
Paulin Zefi/
Gjatë shek. XI, Lezha vijonte të ishte kryesisht nën kontrollin e Perandorisë Romake të Lindjes, por u përball vazhdimisht me sfida të shpeshta për shkak të zhvendosjes së territoreve të kontrolluara nga fuqitë rajonale, por edhe si pasojë e konfliktit të mëvonshëm midis “2 Kishave.” Pas disfatës që ushtria e car Samuelit pësoi përballë Bazilit II në muajin korrik të vitit 1014, në Kleidon [1], vdekjes së car Samuelit pak kohë më vonë nga hidhërimi dhe pushtimit të kryeqytetit bullgar, Ohrit, më 1018 [2], bizantinët rimorën kontrollin mbi territoret e humbura, duke përfshirë edhe Lezhën me viset pranë saj. Në vitin 1054, kur ndodhi ndarja përfundimtare midis Kishës Katolike Romane dhe Kishës Ortodokse Lindore, e njohur si “Skizma e Madhe”, Lezha, edhe pse ishte pjesë integrale e Perandorisë Romake të Lindjes, ajo mbeti e lidhur shpirtërisht me Romën, duke i qëndruar besnike Selisë së Shenjtë.
Asokohe, ky qytet, si në aspektin religjioz dhe atë kulturor shënonte kufirin më jugor të “Botës Latine.” Sipas M.Šufflay: vija që ndërpriste qarkun kulturor latin të Adriatikut shkonte përafërsisht nga Trani (Puglia) deri në Lezhë, ku në kohën klasike fillonte kufiri latino-helen [3].” Ndërsa F.Cordignano thekson se: Lezha, gjatë gjithë periudhës së Mesjetës mbeti në kufirin midis Botës Latine dhe asaj Greko-Bizantine dhe ishte gjithmonë një nga portat kryesore përmes së cilës Perëndimi komunikonte me Lindjen [4].” Në gjysmën e dytë të shek. XI, Principata e Dukljes (Mali i Zi i sotëm) u bë një shtet i njohur nën sundimtarët si Mihailo I dhe djali i tij, Konstandin Bodini [5]. Duklja e zgjeroi ndikimin e saj në pjesë të mëdha të Arbërisë së Veriut, duke sfiduar herë pas here autoritetin bizantin në zona si Lezha. Ndërsa, andej nga fundi i shek. XI, normanët nga Italia e Jugut, të udhëhequr nga duka i Puglia dhe i Kalabrisë, Robert Guiskardi dhe, djali i tij, Bohemundi, nisën inkursionet e para në Ballkanin Perëndimor. Nga burimet e kohës mësojmë se: Roberti i mblodhi të gjitha forcat e tij në Brindisi, përfshirë si anijet ashtu edhe ushtarët; numri i anijeve arriti në 150, ndërsa trupat, të përfshira në të gjitha kategoritë, numëronin rreth 30,000 veta dhe çdo anije kishte kapacitetin për të transportuar 200 burra bashkë me pajisjet dhe kuajt e tyre [6].
