Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit, Skënderi dhe unë, ndërmorëm një akt simbolik, duke aderuar në LDK në Zvicër. Ashtu si ne, vepruan edhe figura të njohura. Jo se frynte era e pushtetit, por sepse frynte era e rrezikut, e Kosova rrezikohet nga mafia.
Kemi të paktën çerek shekulli, që si intelektualë e gazetarë e kemi ndjekur fatin e kësaj lëvizje politike kombëtare, e cila lindi e inicuar nga ajka e inteligjencies shqiptare në Kosovë dhe u udhëhoq nga lideri europianist Ibrahim Rugova.
E kemi përcjellë LDK-në, në çdo kohë, në ditë të mira e të liga, në ditë të trishta e të lumtura, në ditë ngrice e akullnajash. E kemi mbështetur LDK-në kur na këcënonin me jetë, edhe kur është treguar me ne e ashpër. Asnjëherë si homo politicus apo si homo sentimentalis, por si homo per la patrias. Nga pozita thellësisht të civilizuara dhe europiane. Nga pozita ku integriteti ynë është i pastër dhe i pacënuar. Si profesionistë, si krijues dhe si shqiptarë.
Kemi qenë vazhdimisht kritikë. Qëndrimi ynë kritik është bërë shumë i mprehtë kur Fatmir Sejdiu, për hire klanore, degjeneroi demokracinë brenda partisë dhe e shpartalloi trashëgiminë e Rugovës. Dhe, për këtë, në zgjedhjet e 2007, LDK humbi dy të tretat e elektoratit. Jo për fajin tonë. Por Sejdiut kjo nuk i prishi punë. Ai fitoi postin e presidentit dhe gjënë e parë që bëri sa erdhi në pushtet me Hashim Thaçin, ndikoi tek pronari i gazetës Bota Sot që pas dhjetë vitesh sakrificash dhe mundi, që nisën në 2008, në prag të masakrës të familjes të Adem Jasharit deri 2008, në prag të pavarësisë të Kosovës, të largonte nga gazeta kryeredaktorin dhe një nga editorialistet kryesore, që ishim Skënderi dhe unë. Merrni dhe botojini editorialet tona të përditshme gjatë këtyre dhjetë viteve, për të parë se sa libra bëhen, si dëshmi e historisë dhe punës tonë të ndershme. Gjatë këtyre dhjetë viteve prej 1998-2008, Bota Sot, u kthye në një institucion të fjalës të lirë. Nuk shkonte gjithçka perfekt, sepse po kalohej në ndryshime epokash, dhe ndikimi i një krahu të politikës në Prishtinë ishte destruktiv, por pikërisht në këtë periudhë, kjo gazetë arriti një shitje të paparë, që përbën rekord në historinë 100 e sa vjeçare të shtypit shqiptar, ku vetëm më Perëndim shitja ka arritur nga 120 mijë deri 200 mijë kopje tirazhi në ditë, në Kosovë 50 mijë kopje, në Maqedoni 20 mijë kopje e kështu me radhë. Për herë të parë gazetarët paguheshin për punën që bënin dhe gazeta mbijetonte me punën e vet. Në atë kohë gazeta kishte disa redaksi në Europë, SHBA, Shkup, Tiranë, ndërsa në redaksinë e Prishtinës ishin të punësuar të paktën 200 vetë. Rrënimi i gazetës nisi me largimin tonë. Gazetaria hulumtuese mund t’i vejë shumë mirë pikat mbi “i”.
E mbështetëm Isa Mustafën në prag të zgjedhjeve të 2010, me shpresë se ardhja e tij, do ta shpëtonte këtë parti nga kapja prej klanit më të egër që formohet prej emrave, të cilat elektorati i LDK-së në Kosovë nuk i do dhe i sheh si shkaktarë të humbjeve.
