryetarëve të grupeve parlamentare lidhur me gjendjen aktuale dhe nevojën e tejkalimit të kësaj situate, Kryesia, me katër vota pro dhe një kundër, vendosi që, në mbështetje të nenit 67.6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të nenit 41, paragrafi 4 të Rregullores së Kuvendit, në pamundësi të mbajtjes së seancave plenare, më 17 shtator 2015, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna e seancës plenare, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, të kërkohet veprim plotësues, duke përfshirë ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë, për sigurinë, shëndetin e deputetëve dhe mbarëvajtjen e punimeve të seancës plenare.
Ky vendim u është dërguar për zbatim Kryeministrit, Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.