
Kuvendi, si një institucion klasik i organizimit shoqëror është i lashtë sa edhe historia e njerëzimit. Nga eposet e lashtësisë përmend: “… Perënditë u këshilluan… dhe Gilgameshi… mori pjesë në Kuvendin e hyjnive”. Ndërsa për ne shqiptarët Kuvendet janë një traditë e aq lashtë dhe e thellë sa edhe historia jonë. Kuvendet lidhen me specifikat etno-psikologjike dhe gjenezën e fillimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Ishte Kuvendi i Lezhës, i mbajtur si sot 578 vjet me pare, me 2 Mars 1444, më i shquari, në të cilin u mblodhen prijësit e Principatave apo princat e Arbërit. Ky Kuvend hodhi bazat e shtetit të parë të mirëfilltë shqiptar, faktorit bazë për një komb, shtetit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ku arbëreshë të një gjuhe, një gjaku dhe tradite u bashkuan nën një shtet dhe një flamur.Nën shembullin dhe frymëzimin e Kuvendit të Lezhës u mblodhën më pas Kuvendi i Dukagjinit, Kuvendi i Kuçit, Kuvendi i Arbërit, Kuvendi Dibrës, Kuvendi i Frashërit, Kuvendi i Gjirokastrës, Kuvendi i Prizrenit për të përfunduar me Kuvendet e Republikës së Shqipërisë dhe atë të Kosovës.Nën këtë frymëzim dhe traditë të lashtë sa hyjnore, aq edhe shqiptare, Federata jonë Vatra, përgjatë 110 viteve të historisë së saj, ka pasur si gurin e themelit, organin e saj më të lartë vendim-marrës, Kuvendin Mbarë-Kombëtar. Aty u mblidhen “Princat” e degëve të Vatrës së bashku me të zgjedhurit delegatë, përfaqësues të shqiptarëve patriotë, shqiptarëve nacionalistë dhe bamirës. Më të fundit ndër Kuvendet shqiptare, Vatra mbajti tre ditë më parë Kuvendin e saj të rradhës, si shembëlltyra më e mirë e kombit të bashkuar, ku Shqipëria, Kosova, Malësia, Çamëria mblodhën bijtë e vet më të mirë nga diaspora.Dëshira dhe padurimi në rradhë të parë për t’u mbledhur, për t’u takuar me njëri-tjetrin pas dy viteve të një pandemie vrastare, ishin ndjenjat fillestare të cilat përcollën vatranët gjatë udhëtimit të tyre nga shumë shtete të ndryshme të Amerikës dhe Kanadaja për në New York.Impenjimi dhe padurimi është evident dhe i dukshëm edhe këtu në Michigan para nisjes. “Gjeneral” Alfonsi thotë: “Bother Lumaj, brother Rakaj e brother Floqi, duhet me shku nji ditë përpara, për me pushu pak, me taku miqtë tanë në Nju Jork, dhe me u pregatitë mirë për me kenë sa ma dinjitozë në Kuvend”.Një ditë para Kuvendit u mblodhëm pothuajse të gjithë bashkë, ku të ‘zotët e shpisë”, anëtarët e degës e qendrës në New York, me të parin Elmi Berisha, si dikur motit, hapën krahët, zemrat dhe kuletën në një drekë pune e cila vazhdoi deri në orët e vona.Dita e Kuvendit fillon e bardhë, jo vetëm nën këmbët e delegatëve tek shklasin velën e borës që mbulonte gjithandej tokën, por më e bardhë në zemrat dhe mendjet e tyre, e bardhë dhe e bekuar me gjithë qëllimet dhe objektivat e tyre për të realizuar në këtë Kuvend. Një nga një dhe në grupe u mblodhen delegatët si dasmorë, secili, më shumë se një individ, një energji pozitive, një vlerë intelektuale, një vlerë atdhetare që nuk tjetërsohet dhe të gjithë bashkë një aset i çmuar i kombit. Është më fat kombi shqiptar që ka për