
Saimir Kadiu/
Një portier i talentuar dhe spektakolar, më i madhi në historinë e futbollit shkodran, por edhe i pafat për shkak të biografisë së tij.
Lindi në Shkodër më 19 dhjetor 1945.
Me Vllazninë fitoi dy Kupa të Republikës (1965, 1972) dhe një titull kampion (1972).
Ishte protagonist në fitimin e Kupës së parë të Republikës për Vllazninë në vitin 1965.
Strategu i fushës dhe i stolit, i madhi Skënder Jareci, asokohe trajner i Vllaznisë, besoi në talentin e Paulin Ndojës duke e vendosur midis shtyllave pa mbushur ende 20 vjeç.
Në atë edicion të Kupës së Republikës, në një ndeshje kundër Luftëtarit, ai priti katër penallti gjatë 120 minutave — një rekord ende i pathyer në historinë e futbollit shqiptar.
Ishte bashkëlojtar te Vllaznia me R. Rragamin, Selami Danin, Çapalikun, Zmijanin (babain), Bizin, Zhegën, Koçobashin, Hajro Lekën, Ismet Hoxhën, Esat Rakiqin, Durajn, Dedjen, Xhelal Jukën, Osman Gjepaxhian, Jonuz Telin, Halil Pukën, Viktor Plumbinin dhe Çesk Ndojen.
Ka luajtur për pak kohë edhe me “5 Shtatorin” e Skraparit, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak.
Kishte kundërshtarë në fushë dhe dashakeqë në tribunën qendrore, të cilët talentin e tij e konsideronin sfidë ndaj regjimit.
Nuk luajti asnjë ndeshje ndërkombëtare me Vllazninë jashtë vendit dhe, për ironi të fatit, e vetmja ndeshje me përfaqësuesen ishte kundër Kinës, në një takim miqësor në fillim të viteve ’70, në Tiranë.
Biografia e keqe i dha fund karrierës së tij në vitin 1973, kur nuk kishte mbushur ende 28 vjeç.
“Mëkatet” e Ndojës ishin fakti që halla e tij ishte bashkëshortja e Kol Bibë Mirakajt, ministrit shqiptar që shpëtoi rreth 2000 hebrenj në vitin 1943, si dhe se vjehrri i tij ishte akuzuar për bombën në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, në vitin 1951.
Pavarësisht fatit të keq në karrierë, Ndoja mbeti gjatë gjithë jetës “dashnor” i Vllaznisë.
“Vllaznia është jeta ime”, është shprehur legjenda e portës shkodrane.