
Nga Jusuf BUXHOVI/
Studimi voluminoz i historianit Ethëm Çeku “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912” paraqet një kontribut të rëndësishëm të elaboratit sintetik të fazës së fundit të lëvizjes kombëtare në periudhën 1908-1912, kur ajo do të përmbyllet me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Autori, që në fillim e shfaqë këtë pretendim në përputhje me qasjen analitike dhe kritike periudhës dinamike të historisë së shtet ndërtimit shqiptar, duke u përqendruar te aspektet fundamentale politike dhe diplomatike të këtij rrugëtimi; së pari të kërkesa për autonomi politike përbrenda Perandorisë Osmane, përmes marrëveshjes së Hasan Prishtinë në Shkup me gjeneralin me prejardhje shqiptare Ibrahim Pasha përmes katërmbëdhjetë pikëshit, që paraqet kornizën e asaj që nga shumë studiues meritore shihet edhe si “Shqipëri Osmane”, e cila do të kthehej në Shqipëri evropiane çastin që do të shpërbëhet Perandoria Osmane, siç ndodhi pas luftërave ballkanike në fund të vitit 1912; dhe së dyti të zhvillimeve që pasuan gjatë luftërave ballkanike (tetor-dhjetor 1912) kur hapësira shqiptare u pushtua brenda një kohe të shkurtër nga ushtritë serbe, malaziase dhe greke, zhvillime këto, që shënojnë evoluimin politik të kërkesës për barazi (nga Lidhja Shqiptarë e Prizrenit, Lidhja e Pejës e deri te katërmbëdhjetë pikëshi i Hasan Prishtinës në Shkup) tek ajo për shtet të pavarur, që do të nisë në Stamboll me aktivitetin e Ismail Qemalit për të vazhduar në Bukuresht dhe për t’u kurorëzuar me përkrahjen për pavarësi kombëtare nga diplomacia e Vjenës, gjatë takimit të Ismail Qemalit me Behrtholdin.
Kapërthimi i këtij zhvillimi katërvjeçar nëpër të cilën kaloi lëvizja kombëtare shqiptare, pamëdyshje se autorin e ka ballafaquar me disa sfida të rëndësishme politike, shoqërore dhe kulturore të lidhura drejtpërdrejt me Revolucionin Xhonturk të vitit 1908, dhe epilogun e tij në Ferizaj, me ç’rast kthimi i konstitucionalizmit dhe pranimi i konceptit xhonturk të reformimit të perandorisë, paraqet edhe evolucionin politik të lëvizjes kombëtare përbrenda këtij zhvillimi si dhe dinamikës politike, me ç’rast, shqiptarët, siç e thotë edhe N. Clayer (“Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”), morën pjesë në revolucion si osmanë dhe si shqiptarë. Zbërthimi i këtij dualizmi, në planin politik dhe kulturor, është i një rëndësie të veçantë, meqë shpjegon suksesin, por edhe dështimin e mëvonshëm të revolucionit, siç shpjegon edhe pajtimet fillestare dhe mospajtimet midis tyre, që do të sjellin konfliktin midis shqiptarëve dhe Turqve të Rinj, që për pasojë do të kryengritjen shqiptare të viteve 1910-1912, pastaj krizën ballkanike, luftërat ballkanike dhe shpërbërjen e Perandorisë Osmane.
Mund të thuhet se Çeku ia ka dalë që, nga qëndrimet e deritanishme të historianëve shqiptarë – (të shumtën të ngarkuar nga diskursi ideologjik) apo të huaj – (që minimizojnë rolin e shqiptarëve në themelimin dhe kurorëzimin e revolucionit drejtpërdrejt në Kuvendin e Ferizajt dhe ultimatumin drejtuar Sulltanit për shpalljen e konstitucionalizmit në verën e vitit1908), t’ua krijojë një kornizë tematike këtyre proceseve, me ç’rast elaborohen shterueshëm ato që mund të merren përputhje dhe më vonë shpërputhje të shqiptarëve me xhonturqit, me dioptrinë objektive të raporteve politike, shoqërore dhe veçmas kulturore që, në njërën anë bashkuan shqiptarët me idenë e reformave xhonturke, siç ishin ato në fazën e parë, kur fillon jeta parlamentare dhe shqiptarët shfaqen si forcë politike në parlament me 32 deputetë, e ku shënohet një etablim i shqiptarizmit kulturor përmes hapjes së klubeve shqiptare, botimit të gazetave dhe të librave shqipe e deri te mbajtja e Kongresit të Alfabetit të Manastirit ku nacionalizmit shqiptar do t’i krijohet platforma politike përmes gjuhës, dhe në tjetrën anë, shfaqje së nacionalizmit turk si osmanizëm nën petkun e islamizmit, që pengonte reformat e premtuara dhe njëherësh kërkesat e shqiptarëve për autonomi përmes njohjes së kombësisë, i anatemonte si armiqësore!
