Letër drejtuar Harold Temperley, përfaqësuesi britanik në Komisionin për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë dhe këshilltar në Lidhjen e Kombeve, i cili ishte për rektifikim të kufijve shqiptarë dhe për projektin e coptimit të Shqipërisë në favor të fqinjëve tanë.
16 gusht 1921
I dashur Zoti Temperley,
Në vijim të bisedës sonë të pardjeshme, kam nderin t’ju dërgoj një broshurë titulluar “Përgënjeshtrimi”, ku, në faqen 2, do të gjeni një statistikë, që vërteton epërsinë numerike të elementit mysliman në krahinën e Gjirokastrës.
Një vlerësim i tillë nga ana tjetër është pa rëndësi, duke ditur se mbarë popullsia e asaj krahine, qoftë myslimane apo e krishterë, është pastërtisht shqiptare; për këtë arsye, ju dërgoj një broshurë të titulluar “Popullsia e Epirit” .
Dëshiroj gjithashtu t’ju përsëris edhe një herë se çdo orvatje nga ana e Komisionit apo e Konferencës për rektifikim të kufijve shqiptarë në përfitim të fqinjëve tanë, do të konsiderohet nga vetë shqiptarët si fillimi i copëtimit të vendit të tyre dhe rrjedhimisht, nuk do të pranohet asnjëherë as nga vetë populli, as nga kurrfarë qeverie.
Personalisht, e kam të pamundur të pranoj se Britania e Madhe, drejt së cilës kanë qenë përherë të kthyera sytë e shqiptarëve, të mund të dëshirojë copëtimin dhe zhdukjen e Shqipërisë. Jam gjithashtu i sigurt se projekti për të cilin më keni folur pardje nuk do t’i dorëzohet Konferencës. Jo, ju nuk mund ta bëni këtë, sepse keni ndërgjegje dhe e dini se nuk mundet, nuk duhet t’i kundërshtohet Shqipërisë e drejta për të jetuar.
Ju lutem të pranoni, i dashur Zoti Temperley, shprehjen e ndjenjave të mia më të mira.
Nënshkruar: Mid’hat Frashëri
Kryetar i Delegacionit Shqiptar.
Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”