E kritikuam Isa Mustafën kur hyri në zgjedhjet e 2010 pa asnjë aleancë dhe duke ia lënë varur në qafë partisë figura që me gjithçka e kthyen LDK-në në mjet për arrivizëm dhe pushtet personal.
Qëndrimet tona kanë paralajmëruar pikë për pikë atë që ngjau në LDK, e cila ka patur çmim jo vetëm për partinë, por edhe për Kosovën. Paralajmërimet tona bënë që plehnajat, ata që LDK-së ia larguan elektoratin e Kosovës, të na shpallin «armiq».
Por ne vazhduam rrugën tonë. Dhe sot i kthyem sytë nga LDK në Zvicër, për hir të shpresës dhe të ardhmes së Kosovës. Si kemi vepruar gjithë jetën tonë. E bëmë këtë, sepse LDK-ja në Zvicër vetëm i ka dhënë Kosovës pa i kërkuar çmim për këtë, pa i kërkuar tendera dhe karrige deputetësh apo ministrash, i ka dhënë Kosovës që kur Kosova dukej krejt si e pashpresë, sipas asaj thënies së njohur të John F.Kennedyt: «Mos pyet se çfarë ka bërë vendi yt për ty, por pyet se çfarë ke bërë për vendin tënd.» Sigurisht diaspora ka të drejtë përfaqësimi në institucionet e dala nga vota e lirë, por kjo është një temë tjetër.
Iu kthyem LDK-së në Zvicër me një gjest simbolik, sepse ne jemi gazetarë e krijues, me statusin tonë të pavarur, për të dhënë ndikimin tonë sa mundim për ringjalljen e saj në Zvicër, duke e parë si një domosdoshmëri riorganizuese, unifikuese, sepse LDK-ja në Zvicër ka qenë gjithmonë shembull i tolerancës dhe frymës unifikuese. Iu kthyem LDK-së në Zvicër në kohë alarmi. Sepse ka patur burime njerëzore të mrekullushme dhe ka burime të tilla, sepse ka kontribute të jashtëzakonshme dhe ka energji të jashtëzakonshme për progres. Ndërkohë i bëjmë thirrje që t’i kthehet kohës së saj më të mirë, të gjithë bashkë, por larg sharlatanëve që vetëm e çidentifikojnë dhe e depersonalizojnë lëvizjen më të madhe në historinë moderne të shqiptarëve, e cila në rradhët e saj në kohët më dramatike i përfshiu 95% të shqiptarëve, përfshi këtu edhe krahun e luftës, sepse drejtohej nga elita e inteligjencies.
Prandaj LDK-ja është LDK, sepse është lëvizje që në gjenezë e intelektualëve, pasi shtetin e formësojnë intelektualët, të cilët e kanë fituar lirinë e mendimit të parët, dhe i kanë thyer vargojtë e robërisë të parët.
Duke i hedhur një vështrim retrospektiv rrugës që kemi lënë pas, rrugëtimit tonë gati çerek shekullor prej hapjes pas rrëzimit të Murit të Berlinit e diktaturës, në këtë rrugëtim, ne iu kemi ndejtur larg formacionioneve partiake, të cilat rezultojnë sot se e kanë shkatërruar LDK-në, sepse aty janë bërë vetëm pazare. Marrëdhëniet tona bashkëpunuese dhe komunikuese janë mjaftuar me Ibrahim Rugovën.
Ndërkohë, ca zagarë gjoja militantë, sepse s’kanë tjetër asnjë atribut, veç injorancës, qarkullojnë thashethemnaja se ne paskëshim patur lidhje me Bujar Bukoshin. Këta zagarë analfabetë nuk kanë asnjë provë dhe lehin, sepse dikush në LDK, pikërisht ata që e shkatërruan LDK-në dhe e çuan në dizastër, i kanë urryer Buçpapajt. Pikërisht klani më famëkeq i LDK-së. Prej të cilit është imperative që LDK të largohet. Dhe kemi besim se do ta bëjë këtë në zgjedhjet e 8 qershorit.
