Prof. Dr. Begzad Baliu/
Janë tri çështje që më kanë preokupuar për këtë fjalë timen, që kur kam dëgjuar se organizatorët kanë caktuar një temë të tillë me përmasa sa të përgjithshme, për ata që duan këtë temë ta shohin në kontekstin universal (nga Lufta dhe paqja apo Ana Karenina e Lev Tolstotit të filmat sipas romanëve të Dan Braunit), aq edhe sintetike, për ata që duan ta shohin filmin në kontekst të një shembulli të romanit, bie fjala Gjenerali i ushtrisë së vdekur apo Prilli i thyer të Ismail Kadaresë në versionin shqiptar dhe të huaj dhe dramën e madhe të krijuar në shtypin jugosllav pas shfaqjes së filmit Rojet e mjegullës, sipas romanit të Rexhep Qosjes, Vdekja më vjen prej syve të tillë.
I.
Letërsia shqipe nuk ka dhënë ndonjë vepër të madhe të kësaj natyre, përkundrazi, ndoshta dramat dhe filmat më të popullarizuar shqiptar: Skënderbeu, Nëntori i dytë, Udha e shkronjave, Përrallë nga e kaluara, janë mbështetur kryesisht në vepra letrare, të cilat nuk kanë pasur më parë ndonjë popullaritet të theksuar. Një shembull mbase bën përjashtim. Ky është filmi i Isa Qosjes, Rojet e mjegullës (1988) sipas romanit shumë të popullarizuar të Rexhep Qosjes, Vdekja më vjen prej syve të tillë, ekranizimi i të cilit e tronditi opinionin jugosllav të kohës. Me gjithë reagimin dhe kundërshtimin e shtypit të politizuar jugosllav filmi pati marrë dy vlerësime të larta të Festivalit më të madh të kohës në ish-Jugosllavi, në Festivalin e Filmit në Pulë (1988): për muzikën më të mirë origjinale dhe për filmin më të mirë.
Jo një tekst studimor, po një monografi më vete dhe një vëllim tekstesh publicistike, polemikash e kritikash të filmit mund të botoheshin vetëm prej atyre artikujve që janë botuar në të përditshmet dhe të përkohshmet e ish-Jugosllavisë në gjuhën shqipe, maqedonase dhe serbokroate: Rilindja, Fjala, Zëri, Danas, Borba, Politika, Novosti, Duga, Intervju, NIN, në Beograd, Zagreb, Shkup, Sarajevë dhe Prishtinë, brenda një kohe shumë të shkurtër, pra menjëherë pas shfaqjes së filmit. Bashkëkohësit, mes tyre edhe unë, mbajmë mend shumë akuza nga më të ndryshmet kundër këtij filmi, mes tjerash edhe për identifikimin e heroit artistik Xhezairi i Gjikës me heroin historik Adem Demaçin, prej ç’arsye unë këtu po e sjell një fragment nga reagimi i gjatë i Profesor Qosjes, botuar në të përjavshmen e Zagrebit Danas, vetëm në kontekst të heroit kryesor, Xhezairit të Gjikës.
Në të vërtetë, pasi jua kujton konceptet teorike dhe historiko-letrare të letërsisë dhe të filmit, si kategori historike dhe estetike, Profesor Qosja, analistëve politikë dhe kritikëve të filmit në Beograd, të cilët ishin kaq të përkushtuar për të “zbuluar” të vërtetën historike nga e vërteta artistike, i fton që ta besojnë një të vërtetë tjetër jo vetëm artistike po edhe reale e historike, të modelit të heroit shqiptar:
”Në qoftë se, ndërkaq, nuk doni t’i besoni të vërtetës teorike, – thekson në përgjigjen e tij Profesor Qosja, – sipas së cilës poezia (prandaj edhe filmi si art) flet për atë që ekziston vetëm si e mundshme, atëherë besojini kësaj të vërtete: as autori i romanit Vdekja më vjen prej syve të tillë, as autori i filmit Rojet e mjegullës, që është punuar sipas atij romani, nuk kanë pasur nevojë që personazhin kryesor të romanit, përkatësisht të filmit, ta krijojnë sipas një intelektuali të caktuar shqiptar, të dënuar apo të padënuar ndonjëherë në Kosovë.
Jo!
