Gezim Zilja/
Bej të stolisi Kadëna/Të mbathi çizmet e rënda,/T’i dha armët e ergjënda…/Ec o bej, t’u bëftë e mbarë /Të luftoç me pashallarë! Kur lexon dy vargjet e para mendon se Kadëna, e shoqja, e ka stolisur beun, për të shkuar në ndonjë dasmë, apo diku në ndonjë festë në krahinën e tij. Vargu i tretë, sa befasues aq dhe i drejtpërdrejtë, nuk të le të hamendësosh shumë, por ta jep në “lule të ballit”: t’i dha armët e ergjënda. I armatosur dhe madhështor mbi kalin e tij, beu do të niset në një luftë të shenjtë jo të zakontë, ku vajtja dihet e kthimi jo. Por Devish Ali Dukati, që e di mirë ku po shkon e ka një pishmanllëk të vogël. Dhe një burrë i tillë, sado i ashpër dhe krenar, pasi i hipën kalit, ashtu “nisur e stolisur”, kthen kokën nga Kadëna e tij e dashur:Dolle në divan në shkallë,/Hype balashit me shalë/M’u te porta më të dalë,/Të vate dora më pallë,/Ktheve kokënë mënjanë,/ Seç të tha zonja dy fjalë… Dhe ajo fare hapur, si një grua labe e vërtetë, pa pishmanllëk, sy më sy, e uron ashtu shqiptarçe: Ec o bej, t’u bëftë e mbarë/ Të luftoç me pashallarë!/Të luftoç me turkomanë, /Të përpiqesh për nizamë!
Rrallë të gjesh vargje të tillë, ku vetë gruaja vesh, stolis e armatos burrin për luftë dhe i uron udhën e mbarë. Thuhet se gratë e Spartës e bënin një veprim të tillë, por këtu hasim një të vërtetë, që ka ndodhur në Dukat të Vlorës, 170 vjet më parë. Dervish Ali Dukati, ashtu si mijëra luftëtarë të tjerë morën një porosi të shenjtë: të luftojnë me pashallarët turq ose jo turq sepse: Nizamë dhe xhelepe s’ka/,Është vendi fukara,/Jetojmë me lakëra,/ Katër shtëpi me një ka.
Bëhet fjalë për kryengritjen e famshme të vitit 1847 kundër Reformave të Tanzimatit. Dervish Ali Dukati, ishte një nga udhëheqësit e shumtë, që nxorri ajo luftë e pashembullt, që la gjurmë në historinë e shqiptarëve. Ishte një nga bejlerët e Dukatit, që iu përgjigj thirrjes së Lidhjes Shqiptare (Kuvendi i Mesaplikut, qershor 1847) për luftë. Mesaplik te rrapi i thatë/,Për një ditë e për një natë,/ U mblodhë gjithë kazatë. Luftëtarët e Labërisë do të prezantoheshin në luftën e Qafës së Sinjës në Berat, nën komandën e Zenel Gjolekës, si komandant i forcave të Jugut, vendosur në Kuvendin e Mesaplikut.Tre sahat more eranë/Luftoje me pashallarë./Me pashallarë luftoje,/Tanzimanë nuk e njohje./Turçe dije por nuk doje,/ Me terxhymanë bisedoje.Dy vargjet e fundit i hasim dhe në gojën e Rrapo Hekalit, Hodo Aliut, Tartar Memushit apo të ndonjë luftëtari tjetër, në gjyqin kundër bejlerëve të Beratit. Si duket edhe Dervish Ali Dukati ka qenë në grupin, që gjykuan bejlerët e Beratit në Qafën e Sinjës, bashkë me Rrapo Hekalin e të tjerë. Përpjekja tjetër do të bëhej në Urën e Konisbaltës, ku Dervish Aliu, në krye të luftëtarëve të Dukatit dhe të Tragjasit, do të zhvillonin betejën më heroike të tyre, që përshkruhet me ngjyra të gjalla në shumë këngë. Figura e tij, hipur në kalin e bardhë “sa një kullë”, të mbetet në mendje, si personazhet në Eposin e Kreshnikëve: Tragjas e Dukatë shumë,/Djemuria një furtunë,/ Del o Kanina me vulë!/Dervish Aliu kish nurë,/Çil’ i bardhë sa një kullë. Dhe ja se çfarë bën ai, me ushtarët turq sikur të ishin bagëti e imët: Halldupët gunëmurrë,/I qëndron si dhentë në shtrungë,/U rrij’ me këllëç në hundë,/I përmbys për nënë urë./O Dervish Ali Ajani/Ç’e bëre si të desh xhani! Por luftëtari, që e ka fituar të drejtën për t’u përjetësuar në këngë, me bëmat e tij, nuk është vetëm. Në këngët e shumta historike, krahas drejtuesve qendrorë të luftës si Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Hodo Aliu, Gjikë Thanasi, Çelo Picari, Shahin Kolonja, etj., kronikani popull nuk harron dhe luftëtarët e tjerë, duke i përmendur pothuaj të gjithë, qoftë me një varg ose vetëm me emër. Përndryshe asnjë nga udhëheqësit e kryengritjes së vitit 1847 nuk do të zinte vend në panteonin e pavdekësisë, nëse nuk do të kishin me vete trima si veten. Në luftën e Urës së Konisbaltës vullnetarët e fshatrave Dukat e Tragjas, do të tregonin se ishin luftëtarë të rallë, të lindur vetëm për të fituar: Djemtë e Dukatit fodullë,/Lëftojnë e s’e luajnë gurë./Djemtë e Tragjasit levenë,/Ç’e punojnë keq dyfeknë./O dukat’ more dukat’/Palla juaj këllon gjak! Rapsodi popullor vazhdon me kujdes, të mos harrojë luftëtarët e tjerë, që u përjetësuan në luftën për mbrojtjen e Urës së Konisbaltës. Në vargjet e mëposhtme jepet figura e Elmaz Rodakut, Kamber Gjolekës dhe ajo e Brahim Sulos nga Dukati: I shkreti Elmaz Rodakë,/ Sokëllin e po bën lartë!