Sa për sqarim publik, me Bujar Bukoshin jemi takuar vetëm një herë a dy herë, kur Skënderi ishte drejtor i RTSH, në lidhje me projektin e televizionit satelitor, të cilin e projektoi Ibrahim Rugova, ndërsa qeveria e Kosovë në mërgim e mbështeti financiarisht. Unë e kam intervistuar Bujar Buloshin kur ishte kryeministër në egzil, si korrepondente e Zërit të Amerikës, ashtu si kam bërë me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, sidomos me Ibrahim Rugovën, me të cilin kam të paktën tri intervista të botuara në shtypin e Tiranës dhe SHBA, ndërsa Skënderi i ka marrë intervistën e parë që Rugova ka dhënë në Shqipëri.
Kur e mora në intervistë Bukoshin, nuk kisha diktofon dhe intervistën e bëra me shkrim. Në këtë gjendje ishin edhe gazetarët e RTSH në fillimet e demokracisë, ishte viti 1992. Prandaj qeveria e Kosovës u dhuroi disa mjete pune gazetarëve. Midis tyre edhe mua një diktofon të vogël gazetarësh. Kaq është e gjitha. Dhe nëse dikush do të guxojë të hedhë ndonjë fishekzjarre tjetër artizanal,primitiv, ta dijë se me atë fishekzjarre do të djegë veten, sepse shpifjet qarkullojnë në periudha inkuzicioni, mesjete, tribalizmi, në diktaturë, por jo në një shoqëri të mileniumit të tretë. Dhe aq më pak në Zvicër.
Por fakti i vetëm që e kemi mbështetur Rugovën, kur këtij nuk i jepeshin mjete për të lëvizur në Europë dhe SHBA, kur Rugovën e kapnin si peng lufte dhe kur ne e merrnim në mbrojtje ndërsa të gjithë e sulmomin, është dëshmia më eksplicite për integritetin tonë intelektual dhe profesional. Aq më tepër kur Rugova dhe Bukoshi ndaheshin me një vijë demarkacioni midis. Njëri kishte ideale dhe mbështetjen popullore, ndërsa tjetri kishte mjete financimi.
Për 25 vjet mbështetje, nga LDK nuk kemi marrë kurrë asnjë cent. Bile nuk kemi marrë asnjë mirënjohje. Prandaj e kemi patur gojën e hapur dhe mendjen e kthjellët që, si përfaqësues të pushtetit të katërt, të kritikojmë kush e meriton.
Por megjithatë, ne jemi gazetarë që kemi jetuar me punën dhe djersën e ballit. Nuk kemi akumuluar pasuri, nuk jemi shitur në këmbim të pasurive, nuk iu kemi shërbyer politikanëve, asnjërit në emër të interesave personale. Ne jemi të pasur me idé, pasuria jonë është profesionalizmi dhe integriteti, të domosdoshme këto që gazetarët ta jetojnë jetën me punën që bëjnë. Ndërsa në shoqërinë shqiptare, gazetaria, shtypi dhe mediat sot janë total nën kontroll dhe peng i politikës dhe oligarkëve. Prandaj i bëjmë thirrje LDK-së në Zvicër, se ka ardhur koha të mendojë për organizimin e komunitetit të shqiptarëve këtu, si subjekti që mbështet frymën e tolerancës dhe ushqehet nga fryma rugoviste, i cili iu afrua LDK-së që në ngjizje pavarësisht se kjo ishte në kontradiktë me personalitetin e intelektualit, por për hir të një ideali të madh siç është ideali i lirisë. Dhe për ta mbajtur gjallë këtë ideal dhe për ta kthyer në një realitet të prekshëm, që është shteti i së drejtës, duhet fjala të lirë dhe gazetarë të lirë e me integritet që të guxojnë e ta shprehin të vërtetën.