Para vitit 1966 gati çdo arsimtar shqiptar (e personazhi kryesor i romanit, përkatësisht i filmit është arsimtar që shkruan libra), gati çdo intelektual shqiptar në Kosovë e ka pasur fatin më pak a më shumë të ngjashëm me fatin e personazhit kryesor të romanit, përkatësisht të filmit, ka përjetuar ato të këqija që përjeton ai apo, madje, shumë më tepër të këqija se ç’ përjeton ai. Emrat e tyre në dosjet e UDB-ashëve të Rankoviqit ishin të nënvizuara me laps të zi dhe të kuq, domethënë me ngjyrat e flamurit shqiptar. Тё nënvizuarit me laps të zi dhe të kuq ishin persona që duhej pasur kujdes, që duhej mbajtur gjithnjë para SYVE të UDB-ashëve të shumtë dhe të spiunëve të tyre. Nuk ka dyshim se për shkak të vijave kuq e zi përfundi emrave të tyre, shumë shqiptarë janë detyruar të shkruhen si turq, të shkojnë në Anadolli dhe atje të jetojnë duke shitur ujë dhe të vdesin duke u dridhur prej etheve të sëmundjeve të ndryshme ngjitëse! Sikundër ka mundur të shihet pas vitit 1966, vetëm një numër i vogël shqiptarësh ka shpëtuar pa qenë të shpallur të dyshimtë, pa qenë të ndjekur, të marrë në polici, të privuar lirie, të keqtrajtuar, të rrahur, të sakatosur, të akuzuar dhe të dënuar. Për të gjitha këto arsye personazhi kryesor i romanit Vdekja më vjen prej syve të tillë e tani edhe i filmit Rojet e mjegullës nuk mund të jetë ky apo ai intelektual i dënuar apo i padënuar shqiptar. Personazhi kryesor i romanit dhe i filmit në të vërtetë është personazh – simbol i intelektualit shqiptar para vitit 1966 në Jugosllavi, para Plenumit të Brioneve, por ai mund të jetë aq më parë personazh simbol i intelektualit shqiptar pas vitit 1981.
Arti është art sepse është kuptimisht përgjithësues, universal. Ta kërkosh kuptimin e tij në drejtimin e kundërt, kundër përgjithësimit, sikundër bëjnë kritikët serbë të filmit duke shkruar për filmin Rojet e mjegullës, domethënë artin ta akuzosh dhe ta shkatërrosh. Në qoftë se është kështu, e ndryshe, vërtet, nuk mund të jetë, atëherë do të ishte shumë më parimore dhe intelektualisht shumë më e moralshme sikur krijuesit serbë, që aq shpesh dhe aq ngushtë renditen në këshilla për mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, të shqetësoheshin jo pse është xhiruar një film shqiptar që flet për fatin e tillë tragjik të intelektualëve shqiptarë në një periudhë të kësaj shoqërie, por pse pikërisht në kohën tonë dhe pikërisht në Serbi sot ka më shumë shqiptarë të ndjekur dhe të dënuar sesa në çdo kohë tjetër historike, pse, sikundër kanë shkruar edhe disa gazeta të Beogradit, pikërisht në Serbi gjendet i burgosuri, natyrisht, shqiptar, me stazhin më të gjatë të burgut në Evropën e qytetëruar! Dhe, të shqetësoheshin pse ky shqiptar që aq gjatë bën burg, që i thonë Adem Demaçi është – siç theksohet në ato gazeta – gati plotësisht i vërbuar!”
Mos harroni se fjala është për vitin 1988, kur për rënien e Sistemit komunist dhe Sigurimin e tij mund të flisje si për fundin e një ëndrre të keqe, që nuk përfundonte as pasi të dali gjumi. Fjala është për një temë, për dëshminë e të cilës mund të flisje vetëm pasi të kishe vendosur që të përjetosh sfidat e heroit artistik, për të cilin ke shkruar, e kjo do të thotë të pranosh sfidat e personazhit artistik, që fillonin me përndjekjen si hije, vazhdonin me incizimin e përditshmërisë së komunikimit duke përfshirë edhe jetën e shtratit, si dhe përfundonin me kastrimin, si shkalla më e lartë e poshtërimit të individit, përkatësisht intelektualit shqiptar.
II.
Ndërmjet realizimeve kinematografike në Tiranë dhe në Prishtinë ka pasur dhe madje ka ende diskutime, të cilat mbështetën kryesisht në kriterin estetik: filma të realizimit socialist (Tiranë) dhe filma realistë e modernistë (Prishtinë), por ende nuk kemi një vlerësim mbi ndikimin e tyre në jetën kombëtare të njërës apo palës tjetër. Në të vërtetë, radio dhe televizioni i Prishtinës nuk ka pasur shikuesit e tij në Shqipërinë komuniste, por Radio dhe Televizioni i Tiranës me gjithë pengesat që ishin vënë nga transmetuesit e Beogradit kishte shikuesit e tij në Kosovë e Maqedoni.
