Jetoje jetën sepse është e bukur (Lili)/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Largësia dhe ikjet tona me hir apo pahir nga Atdheu kanë dhimbjen e thellë brenda, kanë plagën e pashërueshme që mjerisht s’është gjendur ndonjë medicinë akoma, por kur kësaj largësie i prehet si me thikë ëndrra, atëhere duket sikur çdo gjë gangrenizohet dhe dhëmb, dhëmb gjer në asht…
Sot kuminiteti shqiptar në Amerikë humbi një mike dhe anëtare aktive të ndjerën Lili Qosen, një zonjë e bukur, me aromë gruaje. Në mëngjesin e hirtë telefonata e Ditës, e Lindës, Dëshirës dhe dhjetra shoqeve të tjera ishte me zë të dridhshëm, të përvajshëm, ishte për të ngushëlluar njera tjetrën për ikjen e një mikeje, për ikjen e një gruaje plot ëndrra në moshën më të bukur të saj, 45 vjeçe. Na la Lili do të thoshte dhimbshëm i prekur thellë bashkëshorti i saj Luani një artist elbasanas që po përjeton momentet më tragjike të jetës së tij së bashku me dy djemtë e tij.
Por bukuria e saj fizike, shija prej një artisteje, shpirti i bukur duket sikur e kanë larguar humbjen e saj në sytë tanë dhe brenda trurit tonë të shokuar ajo ulet si një Hënëz blu në muzgun njujorkez dhe na qetëson të gjithëve, na qetëson si një grua që ulet me trendafila në dorë dhe që s’i ndante kurrë.
Ajo u përball me sëmundjen e kancerit në gjoks, një sëmundje që është përhapur dukshëm dhe nga më të rrezikshmet qysh në shekullin e kaluar. Lili jonë kishte një shpirt artisti, ishte e dashuruar marrëzisht me të bukurën dhe këtë e ndjeje dhe në momentet e vështira që ajo po kalonte këto kohë si në shtëpi dhe së fundi në spital. Ajo të priste me buzëqeshje gruaje të bukur, i ndrinin sytë nga gëzimi kur të shikonte dhe mundësisht të ishje e veshur bukur dhe me
“make up”, ndryshe mund të ta rregullonte ajo fytyrën, që pakuptuar ishje tronditur paksa dhe ngrihej ashtu siç ishte në atë gjendje dhe si me frymën e shenjtë e gjente fuqinë, forcën dhe këndonte…
Po, po… Këndonte dhe vallëzonte aty ku ishte në krevat…
Ja më thoshte mua dhe Ditës që ishim të dyja pranë krevatit të saj, sa të bëhem mirë dhe do të shkojmë në një vend të bukur me natyrë vjeshte për një javë me pushime dhe atje do të këndojmë dhe kërcejmë. Unë po kërkoj në “Google” që ta rezervojë vendin, si thoni vazhdonte Lili?
Si për të na hequr ngurosjen ajo vazhdoi: Unë i kam thënë m’u hiq prej sysh kancerit, “ose e shante me bukur popullorçe ik o p…” se nuk je shoku im, unë e di që së shpejti do të shërohem. Ja vazhdonte Lili, unë jam e rrethuar nga ëngjëjt, ëngjëjt më vijnë përditë, më sjellin lule, më këndojnë dhe unë shërohem ngadalë, ngadalë… Të lutem i thoshte motrës na bëj një foto se e dua kujtim me to, dhe me dëshirën dhe pasionin e saj ne nuk ja prishnim. E kush ja prishte Lilit?
O Perëndi thoshja, ç’kurajo ka kjo grua dhe sa kurajo u jep gjithë shoqeve që e vizitojnë, dy motrave të mrekullueshme që i rrinin tek koka, bashkëshortit të saj Luanit dhe dy djemve xhevahirë.
Lili e ushqente kurajon dhe besimin tek Zoti dhe ninëzat e syrit dukeshin sikur flisnin dhe i kishin thënë frikës tutje, largohu, lëngo atje ku ke vendin!…
Dhe kishte të drejtë për kurajon, sepse sëmundja s’mundi t’ja prekte zemrën, s’mundi t’ja ndryshonte shpirtin, s’mundi t’ja hiqte shijen e të bukurës që e kishte në palcë të shpirtit, s’mundi t’ja hiqte buqetat me lule në dhomë, sepse Lili ishte aromë gruaje, sepse Lili është gruaja me trëndafila…
Lamtumire Lili, lamtumirë gruaja me trëndafila!
Dhjetor, 2015 2014
Brooklyn, New York
Sadik Elshani says
Ngushellime familjes! Bukuria, miresia dhe dashuria njerezore nuk treten kurre!