Kështu, një flotë e madhe u vu në veprim për të kaluar Adriatikun dhe për të zbarkuar ushtrinë normane në brigjet e Arbërisë. Në muajin shkurt të vitit 1082, Robert Guiskardi pushtoi qytetin e Durrësit dhe marshoi drejt Lindjes [7], por megjithëse Lezha nuk përmendet në mënyrë specifike si një objektiv norman, ajo që dihet është se normanët e shtrinë sundimin e tyre mbi të gjithë Arbërinë, Thesalinë dhe një pjesë të Maqedonisë [8]. Nga fundi i shek. XI, Lezha ishte ende një rajon kufitar i kontestuar nga fuqitë ndërluftuese si: Perandoria Romake e Lindjes, Shteti i Dioklesë ose Duklja dhe normanët e Italisë së Jugut. Pas një periudhe të shkurtër stabiliteti rajonal dhe kur bizantinët menduan se rreziku norman u largua, normanët i shohim sërish në Arbëri në kohën e Kryqëzatës së Parë (1096-1099). Prej katër grupeve kryesore të ushtrisë së madhe të kryqtarëve, trupat e Dukës Raymond IV de Toulouse ose Raymond de Saint-Gilles dhe ato të legatit papal, Adémar de Monteil ose Adémar de Puy, që u nisën nga Franca Jugore dhe që njiheshin si ushtria e “Provençaux (ku bënin pjesë kalorësit nga Bourgogne, Auvergne, Gascogne, Languedoc dhe Provence)”, zgjodhën gjatë dimrit të viteve 1096–1097 rrugën tokësore që kalonte përmes Alpeve (Col de Genèvre), Lombardisë, Venetos, Friulit dhe Istrias [9], për të mbërritur në Dyrrah nëpërmjet krahinave bregdetare të Dalmacisë, Raguzës dhe qytetit të Shkodrës [10].
Kur u nis nga Franca kjo ushtri numëronte 100.000 burra, të cilët po shkonin për të çliruar Tokën e Shenjtë [11]. Në atë kohë, Shkodra ishte kryeqyteti i Mbretërisë së Dioklesë ose Duklja dhe selia qendrore e sundimtarit Kostandin Bodini. Sapo mbërritën në Shkodër, Raymond IV de Toulouse arriti të zhvillonte një takim me princin e lartpërmendur serb, Kostandin Bodinin, i cili, në këmbim të dhuratave të kushtueshme, pranoi t’u lejonte kryqtarëve që ata të blinin lirisht në tregjet e qytetit, por në këto tregje nuk kishte asnjë lloj ushqimi [12]. Pas largimit nga ky qytet, Raymond IV de Toulouse dhe Adémar de Puy, së bashku me forcat e tyre, të mbërthyer nga uria, marshuan nëpër fushën e sotme të Zadrimës dhe pranë qytetit të Lezhës, në drejtim të Dyrrahut. Burimet e kohës përmendin sulmet e pabesa të sllavëve të Kostandin Bodinit kundër prapavijës së ushtrisë së uritur kryqtare pas largimit nga Shkodra [13], por nuk japin të dhëna të qarta nëse forcat kryqtare janë ndalur përkohësisht në Lezhë për t’u mbrojtur prej tyre, apo nëse ky qytet është përdorur vetëm si pikë tranziti gjatë marshimit sfilitës drejt Dyrrahut. Ajo që dihet me siguri të plotë është se ushtria kryqtare, e mashtruar dhe e tradhtuar nga sundimtari i paskrupullt serb, Kostandin Bodini, u detyrua të vazhdonte rrugën e saj, duke u përballur me urinë, të ftohtin dhe vuajtjet gjithnjë e në rritje, derisa në fillim të muajit shkurt arriti kufirin perandorak bizantin në veri të qytetit të Dyrrahut, ku Raymondi dhe Adémari shpresuan se vuajtjet e tyre kishin marrë fund [14].
Ishte Gjon Komneni, nipi i perandorit Aleksi I Komneni, i cili i mirëpriti Kryqtarët në Dyrrah [15], ku i prisnin të dërguar perandorakë dhe një eskortë peçenegësh për t’i përcjellë përgjatë itinerarit të njohur antik, Via Egnatia [16]. Raymond IV de Toulouse dërgoi një ambasadë përpara në Kostandinopojë për të njoftuar perandorin Aleksi I Komneni mbi mbërritjen e tij dhe pas disa ditësh pushimi në Dyrrah, ushtria nisi marshimin drejt Lindjes [17], ku Raymondit, ashtu si kryqtarëve të tjerë që marshuan para tij, iu desh t’i kundërvihej vazhdimisht me forcë dinakërisë së greko-bizantinëve [18]. Analiza e burimeve historike lidhur me itinerarin e ushtrisë kryqtare në dimrin e viteve 1096-1097 sugjeron se Lezha, në atë kohë, ndodhej jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Perandorisë Romake të Lindjes dhe po ashtu, nuk bënte pjesë as në territorin e Mbretërisë së Dioklesë (Duklja) të sunduar nga Kostandin Bodini. Mungesa e përfshirjes së Lezhës në operacionet ushtarake të Bodinit, fakti që kryqtarët kaluan aty pa hasur asnjë lloj kundërshtimi dhe njoftimet për sulmet e sllavëve mbi prapavijën e tyre pas largimit nga Shkodra, tregojnë qartë se Lezha nuk ishte as aleate dhe as e nënshtruar ndaj Dukljës.