Këtij zhvillimi tejet domethënës Çejku i kushton vëmendje analitike, gjithnjë duke perfillur edhe qëndrimet e deritanishëm, në dy kapituj: kreun e parë dhe kreun e dytë. Në kreun e parë: Shqiptarët dhe Xhonturqit në fund të viteve 1908-1909 tematikisht kemi përqemdrimin nga Revolucioni Xhonturk dhe çështja shqiptare, përmes dilemës – zgjidhje apo iluzion. Pra, ku zënë fill edhe ato që do të ngritën në përputhje dhe shpërputhje e deri te konfliktet me konceptet e osamanizmit që përjashtonte autonominë shqiptare përbrenda Perandorisë Osmane, siç ishte kërkuar në vazhdimësinë nga Lidhja Shqiptare dhe ngritur si çështje edhe nga themeluesit e shqiptarë të kësaj lëvizje (Ibrahim Temo dhe më vonë aktivistet e saj: Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina). Te këto përputhje, pra sukseset politike dhe kulturore të shqiptarëve lidhen me Kongresin e Manastirit si fitore e shqiptarizmit politik dhe kulturor, pastaj vazhdojnë me Kongresi i Dibrës, Kongresin i Elbasanit, hapjen e Shkollës Normale e deri te Kongresi i dytë i Manastirit. Por, shqiptarizmi kulturor që për dividentë pashmangshëm kërkonte dhe autonominë politike, binte ndesh, në kundërshtimi të hapur, me osmanizmin xhonturk, gjë që hapi konfliktin me shqiptarët, pikërisht me ata që ishin motori politik dhe ushtarak i tyre.
Observimet e Çejkut në këto zhvillime janë sintetike nga burime të ndryshme dhe autorë të ndryshëm, mbi të cilat ndërtohet qëndrimi analitik komplementar nga shumë faktorë. Këtë rrugë autori i kapërcen duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, dihominë e shqiptimit përmes impulseve kulturore (alfabetit, botimeve, shkollave) në raport me represionin e qeverisë xhonturke kundër këtij zhvillimi, që do të pasqyrohet me kryengritjet shqiptare të vitit 1910, ku përdorët forca ushtarake kundër tyre me fushata tepër të egra te drejtuara nga Shefqet Turgut Pasha, të cilat do të krijojnë probleme të mëdha në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës. Ata do të pasojnë me kryengritjet e vitit 1911, të cilat do të dalin me kërkesën për autonomi, e ku do të invoilvohen edhe faktorët tjerë ballkanike: Mali i Zi dhe Serbia, të cilat, për interesat e tyre, do të fillojnë instrumentalizmin e liderëve dhe feudalëve shqiptarë. Çeku i kushton vëmendje të duhur raporteve të kryengritësve shqiptarë me Malin e Zi si dhe përpjekjet e Cetinës që shqiptarët të shfrytëzohen për dobësimin e Perandorisë Osmane. Në këtë kontekst, hedhet dritë e duhur edhe te roli i Austro Hungarisë në kryengritjen shqiptare si dhe i Italisë, po ashtu, në përputhje me interesat e tyre, të cilat ndikuan edhe bifurkacionet politike në drejtim të Vjenës dhe Romës, me ndikim të instrumentalizimit të saj dhe të liderëve shqiptarë, shumë prej të cilëve edhe morën anë të caktuara.
