Valdete Cenalia (Dida)/
Kur ndodhesh larg vendlindjes tënde, kur largohesh, ndjen më shumë mallë, më shumë dhimbje, nostalgji për bukuritë shpirtërore e natyrore, traditat dhe kulturën e bukur të Hasit. Nga krahina e Hasit kanë prejardhjen Skënderbeu, ku Frang Bardhi në librin e tij ”Apologjia e Skënderbeut” në vitin 1636 mbron tezën e origjinës së Kastriotëve. Pal Hasin, ku dhe për mbiemër mban toponimin e rajonit të Hasit. Pjetër Bogdani i lindur në Gur të Hasit, është autori i prozës së mirëfilltë shqipe me veprën e tij “Çeta e Profetëve”.
Hasi ishte një, por tani i ndarë në dy pjesë. Kjo ndarje ndodhi pas Konferencës së Londrës 1913 si pasojë e luftërave ballkanike duke gjymtuar dhe shtuar dhimbjet në zemrat e hasjanëve, që për gjysmë shekulli nuk u panë. Hasi dhe vetë hasjanët njihen dhe identifikohen me traditat dhe zakonet mikëpritëse, nga dialekti karakteristik, veshja tradicionale, këngët, valet. Në vitin 1928 në Krumë u hap Internati “Kosova”, që shumë shpejt u bë një qendër e rëndësishme e arsimit dhe edukimit patriotik. Në Internatin ”Kosova” studiuan shumë figura të shquara nga Hasi, Tropoja, Luma dhe Gjakova. Ndër këto figuara të shquara studioi ishte mësuesi Isuf Duraku nga Demjani dhe mjeku popullor hasjan, Osman Cenalia që ishin ndër djemtë e parë hasjanë, që studiuan në Internatin “Kosova”.
Prefektura e parë ishte në Has me qendër në Krumë, ishte njohur si prefektura e Kosovës ku përfshinte të gjitha fshatrat e Hasit në të dy anët e kufirit, Tropojën dhe Lumën. Kontributi i hasjanëve qe i madh dhe në ditët e errëta të luftës ku u angazhuan në strehimin e kosovarëve të shpërngulur dhunshëm nga trojet e tyre, duke marrë pjesë direkt në frontin e luftës. Ndër djemtë e shumtë hasjanë mund të përmendim edhe Fatmir Rexhën që braktisi Amerikën dhe u rreshtua në radhët e UÇK-së për lirinë e Kosovës. Hasi, lirisë së Kosovës i dha edhe dëshmorët e vet, që sot kanë hyrë në historinë më të re të Kosovës. Hasi ka vende turistike të mrekullueshme siç janë: Bjeshkët e Krumës, Shpella e Dajçit, lumi i Krumës (Vrella). Vendi ku buron Vrella ka një pamje të mahnitshme. Hasit ia shkatërruan trupin e ia ndanë në shumë copash, edhe pse nuk po arrin askush të arnojë këtë plagë shekullore, ai po rikuperon plagët shpirtërore…