Në këtë kontekst, qyteti mund të perceptohet si një njësi politike e pavarur ose e vetëqeverisur nga krerët feudalë vendas dhe qëndronte në një pozitë neutrale ose edhe kundërshtuese ndaj pretendimeve territoriale të Bodinit. Kjo situatë pasqyron shumë qartë kompleksitetin e peizazhit politik në hapësirën arbëre në fundin e shek. XI, ku autoritetet vendore përpiqeshin të ruanin pavarësinë ose së paku autonominë e tyre përballë forcave rivale, bizantine dhe sllave. Se sa kohë mund të ketë qëndruar Lezha e pavarur nuk dihet me siguri, por të dhënat e fragmentuara historike dhe heshtja e burimeve bizantine apo sllave për një administrim të qartë të saj në fundin e shek. XI e mbështesin hipotezën se qyteti kishte fituar njëfarë pavarësie politike në këtë periudhë të turbullt. Kjo pavarësi e mundshme mund të lidhet me dobësimin e përkohshëm të autoritetit bizantin në bregdetin e Adriatikut dhe me kufizimin e shtrirjes efektive të sundimit të Dukljës përgjatë rrjedhës së poshtme të lumit Drin. Lezha, duke qenë një qytet i fortifikuar mirë dhe i ndodhur në një zonë të ndërmjetme mes dy fuqive rajonale, duket se ka përfituar nga vakumi politik për të ruajtur një status të veçantë, që ndonëse i paformalizuar në burime, është i dallueshëm përmes gjurmëve të sjelljes strategjike të aktorëve kryesorë të kohës, veçanërisht kryqtarëve, të cilët e trajtuan qytetin si një vend i sigurt tranziti gjatë përballjes së tyre me tradhtinë e Bodinit.
Megjithëse Lezha ishte e fortifikuar dhe e mbrojtur nga mure të fuqishme, mbrojtësit dhe banorët e saj e patën të vështirë t’u bëjnë ballë sulmeve të Kostandin Bodinit, i cili, në vitin 1101, arriti të shtrijë kontrollin e tij deri në lumin Mat. Përballë zgjerimit të rrezikshëm të ndikimit dukljan në drejtim të jugut, rikthimi i kontrollit mbi Lezhën dhe mbi hapësirat strategjike përreth saj u shndërrua në një përparësi të rëndësishme për politikën ushtarake dhe territoriale të Perandorisë Romake të Lindjes. Kjo zonë përfaqësonte një pikë kyçe në mbrojtjen e interesave të perandorisë në brigjet lindore të Adriatikut, të cilat kërcënoheshin vazhdimisht nga forcat e jashtme. Prandaj, pas dëbimit të forcave sllave nga këto territore, Perandoria Romake e Lindjes rifitoi kontrollin mbi Lezhën dhe vazhdoi të ushtrojë një ndikim të fuqishëm mbi qytetin edhe gjatë gjysmës së parë të shek. XII. Perandori Aleksi I Komneni (1081–1118) u angazhua energjikisht për të rivendosur autoritetin e tij në Ballkanin Perëndimor, pasi mbrojti perandorinë kundër pushtimeve normane në fund të shek. XI [19].
