Nga Lulzim BASHA/
Këtu ku sot jemi mbledhur, për t’i dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë.
Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë.
Sepse sot, të gjithë së bashku, jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm dhe të pabesueshëm.
Na duket sikur nga çasti në çast, do të zgjohemi nga ky makth dhe nga kjo gjëmë e papritur. Nuk na besohet dot të mos e shohim Sokolin gjithnjë në këmbë, gjithnjë në krye, me pamjen e tij të vendosur e të hijshme, me buzëqeshjen e tij të rrallë, ku çiltërsia rinore u kishte rezistuar për mrekulli viteve të moshës së burrërisë dhe pjesëmarrjes së zjarrtë në sa e sa beteja politike.
Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lotë dhe dhimbje dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur.
Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë.
Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij, apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi:
Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh!
Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja.
Sokoli shkëlqeu si gazetar politik e opozitar i paepur, ku për vite të tëra, ndër më të vështirat për Partinë Demokratike, ai çmontonte dhe denonconte intrigat politike që tkurreshin kundër nesh dhe u jepte kurajo radhëve tona.
Na jepte kurajo kur ishim në pakicë dhe kur forca të errta kërkonin me çdo kusht të na zhbënin si forcë politike e të mirës dhe si ndërtimtare të Shqipërisë europiane.
Sepse, ai e dinte që në moshën 18-vjeçare si bashkënismëtar i lëvizjes së Dhjetorit, se misioni dhe roli i Partisë Demokratike, ishte një mision i madh, i patjetërsueshëm dhe i shenjtë.
Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd dhe kriminal që Diktatura i bëri familjes së tij.
Por jeta e tij shoqërore dhe politike, dëshmoi se ai e kish bërë një betim, një betim që e mbajti të gjithë jetën e tij:
Të luftonte për të drejtat demokratike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që askush më të mos persekutohej dhe të vuante si vuajti ai dhe familja e tij.
Dhe ne jemi sot këtu për të premtuar përmes dhimbjes dhe lotëve, se betimi yt Sokol, është edhe betimi ynë!
Për aq sa do të kemi frymë dhe jetë!
Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë të liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dlirë dhe të pastër rinore.
Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre.
Në këtë dhimbje kaq të rëndë që na hape o miku dhe vëllai ynë, pasionant i poezisë, artit dhe muzikës, mjeshtër i fjalës dhe i debatit, parlamentar i dimensionit të guximit, ministër vullnethekurt, baba, bashkëshort, djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, na krijove një brengë të pashërueshme.
Përulemi thellë në këtë trishtim dhe në këtë zymtësi të papërshkrueshme që vdekja jote na shkaktoi. Në këtë traumë të rëndë që mungesa jote na shkakton deri në kockë.
Por je dhe do të jesh gjithmonë për ne, impuls dhe forcë, një zë i dashur dhe një mik i përjetshëm, një deputet i shtrenjtë i popullit tonë, një djalë dhe një baba i pazëvendësueshëm.
Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla.
U prefsh në paqe!