



† THEOFANI
Nga Mëshira e Perëndisë
dhe i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave
Klerikëve të nderuar dhe besimtarëve të dashur të krishterë ortodoksë, bij dhe bija anëtarë, mbështetës, dashamirës dhe miq të Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave.
Hir, Mëshirë, Paqe dhe Gëzim nga Zoti ynë Jesu Krisht dhe nga ne, bekime atërore!
Të dashur besimtarë, bij dhe bija në Krishtin, Festa e shenjtë e Ngjalljes së Zotit tonë Jesu Krisht, e cila ia kalon në madhështi të gjitha festave të tjera, hedh edhe një herë rrezet e saj të dritës, hirit, bekimit dhe shpresës mbi ne dhe mbi të gjithë krijesën, duke ngrohur shpirtrat dhe trupat tanë dhe na ndihmon të kuptojmë se vdekja është mposhtur përgjithmonë dhe jeta e përjetshme na është dhënë të gjithëve.
Në natën mistike të Ngjalljes jemi thirrur t’i afrohemi, me emocione, frikë e drithërime, tingëllimit të këmbanave dhe tingullit të trompetave, të marrim Dritën e Shenjtë dhe ta takojmë Atë, “BIRIN të gjithmonë-ekzistueshëm, së bashku me PERËNDINË Atin dhe SHPIRTIN e SHENJTË; ‘DIELLIN’ e pakrijuar që bashkëkrijoi diellin tonë qiellor” si Gratë Miroprurëse, që erdhën herët në mëngjes te Varri, duke kërkuar të takonin Krijuesin e Jetës. Mijëra besimtarë me qirinj të ndezur shqiptojnë nga thellësia e shpirtit urimin e Pashkëve “Krishti u Ngjall”!
Nata e errët përmbytet me Dritë, hija e trishtuar e vdekjes hiqet; “Lindja e diellit dominon gjithë universin, duke ndriçuar me dritën e paarritshme të Ngjalljes.” “Tani çdo gjë është mbushur me dritë” – dëgjohet nga stenda e psaltëve – “dhe qielli dhe toka dhe ata poshtë”. Pra, Pashka mund të quhet me të drejtë “Festivali i Dritës”, sepse Drita u ngrit përsëri nëpërmjet Krishtit Zot nga errësira e varrit. Kështu që Drita është pjesë e punës së shpëtimit të botës, Krishti Zot, i Ngjallur prej së vdekurish bëhet “ndriçimi i kombeve”, “Drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë”. (Joani 1:9).
Vëllezër dhe motra të dashura në Krishtin Zot,
Ngjallja e Zotit “në të tretën ditë sipas Shkrimeve” (Besorja), përshkruhet nga të katër ungjillorët, të cilët e panë Jesuin të ngjallur prej së vdekurit dhe u bënë rrëfyesit dhe predikuesit të kësaj Mrekullie Hyjnore. Rrëfimet Ungjillore janë shumë të rëndësishme, sepse ato vijnë nga dëshmitarë të drejtpërdrejtë të kësaj Mrekullie Hyjnore me të cilën u mposht vdekja dhe jeta iu dha të gjithë njerëzve. Në këtë kuptim, Apostulli i Shenjtë Pjetër, duke iu drejtuar turmave të mbledhura në Jeruzalem, me rastin e Festës së Rrëshajëve (Pentikostisë), kur Shpirti i Shenjtë zbriti mbi Apostujt e Shenjtë, tha se “Perëndia e ka Ngjallur këtë Jesu, për të Cilin të gjithë jemi dëshmitarë.” (Veprat 2:32).