Historianja bizantine dhe e bija e perandorit të lartpërmendur, Anna Komnena, në veprën e saj “Aleksiada (Ἀλεξιάς – 1148)”, shkruan për qytetin-kështjellë të Lezhës, se: “Elissos ose ka marrë emrin nga ndonjë lumë me të njëjtin emër, një degë e lumit të madh Drymon (Drin – P.Z.), ose kështjellës thjesht i është vendosur ky emër – nuk mund të them me siguri cila prej tyre është e vërteta. Elissos është një kështjellë e ndërtuar mbi një kodër dhe është krejtësisht e pathyeshme. Ajo shikon nga lart qytetin e Dyrrahut që ndodhet në fushë, siç thuhet zakonisht. Ajo është aq e sigurt saqë mund t’i japë ndihmë të madhe Dyrrahut si nga toka, ashtu edhe nga deti. Këtë kështjellë, Elissos, Perandori Aleks e vuri në përdorim për të ndihmuar qytetin e Epidamnit, si nga ana e lumit Drymon, i cili ishte i lundrueshëm – ashtu edhe nga ana tokësore [20].” Gjatë gjithë kësaj periudhe, qyteti përmendet kryesisht me emrin “Elissos [21]” dhe së bashku me pjesët e tjera në bregdetin e Adriatikut, mbetën një rajon shumë i rëndësishëm strategjik për Perandorinë Romake të Lindjes, pasi ajo kërkonte të mbante nën kontroll rrugët tregtare dhe të mbronte kufirin e saj perëndimor. Gjatë rrethimit të Durrësit nga ushtria normane nën udhëheqjen e Boemundit, në vitin 1107, Lezha luajti një rol shumë të rëndësishëm, madje vendimtar, duke e furnizuar Durrësin me ushqime dhe me armët e nevojshme [22].
Kjo dëshmon qartë se Lezha ishte një qendër shumë e fuqishme ushtarake dhe ekonomike me impakt të madh rajonal. Pasi u mbrojtën me sukses kundër kërcënimit norman, bizantinët hynë në një periudhë stabiliteti relativ, duke i lejuar ata të forconin kontrollin e tyre mbi rajonin e Adriatikut. Kjo ishte pjesë e restaurimit më të gjerë të Komnenëve nën Aleksin I dhe pasardhësit e tij, i cili synonte të rivendoste kontrollin dhe ndikimin bizantin në territoret e kontestuara më parë, duke përfshirë pjesë të konsiderueshme të Arbërisë. Gjatë kohës kur Lezha ishte nën kontrollin e plotë të Perandorisë Romake të Lindjes, ka shumë të ngjarë që fisnikëria vendase arbëre të kishte njëfarë autonomie, veçanërisht në zona më të largëta, ato kufitare. Këta udhëheqës lokalë mbajtën një ndikim të fortë mbi tokat e tyre, të cilat shpesh shërbyen si tampon për bizantinët kundër kërcënimit gjithnjë në rritje, që vinte nga Ballkani Verior, siç ishin serbët. Megjithatë, në mesin e shek. XI, ndikimi serb filloi të rritet nën sundimin e Stefan Nemanjës, i cili filloi zgjerimin e territorit serb drejt jugut. Pikërisht në kohën e zgjerimit te Principatës së madhe Serbe të Rashës (1165-1195) gjatë sundimit të Stefan Nemanjës, Lezha së bashku me krahinat veriore te Arbërisë u përfshi brenda kësaj mbretërie [23].
