… “Dua fjalë që të mos poshtërohen, fjalë që nuk vyshken. Dua gjëmba e rrënjë, në të cilat shumë rrallë mund të duket ndonjë gjethe, por fjalët e tjera nuk i dua…” Mjaft me fjalët që i merr era…/
Nga GIAN ANTONIO STELLA/
“N’errësirë fjalët peshojnë dyfish.”, ka shkruajtur Elias Canetti. Asnjëherë më parë nuk ishim kujtuar sa në këto ditë. Ditë në të cilat të gjithë mund të gjejmë veten në një tjetër prej shënimeve të shkrimtarit të madh, të përmbledhura në librin Provinca e njeriut. Shënime në të cilat ai bënte thirrje: “Dua fjalë që të mos poshtërohen, fjalë që nuk vyshken. Dua gjëmba e rrënjë, në të cilat shumë rrallë mund të duket ndonjë gjethe, por fjalët e tjera nuk i dua…” Mjaft me fjalët që i merr era…
Qartësi. Për këtë italianët ndjejnë nevojë. Duan të kuptojnë. Duhet të kuptojnë. Më së fundi, më mirë se sa të dëgjojnë fjalë siguruese, të paracaktuara të përgënjeshtrohen shpejt, siç ndodhi me fjalinë e virologes Maria Rita Gismondo (“Qe një shpëlarje truri kolektive…. Kur e gjithë kjo të ketë mbaruar, do të porosis një varëse t’artë me formën e koronavirusit”) parapëlqejnë maturinë e ndershme të shkencëtarëve si Alberto Mantovani: “Koronavirusi është një armik i panjohur. Nuk e njohim. Të bëhen asgjë rreziqet është shkencërisht e gabuar, madje e rrezikshme”.
Dalja kobzezë e Christine Lagarde, presidente e BQE që, pak ditë më parë, shkaktoi rënien drastike të bursave nëpërmjet një fjalie të gabuar në çastin e gabuar, duke detyruar të ndërhynte edhe vetë kreu i Shtetit, qe vërtetimi i fundit për të satën herë i faktit se si fjalët, për t’a thënë me librin e Carlo Levit, janë me të vërtetë gurë. Jeta jonë, prej shumë vitesh, merret me një klasë politike që jo vetëm nuk ka kundërshtuar poshtërimin e gjuhës së vendit, të paditur nga njerëz të shtatit të Tullio de Mauro apo Francesco Sabatini, por e ka shoqëruar, gudulisur. Përfundimi është se fjalët dalëngadalë kanë humbur kuptimin.
Kemi lexuar e dëgjuar gjithshka në tridhjetë vitet e fundit. Fyerjet kundërshtarëve të krahasuar me Stalinin, Goebbelsin, Hitlerin e Pol Potin. Britmat shtazarake në sallat parlamentare të kthyera shpesh në mejhane grindavecësh sherrxhinj: “Hale! Je një hale! Hale!”, “Pushtër! Të shitur! Pushtër!,” “Je një kurvë!”, “Çakall komunist!” e të tjera. Deri në fyerjen në rrugë të një kreu Shteti, Oscar Luigi Scalfaro: “Me një pordhë do t’i nxjerr bojën”. Një barbarizim i pandalshëm, që do të kishte shkandulluar edhe njerëz me gjykime të ashpra si Filippo Tommaso Marinetti që kapej me Gabriele d’Annunzio duke e vulosur si një “budalla xixëllues”.
E sa herë që dikush shkandullohej , fyhej me një zgërdhimje, sikur të bëhej fjalë për ankesa të shpirtërave të bukur: “E çfarë kam thënë vallë?”. Deri edhe akuzat Evropës që ishte, simbas Umberto Bossit, “një diktaturë naazikomuniste”, kaloheshin si një shaka e asgjë më shumë: “E çfarë kam thënë vallë?” Kuptohet vetiu se pse kur Webi filloi të mbushej me plehra antisemite, një ministër Drejtësie arriti deri aty sa të udhëhiqte rebelimin kundër atyre që në Bruksel mendonin për një ligj që të dënonte racizmin: “Jo. Në demokraci një qytetar duhet të ketë të drejtën të thotë marrëzitë më të mëdha që beson”.
Ose të shtjerë në fushatat zgjedhore, kuptohet, premtime gjithënjë e më mahnitëse. Një milion vënde pune. Dy milionë vende pune. Nga një çark dhëmbësh për të gjithë. Nga një shtëpi secilit. Zhdukje të burokracisë. Fshirje të varfërisë. Të gjithë duke i shkuar pas Cettos gjithfarësh: “Do u japim njëmijë euro çdo njeriu. Dymijë! nuk do të ketë më fatura të gazit dhe, shtoj do t’i heqim edhe ato të dritave. Poshtë kopracia, hajt! T’i lyejmë shtëpitë e të gjithëve. Falas!”.
Ditë mbas dite, për inat të një pakice të vullnetëshme, fjalët prej guri që bëjnë një Shtet serioz janë zbrazur deri sa janë bërë shumë shpesh të lëngëta, të avullta, të mekura. Të kota. Të kthyeshme si një mushama me dy ngjyra. Një tweet, një postim, një video flash, një fjali e drejtë, e gjithshka mund të fshihet. Çdo kompetencë. Çdo studim. Çdo bindje shkencore. Reset. Hajt. ”Mbi shumë të rinj e djelmosha, me bashkëpunimin e shumëve”, ka shkruar gjuhëtari Massimo Arcangeli, “zotëron një minimalizëm pop në emër të të cilit do të duhej të rrëzohej gjithshka që duket si pengesë kërkesave të një komunikimi sa depërtues po aq refraktar për të pranuar vetëm një grimcë të mendimit të ndërlikuar”. “Fjalët, uffa!”.
E megjithatë kujton Papa Françesku, “fjalët nuk janë asnjanëse, dhe as i lënë kurrë gjërat siç janë. Nuk lindin në tavolina, në sallonet e mira të rretheve të mbyllura dhe të vetëparaqitura. I japin më mirë zë vlerave kulturore e shpirtërore të rrënjosura në kujtesën e përbashkët të një populli, të cilit i kthejnë fuqi të re. Pjellshmëria e tyre është e lidhur me një bashkëndarje të jetës; është e përpjestuar me gatishmërinë me të cilën ne pranojmë të lihemi të pyetemi e të trazohemi nga realiteti, nga gjëndjet e historitë e njerëzve.”
Ja pra, nëse ka ndonjë dhuratë që këto ditë të tmerrshme mund të na lenë është kjo: rifitimi, mbas kaqë gumëzhimash e poteresh e përçmimi të kompetencave, të fjalëve që kthehen të kenë një peshë.
“Corriere della Sera”, 15 mars 2020 E përktheu Eugjen Merlika