Për shembull, Apostujt e Shenjtë dhe Ungjillorët Luka, Joani dhe Marku raportojnë se “Maria Magdalena, Maria nëna e Jakovit dhe Salomeja dhe të tjerat me to” erdhën te Varri i Jesuit “ditën e pare të javës, pas së shtunës (të dielën), shumë herët në mëngjes”, “ndërsa ishte ende errësirë”, ato “panë gurin e rrokullisur tutje nga Varri” dhe “duke hyrë brenda, nuk e gjetën trupin e Zotit Jesu” (Marku 16:1-4). Ndërsa ato ishin të hutuara për atë që kishte ndodhur, “dhe ja, një djalë qëndroi para tyre, me rroba të shndritshme”, i cili i pyeti: “A po kërkoni Jesuin e Nazaretit, të Kryqëzuarin? Ai u Ngjall! Ai nuk është këtu. Këtu është vendi ku e vendosën” (Marku 16:5-6). Apostujt dhe Ungjillorët e Shenjtë Luka dhe Joani gjithashtu theksojnë një aspekt të rëndësishëm, domethënë se Apostulli i Shenjtë Pjetër “dhe dishepulli tjetër që Jesui e donte” (Apostulli i Shenjtë Joan), vrapuan drejt Varrit, hynë brenda dhe panë “pëlhurën e shtrirë … dhe shaminë që ishte mbi kokën e Tij, të mbështjellë veçmas” (Joani 20:7). Si mund ta kenë parë pëlhurën dhe shaminë dy dishepujt, “ndërsa ishte ende errësirë”, pyetën Etërit e Shenjtë të Kishës, por ishin vetë ata që na dhanë përgjigjen. Kështu, Shën Grigori i Nisës, në veprën e njohur: “Në Ngjalljen e Zotit tonë Jesu Krisht”, shkruan se të gjithë ata që ndoqën Apostullin e Shenjtë Pjetër atë natë, besuan në Ngjallje, sepse Varri i Krishtit ishte i mbushur me Dritë që ishte gjithashtu e dukshme dhe jomateriale: “Të gjithë ata që ishin me Pjetrin – thotë aq bukur Ati i Shenjtë – panë dhe besuan, sepse Varri ishte plot Dritë. Edhe pse ishte natë, ata panë fytyrën brenda Varrit; dhe me shqisat shpirtërore”. Ekzistencën e kësaj Drite Qiellore e mbështet edhe Shën Joani i Damaskut, i cili shprehimisht thotë se Drita që shkëlqeu në Varrin e Krishtit, në atë natë të Ngjalljes, ishte Drita e pakrijuar e PERËNDISË Krijuesit, Drita nga Mali Tabor e parë nga Apostujt e Shenjtë Pjetri, Jakovi dhe Joani, në momentin e Shpërfytyrimit të Shenjtë të Zotit. Kjo “Dritë nga qielli, si vetëtima, mbuloi papritur” Saulin nga Tarsi në rrugën për në Damask dhe e shndërroi atë, nga një persekutues i të Krishterëve, në më të madhin Apostull të Zotit, Pavlin, “Apostullin e Kombeve”. Nëpërmjet kësaj Drite të Shenjtë dhe të ndritshme, kremtimi i Pashkëve bëhet një Festë e Dritës së Perëndisë, e Trinisë së pakrijuar dhe të lavdëruar. Dritë që ndriçon shpirtrat dhe mendjet tona, që të jetojmë në Dritë, të jemi Fëmijë të Dritës, duke pasur Dritën e Ngjalljes së Shpëtimtarit tonë në ne, sepse Ai është Garanti dhe Burimi i Shpëtimit tonë.
Të dashurit e mi të krishterë ortodoksë,
Pas Kryqëzimit dhe Vdekjes së Tij, Krishti Zot zbriti në ferr për t’u sjellë Lajmin e Mirë të Ngjalljes së Tij të parafjeturve dhe për të ngritur të gjithë “të fjeturit ndër shekuj”. Megjithatë, Ai zbriti si një Fitimtar i Lavdishëm dhe si një Perandor Ngadhënjimtar në mbretërinë e errët të vdekjes, për ta ndriçuar atë me Dritën e Ngjalljes së Tij të Shenjtë, për të “shkelur vdekjen me vdekje” dhe, kështu, për të shfuqizuar vdekjen tonë. Pasi kaloi tre ditë në ferr, Jesui kthehet në Varrin e ri të Golgotës, i veshur me Lavdi dhe i mbuluar me Dritën e madhështisë dhe shkëlqimit të papërshkrueshëm. Trupi i Tij i Shenjtë i Shpërfytyruar bëhet një pishtar që digjet me fuqi, kalon pllakën e rëndë prej guri të Varrit dhe Ngjallja e Tij realizohet nëpërmjet një shpërthimi të Dritës së pakrijuar, e cila ndriçon tërë krijesën dhe gjithë universin.