Sidoqoftë, pas abdikimit të Stefan Nemanjës nga froni në vitin 1196, në favor të djalit të tij të dytë, Stefanit, dhe luftës për pushtet që shpërtheu ndërmjet këtij të fundit dhe vëllait të tij më të madh, Vukanit, Rasha u përfshi në një periudhë të tensionuar të brendshme dhe ndërhyrjesh të jashtme. Kjo situatë krijoi një mundësi të favorshme për udhëheqësit lokalë arbër, të cilët, duke përfituar nga dobësimi i autoritetit serb, arritën t’i dëbojnë forcat serbe nga Lezha në fund të shek. XII. Pas një periudhe relativisht të qetë, por gjithnjë nën kërcënimin e ndonjë sulmi të mundshëm nga forcat serbe, ishte Republika Veneciane, e cila pas vitit 1204 ndërmori përpjekjet e para për ta përfshirë Lezhën në sferën e saj të ndikimit. Ky zhvillim ishte rezultat i drejtpërdrejtë i pasojave politike të krijuara pas Kryqëzatës së Katërt (1202–1204). Megjithatë, rrethanat politike dhe ushtarake të kohës e penguan Republikën e Shën Markut të vendoste një sundim formal mbi qytetin. Kjo sepse, në fillim të shek. XIII, me zgjerimin e Shtetit të Arbrit (1190 – 1255), ku bënte pjesë edhe Lezha, filluan të forcohen feudalët vendas dhe ky qytet përbënte të vetmin port që i siguronte kësaj principate dalje dhe komunikim me rrugët detare të Adriatikut [24].
Pikërisht gjatë shek. XIII, ashtu si Durrësi, edhe Lezha, së bashku me qytete të tjera arbërore si Shkodra, Drishti, Deja, Shasi, Prizreni, Kruja, Berati, Kanina etj., ndërmorën hapa të rëndësishëm në transformimin nga kështjella me funksion kryesisht ushtarak, në qendra urbane të zhvilluara dhe të mirëstrukturuara [25]. Për shkak të kufizimeve që impononte rrethi i mureve mesjetare të trashëguara nga e kaluara, qytetet nisën të shtriheshin jashtë tyre, duke krijuar lagje të reja periferike, të njohura në burimet e kohës si “proastion” ose “suburbium [26].” Këto zona periferike u shndërruan shpejt në qendra të gjalla të jetës ekonomike, ku zhvilloheshin tregjet dhe ishin të përqendruara punishtet dhe dyqanet artizanale. Nga burimet e kohës mësojmë se Dhimitër Progoni, i treti dhe i fundit arhond i Shtetit të Arbrit nga Dinastia e Progonëve dhe që ishte i martuar me Komnena Nemanjën, vajzën e Stefan Nemanjës dhe mbesën e perandorit bizantin Aleksi II Ëngjëlli, e ka mbajtur Lezhën nga viti 1208 dhe deri sa vdiq më 1215. Menjëherë më pas, e veja e Dhimitrit, Komnena, u martua me fisnikun, Grigor Kamona, por çka është më dramatike lidhet me faktin se pikërisht në vitin 1215 ajo e futi Shtetin e Arbrit nën ndikimin e Mbretërisë Serbe të Rashës.
Me pak fjalë, Lezha kaloi sërish nën pushtetin e Nemanjëve. Në kohën e Stefan Nemanjës qyteti nuk përmendet, porse shfaqet pak me vonë nën sundimin e mbretërve te mëvonshem serbë [27]. Po ashtu, pikërisht në vitin 1215, despoti i Epirit, Mihaili I Ëngjëlli, merr nën kotroll Dukatin venecian të Durrësit, ua heq serbëve nga duart Lezhën dhe Shkodrën, duke perfshirë brenda sundimit te tij edhe Shtetin ose Principatën e Arbrit [28]. Ndërsa, në vitet 1220-1221 nëpër Lezhë kalon Shën Françesku i Asizit (San Francesco d’Assisi), i cili, gjatë rrugës së tij të kthimit nga Toka e Shenjtë themelon të parin Manastir Françeskan në Shqipëri dhe një ndër më të hershmit në Europë [29]. Në të njëjtën kohë, lufta midis Despotatit të Epirit dhe atij të Nikesë, e cila u zhvillua për të marrë fronin e Perandorisë Romake të Lindjes, të shkatërruar nga kryqëzatat, solli dobësimin e pushtetin bizantin nga njëra anë, dhe kontribuoi në fuqizimin e feudalëve arbër nga ana tjetër [30]. Megjithatë, në vitin 1230, ekuilibrat në Ballkan ndryshuan plotësisht kur në muajin prill të këtij viti perandori i Bullgarisë, Ivan Aseni II (1218-1241), mundi dhe zuri rob sundimtarin e Epirit, Thesalisë, Selanikut dhe Maqedonisë, Teodor Ëngjëll Komnenin [31]. Ky i fundit, më vonë u verbua dhe e gjithë fuqia e tij, që e mori aq rrufeshëm të përpjetën, u shemb për tokë sa hap e mbyll sytë [32].
