SOT, SHËRBIMET FUNERALE, TË SHTUNËN MESHA DHE CEREMONIA E VARRIMIT/
Nga Dalip Greca/DIELLI/
Siç ka njoftuar gazeta Dielli, me 5 Janar 2021, në New York, ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare poeti Luigj Çekaj. Komuniteti është njoftua se sot e Premte 8 Janar 2021, nga ora 2.00 pm – 9 .00 pm, trupi i të ndjerit do të pushojë në Shtëpinë Mortore Farenga Brodhers INC në adresën: 920 Allerton Ave, The Bronx, NY 10469(Tel -718-654-0500).
Mesha e Dritës do të kremtohet ditën e Shtunë, 9 Janar 2021, në Orën 10.00 am në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Më pas organizohet ceremonia e varrimit në varrezat “Gate of Heaven”, në adresën 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY.
***
Luigj Kolë Çekaj u lind 28 Maj 1950 në Shkrel të Malësisë së Madhe, në fshatin Bzhetë, Çekdedaj. Ai u rrit jetim që nga mosha 2 vjeçare pasi babai Kola, për t’i shëptuar përndjekjes nga diktatura komunsite u arratis në SHBA. Siç e ka rrëfyer vetë në librin e tij “Unë Vij nga Shkodra”, Luigji 2 vjeçar përfundoi me gjithë nënën dhe motrën 6 muajshe të lidhur në djep në degën e punëve të brendshme në Shkodër. Shkëpus nga parathënia e librit shkruar prej meje në Janar 2004, koha e botimit të librit voluminoz prej 450 faqesh: ”Babai i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes , kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja shkonte për t’u kryqzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë Çekaj,e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një fëmije 2 vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”
…Në burg qëndruam vetëm 5 ditë. Nëna ime nuk më ka folur asnjëherë për torturat, që iu bënë asaj në burg, ndoshta thjesht nuk ka dashtë t’më egërsojë me shtetin….
Në nënshtresat e kujtesës së Luigjit, janë ruajtur pamjet tronditëse, ku në oborrin e degës së brendshme ishin grumbulluar më shumë se 30 familje”armike” të Shkodrës, të cilat degdiseshin në Gulagët e Myzeqesë apo kampin skëterrë të Tepelenës…Pikërisht përpara asaj mase të pafajshme shpirtrash të përvujtur, ka gjetur çastin kryetari i degës së brendshme të Shkodrës, i cili pasi ka vënë gishtin tregues mbi fëmijën 2 vjeçar, ka nisë një ligjërate, ku ka zbrazur të gjithë oratorinë e vet komuniste:”E shikoni se çfarë trëndafilash të njomë lënë pas armiqtë e popullit?…Trëndafila që më pas, ne i kthejmë në gjëmbaçe…”
Dhe djali i pafajshëm 2 vjeçar, që nuk ka kuptuar se ç’ndodh, ka kapur ca zaje (gurë të vegjël”, që ka gjetë përreth, dhe i ka hedhë në drejtim të oratorit gjithë zemrim….
E gjithë jeta e Luigjit u end nën ankthin e biografisë së babës së arratisur. Edhe pse e shkëputën nga nëna, për t’u përkujdesur për të daja dhe njerëzit zemërmirë të fisit, atij nuk iu hoq prej vetes përndjekja e biografisë; e kreu shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos me pushkë druri e nën mbikqyrje të rreptë si biri i armikut, ku ishin të gjithë bijtë e “armiqëve”, dhe kur mundi të niste studimet me shkëputje nga puna në një çast zbutjeje të luftës së klasave, ata që shihnin biografitë me lupën e partisë, e thirrën dhe i kumtuan urdhërin: Ka qenë gabim, ti nuk mund të studiosh në shkollë të lartë! Largohu!
Një nga poezitë e vëllimit poetik”Vjeshta në aeroporte”, titullohet” BIOGRAFIA”. Ka vetëm 8 vargje; as 20 fjalë, por i thotë të gjitha:
BIOGRAFIA
Ndër shpikjet më të çmendura të këtij shekulli
Biografia,
Alkimi, sjellë fshehtas që nga Uralet larg…
Observatorët,
Teleskopët,
Tërë radioskopia
Njolla e gaverna
Zbuluan më pak…
Në shpinën tërë gjak…(1975)
Dhe Luigji nuk shpëtoi nga mbikqyrsit e biografive, as në momentin, kur mendohej se ia kishin harruar arratisjen e babait…Ja si i ka përjetuar momentet e vështira tek i libri i tij i parë poetik, “Vjeshta në Aeroporte”, ku botohej dhe poezia e shkruar që më 1975:
“Në prill vjen urdhëri: përjashtim nga Universiteti!
Në maj vjen urdhëri tjetër:të pushohet nga puna!
Dhe në qershor i treti: të dëbohet nga qyteti!
Kështu që dekanati, shefi i kuadrit, policia,
Shpirtrat tanë si dreqër i përzinin nga Shqipëria…
Në këto vargje përmblidhet kuintsentenca e fëmijërisë dhe rinisë së vrarë të Luigj Çekajt, i cili me kurajo denoncoi të keqen, krimet komuniste që kishte lënë pas në Shkodrën e tij dhe në të gjithë Shqipërinë.
Më 1998 Luigji botoi librin me perla poetike”VJESHTA NË AEROPORTE” i shkruar me dhimbjet e shpirtit, që u prit mirë nga bota letrare, por që ende prêt të studiohet nga kritika e munguar. Libri doli në dritë 5 vjet pasi Luigji kishte mërguar në SHBA (mërgoi më 1993).
Më pas, 2004, botoi librin “Unë vij nga Shkodra”. Isha nga lexuesit e parë që në dorëshkrim dhe iu përgjigja pozitivisht kërkesës së tij për t’i shkruar parathënien. Për 10 vite sa isha editor tek Gazeta Illyria, Luigji ishte ndër bashkëpunëtorët më të mirë, ku botonte poezitë e saposhkruara. Po ashtu kemi bashkëpunuar bashkë edhe në ngjarjet e komunitetit, siç ishte reportazhi i shkruar me rastin e ceremonisë së vendosjes së shtatores së Nënë Terezës në front të Kishës Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodrës” në Neë York, dhuratë nga vëllezërit Gojçaj. Reportazhi mbante si autorë emrat:Luigj Çekaj dhe Dalip Greca.
Duke qenë se për 10 vite jetonim afër njeri-tjetrit në Pelham Park,në fundjavë shiheshim shpesh dhe diskutonim rreth Letërsisë dhe krijimeve të Luigjit.Edhe libri i tij “Humor Shkodran ne Pelham Parkway”, ka kaluar fillimisht nëpër duart e mia.
Luigji ka kryer edhe detyrën e redaktorit në revistën kulturore letrare “Jeta Katolike”, ndërkohë që në kohëkrijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe artistëve Shqiptaro-Amerikan, ai u zgjodh sekretar i saj.
Luigji na iku shpejt. Kishte ende shumë për t’i dhënë kulturës shqiptare.
Lamtumirë mik i dashur! Pushofsh në Paqë!
Ngushëllime familjes!
New York, 8 Janar 2021.