Cilët ishin këta filma?
Parë në kontekstin letrar e artistik, shembull arritjesh apo kundërvlerash, mund të kujtohen këtu drama e Loni Papës, Cuca e maleve, e ndjekur shumë edhe në Kosovë; suksesi komplementar i romanit dhe filmit Njeriu me top, sipas romanit të Dritëro Agollit po me këtë titull; shembulli model i ndërhyrjes së realizimit socialist në letërsi te filmi sipas romanit të Skënder Drinit, Shembja e idhujve, ndoshta po kaq i dështuar sa përpjekja për të nxjerrë nga kjo fundosje ideologjike i romanit të Ismail Kadaresë, Dasma. Një vepër tjetër, ndoshta e vetmja e letërsisë shqipe është ajo e Naum Priftit, Tre vetë kapërcejnë malin, e cila pati dy realizime paralele në Prishtinë dhe në Tiranë, sado filmat realizohen në ambiente dhe me “armiq” të ndryshëm, për të mos thënë mbi baza të kundërta antagonistë, sikur do të thuhej në shtypin e kohës në Tiranë e Prishtinë.
Problemi së fundi shtrohet për natyrën ideologjike të filmave dhe moskuptimi shfaqet për arsyen e perceptimit pozitiv dhe ndikimit të saj/tij në opinionin publik.
Mjafton të theksohet që në fillim. Lexuesi në Kosovë, përkatësisht lexuesi dhe shikuesi shqiptar në ish-Jugosllavi ende nuk kishte dalë nga përqindja e lartë e analfabetizmit të trashëguar. Në Kosovë kishim letërsi realiste dhe kryesisht moderne, po nuk kishim lexues të kësaj letërsie as shikues të filmave e dramave televizive të nivelit të filmit Rojet e mjegullës. Nuk është e rastit që në Kosovë do të botohen veprat, përkatësisht kompletet e veprave të shkrimtarëve realistë: Sterio Spasses, Nolit, Filip Shirokës, Luigj Gurakuqit, Asdrenit, Petro Markos, Fatmir Gjatës, Ali Abdixhikut, Shefqet Musarajt etj., prej veprave të të cilëve frymëzohej dhe krijohej një brezi i ri, i cili nuk e kishte synim lirinë e individit, të cilën e kërkonte letërsia moderne e postmoderne, po lirinë/dekolonializimin serb të një populli të tërë nën Jugosllavi.
Letërsia përkatësisht filmi dhe drama në Tiranë në thelbin e saj kishte historinë e Luftës së Dytë Botërore/përkatësisht Luftën Nacionalçlirimtare, gjendjen e vështirë sociale të popullit shqiptar ndërmjet dy luftërave (Shih romanin e Jakov Xoxës, Lumi i vdekur); periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (Shih, Sylejman Krasniqin, Mic Sokoli), Periudhën e Skënderbeut (Shih Sabri Godon, Skënderbeu), etj., referenca këto, të cilat nxisnin ndjenjën nacionale në Kosovë, për bashkimin kombëtar.
A është e rastit që të rinjtë shqiptarë, sipas dokumenteve të sigurimit serb, janë frymëzuar shumë nga heronjtë e letërsisë artistike, që nga Qemal Stafa e Ali Kelmendi deri të Ibe Palikuqi dhe Tre Heronjtë e Vigut; a është e rastit që brezi ynë shkonim nga fshati në fshat për të parë dramat e Televizionit Shqiptar Cuca e maleve, Epoka para gjyqit, Militanti, Besa e kuqe etj.; dhe a është e rastit që pas demonstratave të vitit 1981, Televizioni i Beogradit vendosi antena të veçanta në majëmalet e Kosovës për të penguar valët e Televizionit Shqiptar, Radio Tiranës dhe Radio Kukësit.
Dhe në fund, a është e rastit që ky brez i formuar me virtytet e atdhedashurisë (nga filmat shqiptarë, sado ideologjikë të kenë qenë), më parë se sa prej shijes estetike (të televizioneve jugosllave), u bë bartës i idesë së madhe të çlirimit të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.
Në të vërtetë, a është kjo arsye e mirëkuptimit të këtij brezi për shijen e tij për filmat e vjetër; dhe nevojës së brezit të ri për një shije të re, për një film e letërsi të re, e cila në rrethana të sotme i mungon sepse nuk i është krijuar nga bartësit e letërsisë dhe filmit dhe nga institucionet e saj.
Prishtinë, tetor 2024