Pikërisht në vitin 1230, Lezha figuron si pjesë integrale e Perandorisë së Dytë Bullgare nën sundimin e car Ivan Asenit II. Me dobësimin e pushtetit bullgar pas vdekjes së tij, më 1241, qyteti i Lezhës me rrethina përjetuan rifuqizimin e feudalëve vendas. Në gjysmën e dytë të shek. XIII, përmenden një sërë familjesh feudale arbëre, si: Blinishtët, Skurajt, Jonimët dhe Dukagjinët, të cilat kishin në zotërim fushat dhe Malësinë e Lezhës [33]. Pas rimarrjes së Kostandinopojës më 1261, fitoreve të mëvonshme kundër princërve latinë dhe forcimit të pushtetit bizantin në rajon, perandori, Mihali VIII Paleologu, në vitin 1272, arriti të rikthejë përkohësisht kontrollin bizantin mbi disa territore në Arbërinë e Veriut midis Drinit e Shkumbinit, duke përfshirë këtu edhe qytetin e rëndësishëm të Lezhës. Megjithatë, ky kontroll ishte shumë i brishtë dhe afatshkurtër, sepse në të njëjtin vit (1272), Karli I D’Anjou shpalli krijimin e Mbretërinë së Arbërisë, e themeluar më 1271, dhe me ndihmën e fisnikëve lokalë arbër, e përzuri administratën bizantine nga shumica e qyteteve arbëre [34]. Në këtë entitet të ri politiko-ushtarak u përfshi edhe qyteti i Lezhës. Pra, me pak fjalë, Mihali VIII Paleologu është perandori i fundit i Perandorisë Romake të Lindjes për të cilin kemi burime që sugjerojnë një kontroll të përkohshëm mbi qytetin e Lezhës dhe trevat përreth. Mirëpo, siç u tha më lart, ky kontroll zgjati për shumë pak kohë, sepse u sfidua menjëherë nga Anzhuinët dhe fisnikët vendas.
Gjatë epokës së Mbretërisë së Arbërisë, e njohur në literaturën historike si “Regnum Albaniae (1271 – 1368)”, në viset përreth qytetit të Lezhës dhe më pas në të gjithë territorin e këtij entiteti politik e ushtarak, u forcua veçanërisht familja e vjetër feudale e Blinishtëve, me në krye fisnikët e njohur të kohës, Vlado, Kalojan dhe Gulielm Blinishti [35]. Pavarësisht fuqisë së Blinishtëve, në vitin 1281 qyteti i Lezhës bëhet kryeqendër e Dukagjinëve [36]. Mirëpo, Th.Ippen thekson se Lezha ka qenë e lidhur ngushtë me emrin e familjes së dinastisë së Dukagjinëve, që në Mesjetën e Hershme [37]. Nga ana tjetër, fundi i shek. XIII shënon dobësimin e familjeve arbëre dhe avancimin gradual të pushtuesve serbë në Arbërinë Veriore. Në vitin 1292, mbreti serb, Uroshi II Milutini, e futi Durrësin nën mbretërinë e tij dhe nga ajo kohë Mbretëria e Arbërisë hyri në vitin 1309 për të parën herë nën titullin e mbretërve serbë [38]. Gjatë shek. XIII-XIV, në burimet perëndimore qyteti i Lezhës përmendet në format e latinizuara: “Lessium, Lexium, Lessum” dhe nga ato serbe në formën e sllavizuar “Lješ [39]. Si përfundim mund të thuhet se gjatë gjithë Mesjetës së Mesme, Lezha përfaqëson një nyje të rëndësishme strategjike, politike dhe kulturore në peizazhin kompleks të hapësirës ballkanike. E pozicionuar në një zonë kufitare