
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/
Një artist dhe njeri i jashtëzakonshëm, aktori, regjisori dhe dramaturg i shquar, Naun Shundi, tani na buzëqesh nga parajsa. Iku në një moshë fare të re, 66 vjec, në kulmin e energjive dhe të krijimtarisë. Nauni ishte demiurg i teatrit, një krijues bashkëkohor i kalibrit të madh, një artist i përkorë, nga ata që na vijnë shumë rrallë dhe i përkasin një race të pavdekshme artistësh. I kishte hije mençuria, zgjuarsia, talenti, imagjinata, fisnikëria, gjestet, fjala, loja aq fine në ngjizjen e figurave dhe karaktereve. Absolutisht i papërsëritshëm. Nga ata që krijuan kozmogoninë e teatrit shqiptar, me elementë modernë, novatorë, thellësisht origjinalë e të mahnitshëm. Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” e konsideron fat që bashkëpunoi me këtë artist të madh për vënien në skenë të dramës “Osman Taka”, në vitin 2023, një produksion i mrekullueshëm dhe i rrallë.
Nauni ishte nga ata krijues që i mjaftojnë vetvetes dhe që mbeten pjesë e trashëgimisë sonë artistike kombëtare. Ai e ka skalitur testamentin e përjetshëm me veprat e tij të shumta, si aktor, regjisor dhe dramaturg. Gjatë karrierës së tij mbi 45 vjeçare në teatër, krijoi mitin e tij artisik, ndaj do të ketë ringjalljet e veta, si një artist i mirëfilltë, në artin shqiptar, për t’i dhënë dinjitet e forcë teatrit dhe dramaturgjisë. Nuk ka dyshim se kështu do të ndodhë përherë. Saga e artistëve të tillë nuk mbyllet kurrë. Naun Shundi do të mbetet sa Njeriu-Artist, aq dhe Artisti-Njeri.
Fondacioni i shpreh ngushëllime familjes, miqve, bashkëshortes dhe vajzave të tij të dashura!
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë! Shpirti të ndriçoftë që nga thellësitë e Parajsës!