Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Gusht 2022
“Le Matin” ka botuar, të enjten e 2 korrikut 1914, në faqen n°3, intervistën ekskluzive të Turhan Pashës në lidhje me drejtimin asokohe të Shqipërisë nga Princ Vidi, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Kryeministri shqiptar lavdëron princin
Romë, 1 korrik. — Shkresë speciale nga “Le Matin” — Disa gazeta kanë botuar gjoja deklaratat e sekretarit të Turhan Pashës, gjatë udhëtimit të këtij të fundit nga Brindizi në Romë ose pas mbërritjes së tij në këtë qytet.
Por asnjë sekretar nuk e shoqëron Turhan Pashën, i cili udhëton i ndjekur vetëm nga shërbëtori i tij, një zezak i mrekullueshëm.
Mos vallë është ai që mund të ketë bërë deklaratat e publikuara në shtyp ?
Nuk kam dashur t’i përmbahesha këtyre deklaratave dhe për të ditur qëllimin e vizitës së Kryetarit të Këshillit Shqiptar dhe shpresat e tij, bëra një intervistë të gjatë me të lidhur me ecurinë e çështjes shqiptare.
Pavarësisht ngjarjeve që pasuan njëra-tjetrën në Durrës dhe Vlorë, Turhan Pasha nuk e humbi optimizmin e tij të buzëqeshur. I bindur thellë për mundësinë e krijimit të një Shqipërie të qëndrueshme nën kujdesin e një fuqie evropiane, ai erdhi në Evropë për të mbrojtur pranë kancelarive evropiane kauzën e mbretërisë së re dhe sovranit të saj.
I shpreha frikën se kjo kauzë, veçanërisht në lidhje me Princi Vidin, ishte komprometuar rëndë, veçanërisht pas tërheqjes së trupave të Prenk Bib Dodës në Lezhë. Por Turhan Pasha nuk i beson realitetit të kësaj tërheqjeje. Ai vetëm mendon se lideri shqiptar, në pritje të përforcimeve, nuk gjykon se ka ardhur koha për të sulmuar.
“ — Përsa i përket revoltës, më tha ai, në dy ose tre javë, humbja e të korrave dhe mungesa e mjeteve të jetesës do të krijojnë një situatë jashtëzakonisht të vështirë për kryengritësit dhe krerët e tyre.
Pesëmbëdhjetë agjitatorë nxisin popullatat dhe duan t’i shtyjnë në luftë civile, por masa e madhe e banorëve i ndjek me ngurrim. Katërqind myslimanë janë të burgosur në Tiranë sepse nuk donin t’i bashkoheshin revoltës.
Sheiku Hamdi, nga Shijaku, i plagosur dhe i zënë rob, pranon sot se ishte mashtruar mbi qëllimet e princit dhe qeverisë së tij dhe i vjen keq që gjithashtu nxiti revoltën.
A nuk synojnë këto dy fakte të dëshmojnë se sa pak spontan është ky agjitacion dhe sa është shfrytëzuar besueshmëria e këtyre popullatave fatkeqe ? Jam absolutisht i bindur se kjo lëvizje është e destinuar në mënyrë të pashmangshme të zvogëlohet dhe të zhduket vetvetiu.
Ajo që më trishton është të shoh jetën e Shqipërisë të ndalur kështu nga gjendja e tanishme e punëve. Është kjo situatë që unë dua të ekspozoj në Evropë. Fuqitë nuk mund ta injorojnë këtë gjendje dhe shpresoj se do të ndihmojnë për ta rregulluar atë.
Sa për qortimet që mund t’i bëhen princit, ju siguroj se janë të pajustifikuara. Unë kam besimin më të madh në cilësitë e tij si sovran. Ai është besnik dhe trim, i do sinqerisht shqiptarët dhe dëshiron absolutisht të kënaqë aspiratat e tyre legjitime.
Princesha është shumë e mirë dhe shumë e dashur, ajo ndihmon sovranin me pasion dhe përkushtim.
Para ngjarjeve të fundit, ata të dy ishin shumë popullorë. Atyre iu bë një pritje triumfuese kudo që shkonin. Mjerisht, pati një keqkuptim, por ky keqkuptim nuk mund të zgjaste.
Unë nuk mund ta konceptoj të ardhmen e Shqipërisë të ndarë nga ajo e princit, që duhet të mbetet sovran i saj.
Pavarësisht gjithçkaje, unë ende shpresoj në suksesin e përpjekjeve tona.”