
Besim Muhadri “Rekuiem për librat e djegur”, botoi “Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”, Prishtinë, 2024
Mëhill Velaj
Besim Muhadri, është autor i më se tridhjetë librave të zhanreve të ndryshëm: poezi, tregime, publicistikë dhe monografi në fushën e studimit letrar, të botuara në një hark kohor tridhjetëvjeçar (1994-2024). Si shumica e krijuesve, edhe Besimi krijimtarinë e tij letrare e pati filluar me poezi. Në vitin 1994, pra 30 vjet më parë Besim Muhadri pati botuar librin me poezi, “Diçka e bukur po ndodh”, një titull sa simbolik, po aq edhe interesant, madje me përmasa parashikuese. Libri në fjalë i Besimit në atë kohë që vlerësuar nga tre autorë, po ashtu poetë dhe miq të tij, Ismail Syla, Pal Ndrecaj dhe Nexhat Çoçaj. Ne reçencën e tij, Ismail Syla pati konstatuar se Besim Muhadri realitetin poetik e ndërton përmes metaforës që rrezaton kuptime, detaje artistike, si dhe disponime të ndryshme shpirtërore të unit lirik.
Ndërkaq për Nexhat Çoçajn, në librin “Diçka e bukur po ndodh” të Besim Muhadrit “erërat e kopshtit poetik janë ndër me te ndryshmet, kurse bota që na rrethon, gjegjësisht gjërat objektive siç janë: shtigjet e Pashtrikut, krojet, kullat, ai nuk i lë të heshtin brendapërbrenda poezisë së tij vetëm si një përshkrim i zakonshëm i ambientit. Paralel me to ai i ndërlidh asociacionet e tij lidhur me vendlindjen e të parëve, shprehet ndër të tjera Nexhat Çoçaj.
Pesë vite më vonë, më 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë Besim Muhadri 1999 botoi librin e dytë me poezi “A harrohet fytyra e nënës”, një libër i ndërtuar nga poezi të shkruara gjatë një periudhë pesëvjeçare, por e dominuar nga krijime që pasqyrojnë realitetin konkret të zhvilluar gjatë luftës së UÇK-së (1998-1999). Përmes vargut poetik poeti arrin të na paraqet përmasën e kësaj lufte sikurse edhe atë të lirisë dhe të sakrificës sublime të popullit shqiptar të Kosovës, ashtu sikurse e kishin paraqitur edhe shumë poetë të tjerë. Poezia e Muhadrit, ndonëse jo në masën e duhur, nuk ka kaluar edhe pa vrojtimin e kritikës letrare. Ndër ata që shfaqën mendimet e tyre për librin e Muhadrit janë edhe poetët dhe studiuesit Prend Buzhala dhe Besim R. Cengu.
Sipas Prend Buzhalës, krijuesi Besim Muhadri është i lidhur e i mishëruar me truallin e lindjes, me Hasin. Në të dy përmbledhjet e poezive, “Diçka e bukur po ndodh” dhe “A harrohet fytyra e nënës”, të tregimeve “Rrënuesit vinin natën”, si dhe në panoramën e krijuesve hasjanë, me titullin “Rigon e rrjedh nëpër Has”, poeti vendëzon lidhje të shumta mitike e krijuese me Hasin, por këto lidhje dhe raporte i pranon deri në atë masë, për aq sa do t’i shërbejnë për ta krijuar gjeopoetikën e tij shqiptare. Buzhala thotë se krijuesi e ngjyros, mbi këtë bazë, këngën e tij me tisin e dhembjes e të dëshpërimit, me tisin e vajit e të melankolisë, por ai e thur dhe e zhdrivillon edhe atë poetikë, mbi bazën e të cilës mbështet qëndrimi kritik ndaj realitetit”. Buzhala konstaton se Besim Muhadri “duke ligjëruar për Trupin e Atdheut, ai ligjëron për dramën e tij tragjike e të rëndë, për dhembjet e pafund dhe për qëndresën mbinjerëzore të tij, për holokaustin, për golgotat e për eksodet biblike shqiptare, ndërkohë që në hapësirat e tij barbarët shkatërrojnë, përdhosin, vrasin, e dëbojnë njerëzinë dhe shkretojnë”
Ndërkaq, libri që po e prezantojmë sot, i botuar këto ditë në Prishtinë, “Rekuiem për librat e djegur”, është i ndërtuar nga poezitë e dy librave të parë dhe i plotësuar edhe me poezi të tjera të shkruara pas botimit të librave të tjerë. Këto poezi autori i ka vendosur në fund të librit, ndërkaq librin e hap me poezinë kushtuar nipit të tij të vogël, të sapolindur në Nju Jork, Priamit, që ka edhe një domethënie simbolike të një vazhdimësie jetësore dhe krijuese.
Recensent i këtij libri është studiuesi nga Kukësi që jeton ën Tiranë, Besim Cengu, i cili në mes tjerash thotë se Besim Muhadri është krijues që në opusin e krijimit vargun e përdor në funksion të arritjes së qëllimit të vet, d.m.th, në atë lajmërimin e madh, në një kohë tepër të vështirë në kushte robërie se diçka e bukur po ndodhte. Poeti është zemër e ndjeshme, e zemrat e ndjeshme janë edhe ora që lajmërojnë para të tjerëve ngjarjen dhe ndryshimet e mëdha. Ndryshimet e mëdha janë edhe klithma lindjeje dhe e krahason me lindjen e fëmijës, d.m.th, të lindjes së një jete të re që është e bukur, sepse do të ketë, sipas poetit, grishje për lirinë, bukën dhe farën e moszhbirjes”.
Sipas profesorit dhe studiuesit Cengu Besi Muhadri ka kodin e vet poetik të përjetimit që e identifikon atë si poet i veçantë. Ai komunikon me njerëzit që u drejtohet me fjalën e tij të përditshme për të arritur deri në ndërgjegjen e secilit prej tyre i plotë dhe i qartë.
Në fund më duhet të them se vëllimi poetik “Rekuiem për librat e djegur”, përpos si një vlerë artistike, është edhe një homazh për katër mijë librat e djegur, të cilët autorit ia dogjën ushtarët serbë në shtator të vitit 1998, por edhe një mesazh poetik se si arti shkruhet edhe në kohë krismash pushkësh, kur muzat janë të frikësuar.
Autori me këtë libër me poezi, na kujton se ai nuk e ka braktisur në asnjë moment poezinë, edhe pse janë bërë 25 vite që ai nuk ka botuar libra të tillë. Urojmë që libri të bie në duart e lexuesit, sepse ia vlen të lexohet e të shijohet, si për nga aspekti tematik, ashtu edhe për nga aspekte të tjera që karakterizojnë një vepër të mirëfilltë letrare.