mburojë këta burra dhe gra idealistë të shqiptarizmit. Përgjegjësia dhe disponimi i organizatorëve ishte i dukshëm, pasi ky Kuvend vinte dy vjet mbas një Kuvendit të suksesshëm të Vatrës në Michigan, që këtë ta bëjnë edhe më mirë. Organizimi i Kuvendit në Qendrën Kulturore Iliria, i jep atij kuptimin original, “Një Kuvend në Iliri”.Kuvendi hapet embël dhe butë me përshëndetje, urime dhe fjalë zemre nga të ftuarit e shoqatave dhe miqve të Vatrës dhe vazhdon me diskutime të zjarrta, debate dhe kundërshtime fjalime impulsive pa pasur ndonjë kujdes për të fshehur pasionet, se domosdo: “e ka një damar Shqiptari”.I pari i Kuvendit, thërret për një pushim i shoqëruar nga një çudi kolektive; ‘Pushim!!!. Po nuk jemi të lodhur”. Megjithatë binden dhe në grumbuj mbushin korridoret. I shikon vatranët që t’i kenë harruar për pak çaste debatet duke u bërë lozonjarë, shkëmbejnë biseda dhe të qeshura nganjëherë edhe fëminore.Kuvendi kësaj rradhe konsiderohej si një gur kilometik i trajektores së Vatrës, jo vetëm se kombinon me jubileun e 110 vjetorit të themelimit të saj, por edhe për faktin se është pregatitur që më parë, një ligji i ri i Vatrës apo një Kanunorje e re. Për rreth 100 vite Kanunorja e Vatrës nuk ndryshoi, sigurisht falë mendjeve të ndritura të kombit, Konicës dhe Nolit. Ndryshimet në kohë dhe mentalitet kërkojnë një rregull të ri, një përmirësim apo përshtatje që të gjithë e ndienin se ishte tashmë e nevojshme. Megjithatë Kanunorja e Konicës mbetet prapë aty, një relike ari, e pavdekshme dhe e paprekshme, e cila sipas Nyjës së fundit të ligjores së re “…i bashkëngjiten njëra-tjetrës”. Mbas miratimit, delegatët sikur çlirohen nga një barrë e mundimshme, shohin njëri-tjetrin në sy sikur pyesin: “A do të jetë aq e mirë sa e para? Sa do ti rezistojë viteve”?! Koha është gjykatësi më i mirë ose sikurse thoshte im-atë:”Fundi dalt’ hajër”.Maratona e diskutimeve vazhdon. Zgjedhja e prinjësit të ri është një sfidë tjetë. Ndër delegatët ndihet pak lodhja e një dite të gjatë, por më e madhe është dëshira për t’ia dalë mbanë.Kandidatët lexojnë programet e tyre lakonike, të përqëndruar në pika të përgjithshme dhe më pas votimi i fundit i Kuvendit. Delegatët folën me votë duke i dhënë edhe një herë birit të Kosovës, Elmi Berisha, të drejtën t’i prirë Federatës Vatra, kësaj “Perandorie të shqiptarëve në mëgrim”, sikurse e quan një vatran në Michigan.Më pas darka, “bukë e gjithë të mirat dhe me zemër të bardhë”, e shtruar enkas dhe gratis për të vatranët. Të gjithë pa përjashtim shprehnin gëzim dhe kënaqësi, më shumë për suksesin sesa për përfundimin e Kuvendit, pasi nuk duan të ndahen. Por vjen edhe momenti i ndarjes, por jo i lamtumirës. Vatranët përshëndeten me njëri-tjetrin ashtu all-shqiptarëshe, shtrëngime të forta të duarve, rrahje shpatullash dhe puthje ne faqe. “Shihemi së shpejti vëlla”, -thote njëri. -“Jo dhe aq shpejt”, thotë tjetri, “ e bëmë çdo katër vjet tashti”.“Ehhh, jepma edhe nji herë dorën dhë faqen”, dhe shpërndahen vatranët në terr si kandilë të ndezur përpara një dite të re shprese për kombin.Nga Valentin Lumaj,Michigan, 2 Mars 2022