Përmbyllja e kapitullit të pasuksesshëm të kryengritjeve 1910-1911 si dhe vështirësitë që dolën prej tyre, natyrisht se imponuan nevojën që kërkesat për autonomi të ridimensiononhen edhe me luftë politike, siç ishte dalja e deputetëve shqiptarë nga parlamenti Osman në janar të vitit 1912 dhe mbledhja e Taksimit në shkurt të vitit 1912 midis liderëve politikë I. Qemalit, H. Prishtinës, E. Toptanit, M. Libohova, Aziz Pashë Vrioni dhe Syrja bej Vlora me ç’rast u mor vendimi për kryengritje të armatosur që do të fillojë në Kosovë dhe do të përhapet edhe në vilajetet tjera, paraqesin aktin përfundimtar të konfliktit të shqiptarëve me xhonturqit, që do të përfundojë me fitoren shqiptare me marrëveshjen e Shkupit midis Hasan Prishtinës dhe Perandorisë Osmane, marrëveshje kjo që do të sjell ndryshime të mëdha politike në Stamboll (shpërbërja e parlamentit osman më 9 gusht, rënia e qeverisë xhonturke më 16 gusht dhe shfaqja e qeverisë kalimtare të Gazi Myftar Pashës), ndryshime këto që shënojnë preludin e luftërave ballkanike në tetor të atij viti midis aleancës ballkanike (Serbi, Mal i Zi, Greqi dhe Bullgari) kundër Perandorisë Osmane.
Në këtë zhvillim tejet dinamik, që solli ndryshime radikale pas humbjes ushtarake të Perandorisë Osmane ndaj forcave ballkanike, që për pasojë patën pushtimin e vilajeteve shqiptare nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia si dhe masakrën ndaj popullatës shqiptare, e që më 28 nëntor rezultoi me shpallen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, Çeku përqendrohet tek kryengritja e Kosovës, raportet ushtarake dhe politike në të, veçmas sukseset e kryengritjeve nga maji deri në gusht të atij vit kur shënohet edhe depërtimi i forcave kryengritëse në Shkup, më 18 gusht, por jo edhe çlirimi i Shkupit siç thuhet në “Historinë e Popullit Shqiptar”, botimi 1969 në Prishtinë, ngaqë çlirim do të thotë largimi i forcave pushtuese dhe vendosje e strukturave politike dhe ushtarake, gjë që kjo nuk kishte ndodhur asokohe. Këtë problematikë, autori e trajton me mjaft kompetencë në përputhje me dokumente meritore austro hungarezë, osmane, italiane, serbe, malaziase dhe të tjera, duke paraqitur edhe dobësitë e faktorit shqiptar gjatë bisedimeve të Shkupit, po edhe paraprakisht në disa momente, kur shfaqen kontradikta të hapura pro dhe kundër osmanëve, pro dhe kundër autonomisë po edhe pro dhe kundër pavarësisë së shpallur në Shkup, që do të paraqiste një dimension tjetër politik të çështjes shqiptare. Personalitet e njohura të lëvizjes, në masë të madhe zhvishen nga petku ideologjik, ai folklorik, duke u parë në raport me faktorët e kohës dhe rrethanat, ku bashkëpunimi i tyre me Serbinë dhe Malin e Zi nxjerr në pah vështirësitë e lëvizjes kombëtare në rrethanat e projekteve hegjemoniste serbe, malaziase dhe greke, që do të rezultojnë edhe me mbetjen e Kosovës dhe të Maqedonisë nën Serbi, dhe të pjesëve të Çamërisë nën Greqi.
Natyrisht se autori, në përputhje me konceptin që të kapërthehen ngjarjet 1908-1912, ndalet te luftërat ballkanike, tragjedia që sollën ato për ta përmbyllur çështjen me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në këtë zhvillim vëmendje e madhe do t’i kushtohet misionit diplomatik të I. Qemalit në prak dhe gjatë shpalljes së pavarësisë.
Si përfundim mund të thuhet se vepra e E. Çekut “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912” si histori diplomatike e çështjes shqiptare, paraqet një kontribut të rëndësishëm historiografik. Botimi i këtij libri nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sikur e liron paksa prej anatemës së anemisë së punës hulumtuese shkencore në fushën e historiografisë Institucionin tonë të rëndësishëm, veçmas të tejkalimit të dioptrisë ideologjike dhe asaj të diktatit të historiografisë së Beogradit në botimet e rralla të kësaj natyre.
-Ethëm Çeku: “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912”, botoi Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, 2024. Faqe 968.