Instituti Albanologjik i Prishtinës,
Prof. Dr. Emin Kabashi
Këshilltar shkencor
(Fjalë për veprën e Elez Osmanit kushtuar Vasil Germenjit)
Përkufizimi
Jeta historike e popullit shqiptar, herë ka pasur vetëm njërën anë të ndriçuar, herë tjetër ka mbetur nëpër arkivat e botës, kurse të shumtën e herëve është mohuar ndriçimi i tërësishëm i periudhave historike, i ngjarjeve që janë zhvilluar, andaj edhe shumë veprimtarë të çështjes kombëtare kanë mbetur ose të panjohur, ose janë njohur pjesërisht. Një fat të këtillë e ka pasur edhe figurua shumë planesh e atdhetarit me traditë, Vasil Germenjit. Ishte nip i Themistokli Germenjit, andaj ngjarjen e parë që e kishte vëzhguar nga afër në shtëpinë e tij, ishte Kongresi i Manastirit, i vitit 1908, që kishte zhvillua punimet në hotelin e familjes së tij. Po ashtu, siç del edhe nga letërkëmbimi që ka studiuar Elez Osmani, prof. Ai ishte njohës i mirë i të gjitha rrethanave që kishin ndodhur në Shqipëri, që para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe rrethanat që ishin krijuar pas ardhjes në pushtet të sistemit komunist shqiptar.
Letërkëmbim që dëshmon rrugën historike të popullit shqiptar
Çka dëshmon letërkëmbimi i Vasil Germenjit? Cila ishte gjendja e mërgatës shqiptare, sipas këtij letërkëmbimi? A kishte mundësi që shqiptarët të merreshin vesh për të ardhmen e atdheut? Dua të besoj se këto janë dilemat kryesore të tërësisë së shpëtuar të letërkëmbimit të Vasil Germenjit, me të cilin është marrë Elez Osmani. Po ashtu, në shumësinë e interesimeve të Vaasil Germenjit, përherë dhe kudo, siç thuhej, me bukë, apo pa të, përherë në vend të parë ishte çështja e Shqipërisë etnike, ashtu siç e kishte mësuar nga i ungji dhe babai, por edhe nga tërë Rilindja jonë kombëtare. Kudo që shqiptarët, me veprimin e tyre, me punën dhe angazhimin e tyre, bënin diçka të mirë për atdheun e tyre, Vasil Germenji ishte ai që i inkurajonte, ai që gëzohej për secilën fletushkë, gazetë, apo revistë që dilte në gjuhën shqipe. Në shtrirjen e përgjithshme të interesimeve të tij, siç del nga ky letërkëmbim me të cilin është marrë Elez Osmani, Vasil Germenji me vetëdijen më të lartë kombëtare, gjithë veprimtarinë e tij, gjithë angazhimin e tij intelektual, gjithë veprimtarinë në institucione të ndryshme ndërkombëtare, ia kishte kushtuar lirisë së Shqipërisë, duke kërkuar nga mërgata shqiptare, kudo që ishte ajo, që të mos lodhej asnjëherë për të qenë në shërbim të atdheut. Qoftë edhe vetëm për këtë aspekt të vepre së tij madhore, ajo ka merituar kaherë të njihej nga shqiptarët, ka merituar të jetë botuar deri tashti, siç edhe do të duhej të ishte pjesë e edukimit të gazetarëve shqiptarë nëpër të gjitha këto periudha kohore. Kësisoj, do të shlyhej një obligim i madh kulturor ndaj veprës së Vasil germenjit, por edhe ndaj mërgatës shqiptare në përgjithësi.
Kërkesat e Vasil Germenjit për mundësinë që shqiptarët të merren vesh në mes vete
Lexuesi i këtij letërkëmbimi që e ka sistemuar dhe e ka përgatitur me përkushtim dhe njohuri, Elez Osmani, përveç aq shumë angazhimeve të Vasil Germenjit për të ndriçuar aspekte të jetës historike të popullit shqiptar, janë edhe kërkesat e tij, për mënyrën dhe mundësitë e pajtimit të shqiptarëve për të ndihmuar atdheun si të bashkuar. Në letërkëmbimin e Vasil Germenjit shumë shpesh gjendet edhe një kërkesë, që mund të përmblidhet në synimin e tij për të pajtuar anët e politikës shqiptare në shërbim të atdheut. Si e ka konceptuar Germenji këtë kërkesë, sipas gjasësh, për pushtetin aktual të Shqipërisë së asaj kohe, por edhe për mendimin e shumë partive politike të mërgatës shqiptare, ishte e pazbatueshme. Ishte e tillë për faktin, se Germenji kërkonte të hiqeshin nga përdorimi nga dorë ligjesh të shtetit, të liroheshin të gjithë të burgosurit politikë, të mundësohej kthimi i mërgimtarëve në atdhe, si dhe të krijoheshin marrëdhënie të mira me SHBA. Marrë të tërësi, letërkëmbimi i Vasil Germenjit shtrihet në të gjitha anët e jetës shoqërore që zhvillohej në atdhe, por edhe në të gjitha vendet ku ishte vendosur mërgata shqiptare. Kurdo që ka rastin të ketë në dorë ndonjë botim të kësaj mërgate, Vasil Germenji e përgëzon me aq përkushtim, sa përkufizohet me gjuhën e rilindësve tanë, kur bëhej një shërbim në të mirë të atdheut. Puna që ka bërë Elez Osmani në mbledhjen, sistemimin, fillimisht në ruajtjen e këtij letërkëmbimi është me vlerë të paçmueshme, qoftë edhe për faktin se e gjithë veprimtaria e tij është pjesë e historisë së mërgatës shqiptare, rrjedhimisht është pjesë e historisë sonë kombëtare.
Përfundim
Duke shfletuar me kujdes punën e Elez Osmanit në përgatitjen dhe shqyrtimin e letërkëmbimit të Vasil Germenjit, na vjen në mendje mësimi i lashtësisë shqiptare, se kushdo që vë një gur në kalanë atdheut, kryen një obligim moral ndaj tij, por mbi të gjitha bëhet shkollë për të ardhmen e mendësisë së shqiptarëve, se secila punë në shërbim të atdheut, vlerësohet nga brezat që vijnë. Letërkëmbimi i Vasil Germenjit e dëshmon në tërësi këtë kërkesë, sepse na mëson edhe anën tjetër të historie shqiptare, e cila pa marrë parasysh paragjykimet e mundshme, është në shërbim të lirie së atdheut, është në shërbim të çështjes së madhe kombëtare, e cila nuk është e plotë pa Kosovën dhe viset e tjera që janë lënë jashtë gjeografie së atdheut nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Qoftë, edhe vetëm për këtë porosi të madhe që del nga letërkëmbimi i Vasil Germenjit, meriton shqyrtim, studim, analizë dhe mbështetje të përhershme.