
Kosta Nake/
Kur lexon Lazgushin, natyrshëm mund të mendosh se poezia ka lindur atë mbrëmje të bukur, kur për minuta e minuta që fluturuan pa u ndier, njeriu u bë me krahë shpirti dhe iu afrua qiellit të kthjellët duke kaluar doganën e hënës dhe duke u futur në shoqërinë e yjeve të panumërt. Me siguri, kundruesi i radhës ka patur njohuri për filozofin gjerman Imanuel Kant që thonte: “E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen.”
Lazgushi shtyu mënjanë hënën, e mori me të mirë diellin duke e përfshirë në bashkësi kur shkruan “çduket yll’ i ditës” (f.87) për të shkuar më tej, tek yjet. Si poet i rritur buzë liqerit, ai krijoi një marrëdhënie të veçantë me qiellin e spërkatur me yje që u kthye në një brumë poetik për magjen e imagjinatës, ia mbushi shpirtin me frymëzim, ia mori me vete mendjen në shtigjet e kureshtjes, i dha krejt trupit të tij një përmbushje të thellë. Spektakli qiellor shërbeu si një skenë e hapur madhështore për një njeri të miredukuar që u përpoq të gjejë dhe të kuptojë vendin e vet në univers.
Qielli kundrohej prej poetit së pari në rrafshin teologjik, prandaj ajri, era dhe qielli ishin hyjnorë. Në anglisht ekziston dallimi i qiellit si fenomen fizik (sky) nga qielli si koncept fetar (heaven), kurse në shqip ky dallim është bërë nganjëherë me dyshen qiell – allah. Një qasje e tillë demonstrohet që në parafjalën poetike “Zog i qiejve” të krejt vëllimit, ku zogu bëhet shembëllim i poetit me deklarimin: “Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog i Qiejve, o Zot!” (f.17)
Kjo do të finalizohet me ciklin e posaçëm “Vallja e përjetësisë”, një lirishtë ku hedh valle besimi te Zoti dhe raporti i njeriut me të, ku qenia “merr dhe jep që Lart.” (f.113)
Koncepti fetar për qiellin pranon edhe shoqërimin me konceptin shkencor, kur, pasi ka deklaruar “Një yll përjetësie u ndez në shpirtin tim” (f.85) dhe ka sqaruar se “Ësht’ yll i dashurisë q’u ndez në shpirtin tim”, poeti i pyet: “Pse nuk ndaloni haj! rrotullimin tuaj!” Tek poezia “Vallja e yjve” ideja e lëvizjes rimerret duke lexuar edhe nëntekstin për marrëdhëniet njerëzore:
“…kurrë nuku mund
Ylli yllin që ta kapë,
Rrotull qiejve pa fund
Venë-e-vinë-e-venë prapë.”(f.107)
Mjaft interesant është krahasimi i yjeve me thëngjijtë e ndezur që pasohet me përfundimin befasues “prej mosgjëje zunë fill.” (po aty)
Është një marrëdhënie që ka filluar në agimin e qytetërimit, me hamendësime dhe përpjekje për të deshifruar misteret e largëta, vazhdon sot dhe do mbetet shteg i hapur edhe për të ardhmen, sepse përmasat e qiellit janë të papërfytyrueshme dhe të papushtueshme “në lartësirën e pamatë” (f.22), “nëpër qjell që s’ka mbarim/ as fillim, as fund, as anë” (f.108), ato do të mbeten vetëm gërvishtje të vogla shkencore dhe zbulime periferike që më shumë soditen dhe më pak nënshtrohen. Platoni dhe Aristoteli panë te yjet dëshminë e hyjnores që kapet me sy, manifestimin fizik të formave ideale dhe rregullit natyror. Yllësitë kanë qenë vazhdimisht objekte vëzhgimi, mjete të njësimit të kohës dhe burim i miteve e legjendave duke u kthyer në një thesar të çmuar. Në letërsi dhe arte yjet u kthyen në përfaqësues të shpresës, gëzimit, mbrojtjes, udhërrëfyesit dhe fatit dhe simbole të mrekullimit e frymëzimit, ushqyer nga mitet dhe legjendat, ata kanë çuar në shprehje dëshirash “me yje që bien”, apo “që zbret prej lartësije…dhe hyn në zemrën time” (f.23), te besimet popullore mbi fuqinë magjike, kurse njëri prej tyre, Ylli Polar, ka shërbyer si pikë orientimi për udhëtimet e largëta.
Me vëllimin poetik “Vallja e yjve” botuar një shekull më parë, Lazgush Poradeci bëhet eksploruesi i parë shqiptar i letrave që fjalë “liri” e kërkoi në qiell. Filozofia e qiellit kthehet në filozofinë e vetvetes sepse të dyja trupëzohen fizikisht dhe artistikisht me një densitet të madh fillim e mbarim vëllimit. Poeti ishte i detyruar të shihte qiellin, kudo ku ndodhej, edhe kur shëtiste pa qëllim bregut të liqerit, edhe kur e përfytyronte veten pranë detit të largët i cili, në këtë vëllim, e ka zhvendosur liqerin në vendin e dytë, ai është mjaft i pranishëm si një ekuivalentim i madhështores së qiellit në ngjyrë dhe në përmasa. Lazgushi e donte qiellin, trembej prej tij deri në “llaftari”, por edhe emocionohej pafundësisht. Qielli nuk ishte thjesht një qenie që mund të kufizohej në kufijtë e shtrënguar të reve, shiut, mjegullës, krijesave dhe objekteve fluturuese; ai ishte diçka që nuk mund të përkufizohej, diçka që nuk pranonte të formësohej sipas imazheve tokësore.
Duke ecur në vazhdën e trashëgimisë botërore, poeti i zbret yjet nga qielli në tokë në trajtë simbolesh, krahasimesh dhe metaforash dhe i organizon në vallen tokësore. Kur flasim për valle, karakteristika kryesore identifikuese e tyre është lëvizja, mjaftojnë dy vetë për të kërcyer, pastaj kërcimi kulmon te legjenda e atij trimit që e hodhi vallen e fundit të jetës i vetëm mbi një tepsi.
“Urdhëroj i Madhi Zot:
Zu ndrin yll’ i Shqipërisë.” (f.44)
Në këtë rast metafora mban brenda fatin e mirë të atdheut.
Ylli mund të përdoret si simbol i rinisë “Djalëri, heu, yll i ri!” (f.45) ose i së dashurës “Porsi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg” (f.99); mund të zbresë mbi ballin e dikujt për ta veçuar për trimërinë, metaforë e përdorur gjerësisht në rrëfenjat popullore; mund të bëhen simbol i bukurisë femërore “ndezur yll’ i ballit si yll shenjtërije” (f.62); mund të përshkojë udhëtimin krahasim – metaforë – paralelizëm figurativ:
“Syt’ e saj q’u mavijuan,
Jan’ yjt e qiellit të venitur.” (f.50)
“Syt’ e tu vetëtimtarët ndezin yj mbi valë detesh” (f.83)
Ndodh edhe lëvizja në kah të kundër, kur toka kthehet në furnitore për qiellin:
“Pa del në qjell një yll me dritë/ prejt shpirtit tim…” (f.90)
(Vëllimi poetik “Vallja e yjve” (1933) i Lazgush Poradecit, Vepra 1, Poezia, Tiranë 2009)