/Elmaz Rodak ballëverdhë,/Dhe me ca shokë të tjerë,/ Në Urë të plagosur mbenë. Në vazhdim kemi këngën me titullin: Qaj o fshati nënë Qorre, për Selmanë Alinë nga fshati Dukat: Qaj o fshati nënë Qorre,/Për Selman Ali me more (i mençur)!/Selman Ali nga Dukati,/Nikëhilë nga llagapi,/Dërgon më Dervish Alinë, /Konisbaltë kemi pusinë… Midis luftëtarëve ka një lidhje të fortë edhe në situatat më të vështira. Dervish Ali Dukati, ndërsa luftohej, porosit për Elmazin e plagosur: Dervish Aliu seç tha:/O Kamber të kam vëlla, /Merre Elmazin në krah,/Se këtu mereqet s’ka! Ura e Konisbaltës do të ishte varri dhe lavdia e bijve të Dukatit e të Tragjasit: Te Ura në Konisbaltë,/ Mbenë dukatë e tragjastë./ Rrapua hidhejë në flakë,/Topi vu, e s’çqitej prapë. Thuhet së në këtë përpjekje me forcat turke nga 187 luftëtarët e Dukat-Tragjasit mbetën të gjallë vetëm 83. Dervish Ali Dukati, nuk do të vritej si shumë shokë të tij, në luftërat e vitit 1847-1848. I plagosur rëndë ai do të sillej në fshatin e tij. Nga sa informon kënga: Plagosnë Dervish Alinë,/Iu vra dhe kali i thinjë,/Shokët e prunë në kra,/Në Dukat në Llogora./Kush e pruri atë burrë/Njëqind okë e ca më shumë? Portreti i Kamber Gjonlekës dhe Brahim Sulos të kujton Trimat e Jutbinës: E pruri Kamber Gjoleka,/Brahim Sulo krahëfleta./Ezhdërha nga trupi bollë,/Që i zë derrat me dorë,/Sikur janë koqe mollë. Dervish Ali Dukati, nuk do të pushonte përpjekjet e tij kundër Reformave të Tanzimatit sidomos kundër rekrutimit të djemve shqiptarë për llogari të Turqisë. Në disa vargje, duket se autoriteti i tij ishte shumë i madh, sa vetë zyrtarët turq e kishin frikë dhe i druheshin: Hajmedet ç’e gjet Alinë,/Që s’e kish për gjë kapinë,/Dil bën telendi myshirë./Myshir të mbledhç fiqirë/Se të ngarkoj me zinxhirë,/E të dërgoj në Janinë! Kjo do t’i kushtonte jetën trimit të Dukatit. Tradhtisht, krerët turkomanë të Vlorës e helmuan, kur ai shkoi i ftuar të bisedonte, për heqjen e shërbimit ushtarak, (kurasë), për djemtë e Labërisë. Hajmedet o Dervish be,/U krodhe në kafene,/Te berberi u rrove’/Të hodh’ helm, e ti s’e pe. Lajmi shkon vetëtimë në Dukat. Sigurisht që do të ishte një mot i keq, ku era frynte si e tërbuar: Frynë murrë që tundet dheu,/Erth’ fjalë se Dervish beu/Kullën e kuqe e preu…Të premten që menatë,/Seç na u hap një mandatë,/Vdiq një bej i Dukatë,/Dervish Aliu namlartë. Kënga do të vazhdojë, me haberin çuar Kadënës, që tashmë u bë si e marrë. Nuk e priste Zonja e Madhe e Dukatit, që beu i saj trim e luftëtar, që e kishte nisur e stolisur vetë për në luftë (Ajde bej t’u bëftë e mbarë/Të luftoç me pashallarë) e që ia kishte mjekuar plagët me aq kujdes, të helmohej tradhtisht në mënyrë aq të ulët: Kadënës kur i thanë:/Del e merr mushkën me shalë,/Se në Vlorë e lamë aganë,/Për të hequrë kuranë/Briti sa çkuli dynjanë/Edhe odat me tavanë… Pas tronditjes së parë, e ulur pranë trupit të pajetë të beut të saj, e qau me ligje, qetë e shtruar, ashtu si dinë të qajnë gratë e pazakonta të atyre trevave, duke i përmendur një më një bëmat dhe mençurinë: Na vdiq një trim nga Dukati,/Dervish Ali mëndjelarti./Të mbet’ mushka me (y)zengjin,/Që çaje me të ordhinë,/E gjykoje mbi valinë./O Dervish Ali luleja,/Nizamët ajde, eja,/Merr Turqija, e vra Moreja. Dy vargjet e fundit shprehin dhimbjen e protestën për atë që ndodhte me shqiptarët e turqit qysh nga pushtimi i Shqipërisë. Për këto e të tjera plagë të mëdha, që shkaktoi sundimi turk, luftoi pashai i Dukatit me shumë shokë të tjerë, por nuk ia doli. Emri dhe bëmat e tij vijnë deri në ditët tona. Diku më tej Kadëna a ndonjë grua tjetër ka vazhduar vajin duke plotësuar: O Dervish Ali Dukati,/S’jeshe të qajnë gratë, /Po të qajnë gjithë kazatë! Epitaf më të saktë për një luftëtar të përmasave të tilla nuk mund të gjesh.