Kjo Dritë e Ngjalljes shpërndahet pa pushim, për dy mijë vjet, çdo të shtunë të Pashkës mbi Varrin e Shenjtë të Zotit në Jerusalem, kur Perëndia lejon që ajo të shihet jo vetëm nga të përsosurit, por edhe nga ata që janë të papërsosur dhe madje nga jobesimtarët, me qëllim që t’i çojë ata drejt Shpëtimit. Ngjallja e Zotit është, pra, një festë e Dritës, një Mrekulli Hyjnore mbi të gjitha mrekullitë, në të cilën jemi thirrur të gjithë, sepse bashkë me Krishtin e Ngritur ngjallet dhe rilind i gjithë njerëzimi. Në këtë sens kuptojmë fjalët e Apostullit të Shenjtë Pavli drejtuar të Krishterëve në Korinth: “Por tani Krishti u Ngjall prej së vdekurish dhe u bë fryti i parë (i Ngjalljes) i atyre që kanë fjetur… Si në Adamin të gjithë vdesin, po kështu të gjithë në Krishtin do të bëhen të gjallë (do të ngjallen)” (1 Korinthianëve 15:20, 22).
Nëpërmjet Ngjalljes së Tij, Krishti Zot na thërret, pra, në rilindje shpirtërore, në rimarrjen e shenjtërisë dhe pafajësisë së marrë në Pagëzim, në Dritën e Pashkëve që pason kohën e hidhërimit, të pendimit dhe të kreshmimit, të luftës kundër mëkatit. Thirrja liturgjike “Ejani dhe merrni Dritën!” është një nxitje për të gjithë të krishterët që të bëhen “bij të Dritës”, të jetojnë në gëzimin e mësimeve të Zotit tonë Jesu dhe të luftojnë kundër të gjitha prirjeve që përpiqen të refuzojnë të vërtetat shpëtuese ungjillore. Sot flitet e shkruhet gjithnjë e më shumë se shoqëria bashkëkohore po kalon një gjendje të thellë krize shpirtërore që thekson dhe favorizon distancimin e njerëzve nga vlerat fetare dhe morale, të cilat janë bërë, të paktën në disa pjesë të botës, thjesht elemente opsionale. Për shkak të kësaj situate, teologët paralajmërojnë se ekziston rreziku për të përfunduar në një shoqëri të dominuar nga “Neopaganizmi”, një shoqëri që kultivon relativizëm doktrinor sikur “të gjitha fetë janë të mira”. Nga këtu, tek kthimi në botën e errët të bestytnive, tek praktikat okulte dhe rrymat pseudo-shkencore, rruga nuk është shumë e gjatë. Prandaj, si të Krishterë, ne kemi për mision të mos harrojmë se nëpërmjet Ngjalljes së Shenjtë të Birit të Zotit u çliruam përgjithmonë nga prangat e mëkatit, errësirës dhe vdekjes, ku Pashka e Shenjtë ishte guri i themelit të Besimit tonë, kremtimi i së Vërtetës dhe Drita e pakrijuar që shkëlqen përgjithmonë mbi gjithë universin dhe mbi të gjitha qeniet, më shumë se dielli, hëna dhe yjet.
Me këto mendime dhe ndjenja ju bëj thirrje të gjithëve të “pastrojmë ndjenjat dhe ndërgjegjen tonë”, të dëbojmë nga mendja dhe shpirti terrin e keqdashjes, egoizmit dhe kënaqësive të kota, të bëhemi bij të Dritës, të besojmë me gjithë shpirtin dhe me gjithë ndërgjegjegjen tonë në Krishtin Zot që u Ngjall prej së vdekurish, si fillimi i ngjalljes sonë, sepse, siç ka shkruar një Atë i Shenjtë i Kishës: “Ai është falja, Ai është Pashka jonë, Pashka e Shpëtimit tonë; Ai është jeta, ngjallja, drita dhe shpëtimi ynë”!
Duke ju uruar të gjithëve festa të bekuara me paqe, shëndet dhe në të gjitha rritje shpirtërore, ju përshëndes ashtu si edhe Apostujt e Shenjtë, drejtuar Grave të shenjta Miroprurëse, me urimin e krishterë: “Krishti u Ngjall”!
I juaji me lutje në Zotin dhe Perëndinë e Ngjallur Jesu Krisht, Shpëtimtarin tonë,
+ THEOFANI
__________________
I Filomilisë
Dhioqeza Ortodokse Shqiptare e Amerikave
Patriarkana Ekumenike