ndërmjet sferave të ndikimit latin dhe bizantin, qyteti mishëron në mënyrë paradigmatike ndërthurjen e dy botëve të mëdha mesjetare: Lindjes Ortodokse dhe Perëndimit Katolik, duke funksionuar njëherazi si pikë takimi dhe si vijë ndarëse midis tyre. Rëndësia ushtarake e Lezhës u shpreh në mënyrë të përsëritur në kontekstin e rivaliteteve perandorake, ku ajo u përfshi në orbitën e interesave të Perandorisë Romake të Lindjes, Mbretërisë së Dukljes, principatave serbe, normanëve të Italisë së Jugut, Shtetit të Arbrit, Despotatit të Epirit, Perandorisë së Dytë Bullgare dhe, më vonë, në projektet hegjemonike të Anzhuinëve. Muret e saj të fortifikuara, pozicioni dominant në raport me rrjedhën e poshtme të Drinit dhe afërsia me rrugët e rëndësishme tregtare, tokësose dhe detare, i dhanë Lezhës një funksion kyç në mbrojtjen dhe kontrollin e brigjeve lindore të Adriatikut.
Në planin religjioz dhe kulturor, Lezha shënoi kufirin jugor të “Botës Latine”, duke ruajtur lidhje të qëndrueshme dhe të pashkëputura me Selinë e Shenjtë edhe në periudha të dominimit nga fuqitë ortodokse. Kjo karakteristikë e bën qytetin një rast unik të ndërgjegjes latine në një zonë me ekspozim të vazhdueshëm ndaj ndikimeve lindore, siç vërtetohet nga prania e hershme françeskane dhe përpjekjet për ta përfshirë atë në rrjetet ekleziastike perëndimore. Në aspektin socio-politik, Lezha u shndërrua gjatë shek. XII–XIII në një qendër të rëndësishme të konsolidimit të aristokracisë vendase arbërore, duke u lidhur ngushtë me dinasti të njohura feudale si Blinishtët, Skurajt, Jonimët dhe Dukagjinët. Kjo shënon një fazë të rëndësishme të emancipimit politik lokal dhe të formësimit të strukturave të para shtetformuese në hapësirën shqiptare mesjetare. Në përmbledhje, rëndësia e Lezhës nuk mund të kuptohet thjesht në terma të dominimit territorial, por duhet parë si rezultat i funksioneve të shumëfishta që ajo ushtronte në rrafshin strategjik, ekonomik, kulturor dhe religjioz. Ajo përbën një element themelor për të kuptuar transformimet e identitetit politik, shpirtëror dhe kombëtar të Arbërisë në periudhën e Mesjetës së Mesme.
BIBLIOGRAFIA:
1- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 204-205.
2- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 200-201.
3- M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 17.
4- F.Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il p. Domenico Pasi S.I.: (1847-1914), Volume III, f. 52.
5- P.Margjokaj, Historia e popullit shqiptar, (përkth. prej origj. Edmond Malaj; red. Shqiponja Marku; përgjegj. për bot. Viktor Demaj, Mirash Marinaj), Shkodër: Botime Françeskane, 2023, f. 84.
6- A.Comnena, The Alexiad, (Translated by Elizabeth A. S. Dawes), London: 1928, f. 29.
7- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 234.
8- T.Zavalani, Histori e Shqipnis, f. 125.
