Nga Keze Kozeta Zylo/
Bota e gazetarisë Broadcast amerikane dhe në botë ka humbur sot një nga ikonat e gazetarisë, modelin e gruas së guximshme, legjendën e Televizioneve, pioneren e letrave.
Barbara Walters ishte një legjendë e vërtetë, ajo ishte një reportere e jashtëzakonshme që ka marrë intervistat më të rëndësishme të kohës që nga drejtues të shtetit, diktatorë, liderët e regjimeve deri tek personazhet më të famshëm te artit dhe ikonat e sportit.
Walters intervistoi një sërë liderësh botërorë, duke përfshirë Fidel Castro, Margaret Thatcher, Muammar Gaddafi, Saddam Hussein dhe çdo president dhe zonjë të parë të SHBA-së që nga Richard dhe Pat Nixon. Ajo fitoi 12 çmime Emmy, 11 prej tyre kur ishte në ABC News.
Edhe për mua në këto 26 vjet në Amerikë ka qenë modeli më i hyjshëm dhe më frymëzues.
Gjithmonë e shikoja me kërshëri modelin tim sidomos në programin: 20/20.
Barbara Walters ishte nga ato gazetare që shumë do të ecin në gjurmët e saj të ndritura, sepse është egzaktësisht si në thënien e saj të famshme:
“Suksesi mund t’ju bëjë të shkoni në një nga dy rrugët. Mund t’ju bëjë një Prima Donna – ose mund të zbutë skajet, të largojë pasiguritë dhe të lërë gjërat e këndshme të dalin në dritë.”
Ironi e fatit që ajo kaloi në amëshim para natës së Vitit të Ri.
Prehu në Paqe Barbara Walters!
Mirënjohja është kulturë , është fisnikëri
Ndërkohë me vdekjen e saj ne mësojmë se si mijëra gazetarë shprehin mirënjohjen për çfarë Barbara Walters iu dhuroi njerëzve në Amerikë dhe në botë.
Mirënjohja ëhtë kulturë, mirënjohja është fisnikëri.
Oprah Winfrey, një ikonë tjetër, një ndër gratë më të famshme në botë dhe më e pasur u shpreh për vdekjen e saj:
“Pa Barbara Walters nuk do të kisha qenë unë, as ndonjë grua tjetër që shihni në mbrëmje, mëngjes dhe ne lajmet e përditshme në TV. Ajo ishte me të vërtetë një Trailblazer. Unë e bëra audicionin tim të parë televiziv me atë në mendje gjatë gjithë kohës.
Mirënjohëse që ajo ishte një model kaq i fuqishëm dhe i hirshëm.
Mirënjohëse që e njoha. Mirënjohëse që kam ndjekur dritën e saj.
David Muir gazetar i shquar në World News në ABC u shpreh:
“Aq shpesh ne i përdorim fjalët – ikonë, legjendë, pionier – por Barbara Walters i kishte të gjitha këto – dhe ndoshta mbi të gjitha, Barbara Walters ishte e guximshme. Ajo hapi rrugën për kaq shumë nga ne. Ne mësuam prej saj dhe mbesim mendje hapur prej saj edhe sot e kësaj dite.
RIP, Barbara.
30 Dhjetor, 2022
Staten Island, New York