
Nga Tony Sufaj/
Kuvendi i Përgjithshëm Zgjedhor i VATRËS i mbajtur në New York ishte një ndër Kuvendet më të suksesshme për vendimet që u morën dhe objektivat që u vendosën për të ardhmen. Vatra po forcohet dhe bashkohet çdo ditë e më shumë. Vatra me degët e reja dhe anëtarët e rinj po krijon një traditë të shkëlqyer dhe shpresë për çdo shqiptar dhe në trojet etnike. Me daljen nga pandemia globale, Vatra Toronto do të forcohet edhe më tej duke përfaqësuar shqiptarët më të suksesshëm e patriotë në Kanada. Në vlerësimin tim Kuvendi i New Yorkut ishte me arritje historike pasi Kanunorja e re forcon Vatrën dhe e ruan nga problematikat që e kanë shoqëruar ndër vite. I shpreh mirënjohje delegatëve të Kuvendit, Komisionit, dhe çdo vatrani për punën e shkëlqyer për të mirën e Vatrës e komunitetit tonë. Uroj kryetarin Berisha për fitoren dhe për projektin patriotik për të udhëhequr Vatrën në shekullin 21. Vlerësoj Alfons Grishajn, Agim Rexhën, Besim Malotën e Tasim Rukon për bisedat e gjata dhe projektet përbashkëta për Vatrën. E falënderoj në mënyrë të veçantë Editorin Sokol Paja për pritjen në Vatër dhe punën kolosale në transformimin e Diellit dhe rritjen e gazetës në cilësi. Dielli është Pasqyra e Vatrës dhe e tillë duhet mbështetur, dashuria e Konicës dhe Nolit për Atdhe të na bashkojë sa më shumë rreth Vatrës dhe jo të na përçajë, frytet punës duken qartë në Vatër e Diell dhe Dielli i Vatrës ndriçon më shumë se kurrë. Kush nuk don Vatrën dhe vatranet nuk don të mirën e kombit tonë, Vatrën e Diellin, historinë tonë, identitetin e trashëgiminë e shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë. Vatra Toronto ka projekte të fuqishme për shtrirje në komunitetin tonë në Toronto, Montreal dhe Quebek dhe shtim të anëtarëve me fokus të rinjtë dhe elementin femëror. Zoti e bekoftë Vatrën dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Unë nga zemra bëj thirrje që të gjithë Shqiptarët nga gjithë bota të kemi një Vatër të fuqishme me shumë vlera. Fryma patriotike e Konicës & Nolit mos të humbet kurrë por ajo të rritet dita ditës.
*Kryetar i Degës së Vatrës Toronto-Kanada.Tony Sufaj