9- S.Runciman, A history of the Crusades, Volume I: The First Crusade and the Foundation of the Kingdom of Jerusalem, Cambridge: Cambridge University Press, 1951, f. 160-161.
10- R.d’Aguilers, Historia Francorum Qui Ceperunt Iherusalem, (Translated with Introduction and Notes by John Hugh Hill and Laurita L. Hill; Department of History, University of Houston), Philadelphia: The American Philosophical Society Independence Square, 1968, f. 15-18.
11- Zh.K.Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, f. 183.
12- S.Runciman, A history of the Crusades, Volume I: The First Crusade and the Foundation of the Kingdom of Jerusalem, Cambridge: Cambridge University Press, 1951, f. 161.
13- R.d’Aguilers, Historia Francorum Qui Ceperunt Iherusalem, (Translated with Introduction and Notes by John Hugh Hill and Laurita L. Hill; Department of History, University of Houston), Philadelphia: The American Philosophical Society Independence Square, 1968, f. 18.
14- S.Runciman, A history of the Crusades, Volume I: The First Crusade and the Foundation of the Kingdom of Jerusalem, Cambridge: Cambridge University Press, 1951, f. 161.
15- R.d’Aguilers, Historia Francorum Qui Ceperunt Iherusalem, (Translated with Introduction and Notes by John Hugh Hill and Laurita L. Hill; Department of History, University of Houston), Philadelphia: The American Philosophical Society Independence Square, 1968, f. 18.
16- S.Runciman, A history of the Crusades, Volume I: The First Crusade and the Foundation of the Kingdom of Jerusalem, Cambridge: Cambridge University Press, 1951, f. 161.
17- Ibidem, f. 161; Shih edhe P.Margjokaj, Historia e popullit shqiptar, (përkth. prej origj. Edmond Malaj; red. Shqiponja Marku; përgjegj. për bot. Viktor Demaj, Mirash Marinaj), Shkodër: Botime Françeskane, 2023, f. 113.
18- Zh.K.Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, f. 183.
19- F.Schevill, Ballkani: Historia dhe Qytetërimi, f. 119.
20- A.Comnena, The Alexiad, (Translated by Elizabeth A. S. Dawes), London: 1928, f. 227-228.
21- K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 69.
22- A.Comnena, The Alexiad, (Translated by Elizabeth A. S. Dawes), London: 1928, f. 228.
23- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 12.
24- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 104.
25- Historia e Popullit Shqiptar, Vëll. I (Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI – Vitet 20 të shek. XIX), Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë: Toena, 2002, f. 224-225.
26- Ibidem, f. 225.
27- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 12.
28- S.Pulaha-A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 33.
29- D.Fabianich, Storia dei frati minori dai primordi della loro istituzione in Dalmazia e Bossina fino al giorni nosti, Parte prima/Vol. I, Zara: Tip. Fratelli Battara, 1863, f. 337; L.Mihaçeviç, Nëpër Shqipëri (mbresa udhëtimi & etnografi), f. 73; Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 256-257; E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f. 184; G.Valentini, Passeggiate storiche nell’Alta Albania, në: “Drini – Bollettino mensile del Turismo albanese”, Nr. 1, Anno … II, Tirana: giugno 1941, f. 128; T.Çobani, Paralele kulturore të një qyteti: Studime dhe artikuj, f. 123.
30- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 13.
31- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 286.
32- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 310.
33- S.Pulaha-A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 35.
34- P.Margjokaj, Historia e popullit shqiptar, (përkth. prej origj. Edmond Malaj; red. Shqiponja Marku; përgjegj. për bot. Viktor Demaj, Mirash Marinaj), Shkodër: Botime Françeskane, 2023, f. 119.
35- E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore: Studime për Mesjetën, f. 203-205.
36- T.Çobani, Paralele kulturore të një qyteti: Studime dhe artikuj, f. 123.
37- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 212.
38- M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 50-51.
39- K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 69.